ZONË ZJARRI

Nuk kishte as edhe një shkëndijë, gjithçka ishte e mbrojtur dhe asgjë nuk u dëmtua.

1 Ekspertët e zjarrit, në bazë të analizave dhe vlerësimeve të rrezikut, në vitin 2018 e kanë parashikuar katastrofën e shkaktuar nga zjarret e pyjeve në Los Anxheles.

“Krejtësisht e parashikueshme” thotë Çar Miler, profesor i analizës ekologjike dhe historisë. “Ndërtohen shtëpi në thellësi të zonave të zjarrit. Ne e dimë se ato janë zona zjarresh, e dimë se janë të rrezikshme, por prapë Kuvendi i qytetit dhe pushtetet e rrethit vazhdimisht lëshojnë leje ndërtimi në vendet me rreziqe gjithmonë e më të mëdha. Të gjithë faktorët që nuk doni t’i shihni janë kombinuar”, thotë ai.

Larg qoftë, nuk dua të marr mësysh, eca andej-këtej, trokita njëqind here në dru dhe bëra “pu,pu,pu”, por, së paku në këtë vend me siguri një njëzet herë kam shkruar për rreziqet e ndërtimeve të pakontrolluara edhe te ne. Hidhni një sy rreth vetes. Në shtëpi ose në punë. Dhe veç imagjinoni nëse në këtë moment jeni të sigurt nëse dikush duhet të vijë urgjentisht për t’ju shpëtuar, qofshin zjarrfikësit apo ndihma e shpejtë. Apo ndoshta, një herë duhet të vijë merimanga ta pastojë kalimin nga veturat e parkuara gabim, trotuaret e bllokuara dhe tarracat e shtuara për duhanpirësit.

Edhe në Amerikë, ku kapitali provat është ligj përmbi ligjin, ka disa njerëz të shkolluar, që kanë bërë analiza dhe paralajmërojnë. Nuk janë vetëm ata që ankohen apo që injorojnë, siç i akuzojnë qeveritarët, kur paralajmërojnë me të madhe se ndërtimi i pakontrolluar rrezikon jetesën tonë të përditshme. A janë këto paralajmërime instiktive, ashtu siç ndërtimtarët kërkojnë instinktivisht lokacione ndërtimi, kurse kryetarët instinktivisht ua shesin tokat shtetërore dhe ua japin lejet.

Një kataklizëm i tillë neve na ndodhi në verën e 2016 në Stajkovcin e Shkupit, kur në një përmbytje shiu humbën jetën 22 vetë. Një vit më parë në Shpikovicë të Tetovës, po ashtu një përmbytje tjetër la pas pesë viktima. Nga kanalet e papastruara dhe rrugët e uzurpuara. Po zjarret e verës së kaluar?
Dhe të viteve të kaluara kur zjarret u afruan te shtëpitë e para në Koçanë dhe Manastir?

Nga grykësia e tyre e bënë shtetin një vend jonjerëzor për jetesë. Përditshmëria na është kthyer në një rrezik për shkak të lidhjet korruptuese mes pushteteve lokale të pangopura dhe ndërtimtarëve të pangopur. Në fund të fundit, nuk më bëhet vonë për ndërtimtarët, ata të ashtuquajturit investitorë. Ata kanë interesin e tyre. Por, pushtetet lokale që vetë i zgjedhim janë ato që duhet të mbrojnë interesin dhe sigurinë publike. E jo të mendojnë vetëm për përfitimin e ndërtimtarëve. Gjegjësisht, vetëm për përfitimin personal.

E pastaj, kanë dhe ato banesat e vogla, me të cilat e qetësojnë ndërgjegjen e tyre duke thënë se i kanë për fëmijët. A janë të vetëdijshëm se për shkak të korruptësisë së tyre, dhe fëmijët do t’u jetojnë në një qytet ku nuk do të mund t’i shpëtojnë as prindërit e tyre kur do të duhet të shkojnë në spital?

Si, ore, nuk u bëhet vonë për vetë jetën e tyre?

2 Pse çuditeni që Sasho Mijallkovi, shefi i policisë sekrete gjatë kohës së Nikolla Gruevskit, kundër të cilit janë zhvilluar gjashtë procese gjyqësore dhe njëherë madje u dënua duke vuajtur një pjesë të dënimit në burg në Strugë, është shfaqur në Monte Karlo? Mijallokovi është qytetar i lirë. I pagoi borxhet ndaj shtetit dhe shkoi në festë jashtë shtetit.
E nuk ishte çudi kur LSDM dhe BDI e ndryshuan ligjin dhe i ulën dënimet e funksionarëve të lartë për keqpërdorimin e funksionit zyrtar dhe korrupsion dhe e shkurtuan afatin e vjetërimit të atyre veprave penale? Nuk ishte çudi as atëherë kur deputetët e VMRO-DPMNE-së, mu atëherë kur votohej ky ligj krijuan kuorum në Kuvend, dhe bllokuan gjithçka që propozohej më herët? Por është çudi që Mijallkovi është parkuar para një hoteli të shtrenjtë në Monte Karlo me një “ferari” të kuq.
E me ç’prisnit ju që të shkonte Mijallkovi në Monte Karlo? Me kalë të bardhë? Si vojvodë.

