1 Serbia nuk është larg. As Amerika. Ja ku janë.
Shqetësohemi kur dëgjojmë për një ligësi të paimagjinueshme, si ajo në shkollën fillore në Beograd, ku një 13 vjeçar ka vrarë me pistoletë tetë nxënës të klasës, çmeritemi se një incident i ngjashtë u përsërit vetëm një ditë më pas në afërsi të Beogradit dhe – vazhdojmë të jetojmë në vlerat tona të ulëta. Më e lehta është që tani të bëjmë të mençurin rreth rrjeteve sociale, këshilleve mediatike, organeve rregulluese, ligjeve për antidiskriminim, respektimit të dallimeve, ligjeve të sjellura me procedura të shpejta…Qindra institucione që nuk funksionojnë. Qindra ligje që vlejnë për disa, e për të tjerë jo. Dënime për një palë, mosdënime për palën tjetër. Gjithçka është e rregulluar, por asgjë nuk është në rregull.
Nuk e kanë fajin fëmijët, por shoqëria. Duke nisur nga qeliza bazore – familja, ku mësohet edukata familjare për të thënë “Mirëdita” e deri te pushteti më i lartë ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Cilat janë vlerat që i promovojmë – duke nisur nga kopshtet, shkollat e deri te fakultetet? Cilët janë heronjtë tanë? Dhunuesit e grave, rrugaçët, bukuroshet prej silikoni që nuk dinë të lidhin një fjali me emër dhe folje dhe politikanët e korruptuar servilë? Ме çfarë toni flasin prindërit me profesorët në mbledhjet prindërore? Si përçmohen profesorët nga studentët? Si janë debatet në Kuvend? Si janë deklaratat e politikanëve? Si janë konferencat e shtypit?
Me aq shumë inat, hidhërim, nënçmim, urrejtje dhe agresivitet të fshehur që ka e gjithë kjo shoqëri, ne jemi një bombë e kursidur, që do të eksplodojë në çdo moment.
Serbia nuk është larg. Nëse arma mund të jetë aq lehtë e qasshme për fëmijët, atëherë nuk është faji i fëmijëve nëse ndodh një masakër.
2 Pse t’ua mbajmë hallin komshinjve, kur në shtetin tonë, mosrespektimin e ligjit e institucionalizojnë pikërisht ata që duhet jo vetëm ta mbrojnë ligjin, por edhe ta promovojnë atë. Anëtarët e organit më të lartë gjyqësor – Këshillit gjyqësor, i cili përzgjedh dhe shkarkon gjykatës, pas portave të kyçura në mënyrë të fshehtë e tërhoqën vendimin e miratuar në mënyrë të paligjshme për shkarkimin e kryetares Vesna Dameva. Përsëri e shkarkuan, por tani demek ligjërisht dhe për kryetar të ri e zgjodhën gjykatësin Sashko Georgiev. Ndaj pyetjes se pse seanca ka qenë e mbyllur për publikun, kryetari i ri tha se “disa gjëra nuk duhen bërë publike”. Sigurisht. Porositë bëhen në rrethin e më të afërmve. Publiku nuk duhet të shohë nëse gjykatësin që i ka mbajtur lëndët në sirtar në Gjykatën e Apelit, do ta ngrenë në detyrë në Gjykatën Supreme, që t’i mbajë atje lëndët. Atje mbahen më gjatë veprat deri në vjetërim.
Kryetari i ri i Këshillit gjyqësor, javën e kaluar mori pjesë në shkarkimin e paligjshëm të kryetares. Pranoi se ka qenë e paligjshme, por tha se beson në Zot. Zoti na ruajttë! Mirë që shkelin ligjet, po bëjnë edhe blasfemi. Ç’lidhje ka fakti se gjykatësi beson në Zot, nëse nuk beson në të drejtën? Gjykatësit që i zgjedh organi më i lartë gjyqësor, Këshilli gjyqësor, nuk janë përzgjedhur që të ushtrojnë të drejtën hyjnore, por të ushtrojnë të drejtën sipas Kushtetutës dhe ligjeve.
Në këtë institucionalizim të paligjshmërisë, nuk ndihmon dot as Zoti. Gjykatësit i morën rrogat e rritura dhe heshtin. Kjo është vetëm edhe një tregues se rrogat e rritura nuk çojnë drejt një pavarësimi më të madh, por përkundrazi drejt një servilizmi të shtuar ndaj qeverisë dhe të fuqishmëve në biznes.
Më tragjikja është se, me këtë sjellje të organit më të lartë gjyqësor, anëtarët nuk po bënin propagandë vetëm për paligjshmëri, por edhe për amoralitet. Po të kishin ndërgjegje të paktën tre përqind, aq sa kanë besim qytetarët në gjyqësi, deri më tash do të kishin shfuqizuar veten. Mund të bëjnë dëm sa të duan dhe kujt të duan, sepse mbi ta është vetëm Zoti, apo jo?
3 Një ish-drejtor i “Higjienës komunale” nga Shkupi është përzgjedhur drejtor organizativ i Klinikës për kardiologji. Për funksionin e ri i falenderoi publikisht në Facebook miqtë e tij si dhe “në veçanti besimin e zotit Ali Ahmeti”.
Nuk dua të marr dikë në qafë. Ndoshta ky kuadër i besuar i BDI-së do të tregohet si drejtor i aftë i Klinikës për kardiologji dhe do t’i menaxhojë me sukses blerjet e stentave dhe orarin e kujdestarive të kardiologëve dhe anesteziologëve, ashtu siç më parë e ka menaxhuar pastrimin e kryeqytetit. Mirë ama, kur dikush arrin një sukses profesional, është e logjikshme që t’i falenderojë prindërit që e kanë shkolluar dhe edukuar, familjen që ka sakrifikuar për karrierën e tij, e jo ndonjë zotëri që është lider partiak.
Do të debatojmë e do të qahemi se pse mjekët dhe motrat medicinale largohen na shëndetësia publike, shkojnë nëpër spitale private dhe shpërngulen në Gjermani, ndërkohë që këtu, dikush që është anëtar i meriturar i një partie qeveritare nuk ka as turp kur e vënë drejtor të atyre mjekëve që ndihen të përbuzur pikërisht për shkak të kurdisjeve të tilla partiake, që t’i falenderohet “zotërisë”. Ngaqë nuk përparon në karrierë falë aftësive të tij, arsimit, shkathtësive, por sepse është ngjitur pas liderit partiak.
Sa më intensive të jetë ngjitja pas liderit, aq më i lartë funksioni. Funksioni më i lartë – zëvendës kryeministër i parë. Apo, kthehu në pikën numër 2 – Këshilli gjyqësor hyjnor.
4 Ministri i shëndetësisë Fatmir Mexhiti në Spitalin e Shtipit, gazetarëve u tha: Nëse më pyesni nëse do të doja të mjekohesha në kushte të këtilla, do të them – jo!
Bravo për ministrin. E ka parë problemin në mënyrë reale. Ministri e dha deklaratën me rastin e dorëzimit të 24 shtretërve spitalorë, donacion i Republikës së Çekisë. Domethënë, Çekia, si një shtet i huaj, ka parë se çfarë i mungon Spitalit të Shtipit dhe e ka gjetur ilaçin. Kurse, ministri si mjek, ka dhënë diagnozën e saktë. Por ilaç, jo.
Kush ta japë ilaçin? Partia e ministrit Mexhiti, Aleanca, i lëshoi kthetrat për të hyrë në Qeveri. Kërcënonin, ziheshin, bënin tregti për vende ministrore. Pse? A thua se vetëm me ndryshime kushtetuese do të shkojnë në Evropë!
Le të merret vesh ministri në pari, që grupi i deputetëve të Aleancës të propozojë ligj me të cilin do të shfuqizohen drejtorët organizativë në klinika. Rroga vjetore e një drejtori organizativ do të rialokohet për shumë më shumë se 24 shtretër spitalorë. Pagat e sekretareshës dhe shoferit do të rialokohen për renovimin e banjove. Makinat zyrtare do të ripërcaktohen për automjete të ambulancës. Kështu, do të krijohen kushte që edhe ministri të mos frikësohet se, si pacient, do të ngecë në Spitalin e Shtipit, ndërsa si mjek-specialist do të shkojë me qejf në punë në po atë vend.
Regjistrim më të mirë për nevojat e shëndetit publik të shtetit kanë ambasadat e Japonisë, Zvicrës, SHBA, Gjermanisë, Holandës, Suedisë…Ata kanë një listë të gjithçkaje që tatimpaguesit e tyre duhet t’i mundësojnë shoqërisë maqedonase. Ministrat tanë kanë lista të tjera. Ata kanë ardhur me lista për punësime. Për më tepër, jo lista për atë se sa mjekë dhe motra medicinale të pranohen, por për atë se sa prej tyre të jenë maqedonas dhe sa shqiptarë edhe kush është nga njëra e kush nga partia tjetër qeveritare.
Vetëm këto lista u interesojnë.
Përktheu: Fjolla Zllatku