3 U gëzova shumë kur në televizionin Telma e dëgjova kryetarin e Sindikatës së Administratorëve Gjyqësorë dhe Shoqatave Qytetare, Tërpe Deanoski, se nëse Qeveria nuk ua rrit rrogat punëtorëve të shtetit për 30 përqind, “do të ketë një eksod të madh nga institucionet shtetërore”.

Nuk kërkojnë 2,3,5, por përnjëherë 30 përqind. A thua se është përmirësuar për një të tretën cilësia e shërbimeve të tyre ndaj qytetarëve. A e dinë, vallë, ata që nuk janë të punësuar në firma private se çfarë do të thotë rritje e rrogave për 30 përqind? Se ato 30 përqind duhet të vijnë nga diku? Se, që të sigurohet për ta rritje, duhet të shkurtohet nga rrugët, çerdhet, shkollat? Se për ato 30 përqind të tyre, dikush tjetër që nuk ka të drejta të pakufizuara për pauzë, duhet të punojë për 100 përqind më tepër?

Por, thonë se ka dhe nga ata që punojnë për rrogën e tyre në administratën e shtetit. Atëherë, le të solidarizohen punëtorët me jopunëtorët. Le t’i paraqesin. Dhe le të përjashtojnë nga puna 30 përqind. Tamam, kështu do ta rrisin rrogën.

Në këtë shtet në greva shkojnë vetëm ata me rrogë shteti. Kjo do të thotë që punëdhënësi i tyre ka para që të rrisë rrogat pafundësisht. Atë më së lehti mund ta shantazhojnë, sidomos para zgjedhjeve. E do të mund të marrë edhe ndonjë kredi nga Orbani.

Tamam. Ata që do të jenë pjesë e eksodit le të punësohen në firmat që do të hapin vende pune me paratë e kredisë hungareze. Se atyre u duhen vetëm administratorë.

4 Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se do ta shkarkojë zëvendës-drejtorin e ISH “Rrugët e Maqedonisë” Sasho Drango, nëse vërtetohet se ka qenë ai që e ka vrarë ariun me të cilin ishte fotografuar me pushkë dhe dylbi.
Hetimi është në vazhdim e sipër, Kryeministri nuk mund ta shkarkojë në moment një zëvendës-drejtor vetëm në bazë të faktit se është fotografuar me një ari të ngordhur. Së pari, duhet të zbulohet nëse ariu është vrarë me pushkën me të cilën është fotografuar Drango, si pasojë e përplasjes së një makine. E për këtë duhet kohë dhe ekspertizë. Mickoski nuk mund të pranojë një gabim në zgjedhjen e kuadrove. Nuk mund të shkarkohen aq lehtë njerëzit e VMRO-së apo t’u kërkohet të japin dorëheqje. Pasi ata janë më të mirët dhe të pagabueshëm.

Kështu që, ndoshta do të duhet që ariut t’i dërgohet në një laborator referencë jashtë shtetit. Pastaj kryeministri do të presë rezultatet forenzike. Sepse vendimi për mundësinë e shkarkimit të zëvendës-drejtorit të “Rrugët e Maqedonisë” duhet të bazohet në prova shkencore.

5 Në oborrin e objektit të Entit dhe Muzeut në Manastir ishte ndezur një zjarr i Krishtlindjes.
Bëhet fjalë për një hapërsirë unike e cila është pjesë e shkollës së dikurshme ushtarake të vjetër 178 vjet, ku ka mësuar reformuesi i Turqisë moderne, Mustafa Qemal Ataturku. Ky vend para një vit e gjysëm u rikonstuktua me një projekt të BE-së dhe Ministrisë për vetëqeverisje lokale dhe tani në të organizohen ngjarje kulturore.

Drejtori i Muzeut të Manastirit tha se kanë dashur që me të punësuarit ta shënojnë traditën dhe kanë ndezur zjarr në një fuçi të varur, por të cilën e kanë izoluar me baltë dhe rërë. Demek, një zjarr i kontrolluar.

Vitin tjetër, le të ndezë Ministria e Kulturës zjarr të Krishtlindjes te Akuadukti i Shkupit. Se amerikanët po paguajnë për restaurimin e tij, ashtu siç ka paguar BE-ja për muzeun e Manastirit. Le të shohin donatorët se si punohet aktivisht për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Siç do të thoshte drejtori i Manastirit: “Nuk kishte as edhe një shkëndijë. Gjithçka ishte e mbrojtur dhe asgjë nuk u dëmtua”.

Një zonë zjarri tej mase e kontrolluar.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира