Në vend që të qëndrojnë te Enti i Demir Kapisë, 4 persona me pengesa serioze në zhvillim tanimë jetojnë në një apartament në një lagje të Shkupit. Disa kilometra më tej, një shtëpi me një oborr të madh është vendbanimi i ri për pesë fëmijë pa prindër, të cilët për dhjetëra vite me radhë kanë jetuar në entin “11 Tetori”. Këta persona marrin një trajtim 24 orësh nga personat që jetojnë me ta si psikologë, defektologë dhe një mundësi që të mund të përjetojnë se çfarë do të thotë të jetosh në një shtëpi, e jo në institucion.
Kjo është arritur me anë të procesit të deinstitucionalizimit, i cili realizohet nga Ministria për punë dhe politikë sociale me qëllim që t’u japë fund institucioneve dhe të gjithë, pavarësisht nivelit të pengesës së tyre, të kenë mundësinë për të qenë pjesë e jetës shoqërore dhe të mos ndjehen të braktisur dhe të harruar.
Ministrja për punë dhe politikë sociale Milla Carovska, me ardhjen në funksion, ka zbatuar këtë proces me vendosmëri. Për rreth dy vjet, gjysma e personave të cilët kanë qenë “të robëruar” brenda institucioneve tani janë shpërngulur nëpër shtëpi të vogla grupore. Kur ministrja mori për herë të parë këtë funksion, në institucione ndodheshin 482 persona. Tani ky numër ka rënë në 274 dhe besohet se deri në fund të vitit 2021, do t’u jepet fundi të gjitha institucioneve të këtij lloji.
Gjatë një bisede për SAKAMAKAZAM.MK, Carovska thotë se kur kanë nisur me procesin, kanë hasur rezistencë në të gjitha nivelet, por tanimë kjo rezistencë është zhdukur. Kulminimi i pengesave gjatë realizimit të deinstitucionalizimit është rasti Timjanik, kur banorët e fshatit dolën në protesta pasi nuk dëshironin që në rrethin e tyre të kishte një shtëpi të tillë grupore për fëmijë me pengesa serioze në zhvillim nga Enti në Demir Kapi.
“Kur ne e krijuam programin e qeverisë para zgjedhjeve, ky proces ishte një nga prioritetet e mia personale dhe menjëherë pas marrjes së funksionit krijova kushte për një transformim të shpejtë të institucioneve më të mëdha, pasi nëse nuk i transformojmë ato, asnjëherë nuk do të arrijmë cilësi më të mirë jetese në një institucion të dedikuar fëmijëve dhe personave me pengesa në zhvillim. Ai vend do të ngjasojë më shumë me një spital apo me një burg, por kurrë me një shtëpi. Kur ne e kemi nisur këtë proces kemi pasur 482 persona në institucione. Kurse tani në tetor 2019 kemi 274. Kemi pasur 183 fëmijë, kurse sot vetëm 5 prej tyre janë akoma në institucion. Deri në fund të këtij viti edhe ata do të dalin që aty. Synimi im është që deri në vitin 2020 të mos kemi asnjë fëmijë nëpër institucione dhe kjo është ajo që do të bëjmë”, tha ministrja Milla Carovska.
Në procesin e deinstitucionalizimit rezistenca nuk ka ardhur vetëm nga ana e qytetarëve që banonin në vendet ku do të hapeshin këto shtëpi grupore, por edhe nga vetë të punësuarit e ministrisë apo të institucioneve e qendrave, po madje edhe nga persona të fushës eksperte dhe shkencore.
“Më thoshin – Milla, ka njerëz që nuk bëjnë për jetë në bashkësi. U thosha – si na qenka këshu…pa më thoni se kush janë këta njerëz? Si mund të ekzistojë një njeri të cilit i duhet të jetojë si një i burgosur pa gjykim. Është e pamundur që t’i përfshijmë ata në një mënyrë tjetër në jetën e përditshme. E kemi mbështetjen nga të punësuarit e institucioneve si dhe kryetarëve të komunave, por rezistenca e qytetarëve vazhdon. Sapo ne të hapim një nga këto shtëpi, pa marrë parasysh se për çfarë lloj kategorie personash bëhet fjalë(fëmijë pa prindër, persona me pengesa, madje edhe foshnje) pa përjashtim gjithnjë marrim kërkesa nga fqinjtë e ndërtesës apo banorët e rrugës ku ndodhet shtëpia se ata nuk duan të kenë një shtëpi grupore pranë tyre. Madje, ata kritikuan edhe transferimin e foshnjave nga Shtëpia e foshnjave nëpër shtëpi në Manastir. Gjatë vizitës sime te foshnjat nëpër shtëpitë e reja, një nga fqinjtë më tha “A ju duket vetja normalë me këtë që keni bërë. Na i sollët këtu, në lagjen më elitare të Manastrit”. E pyeta se çfarë problemi apo kërcënimi përfaqësonin ata për të dhe përgjigja e tij ishte “ndoshta do të qajnë shumë më tepër”. Ky është vetëm njëri nga shembujt e shumtë me të cilët përballemi çdo ditë”, shpjegon Carovska
Shembulli më drastik është rasti i fshatit Timjanik ku banorët u mblodhën në protestë kundër shtëpisë grupore për fëmijë me pengesa serioze në zhvillim. Carovska thotë se sinqerisht ajo nuk ka pritur që rezistenca e bashkësisë të jetë e një intensiteti të tillë, që të thuhen kaq shumë ofendime dhe kërcënime se “do ta djegim…këtu nuk do të ketë diçka të tillë”. Por për ministren ky rast është edhe një pikë kritike kthimi i gjithë procesit, duke iu dhënë energji dhe motiv të gjithëve që punonin për realizimin e tij. Prandaj edhe vetë procesi i deinstitucionalizim quhet Timjanik.
“Njerëzit ofendonin dhe bënin rezistencë për fëmijë të një kategorie shumë të brishtë, më të butë nga të gjithë fëmijët që ju njihni. Unë kam zhvilluar disa takime me banorët dhe e di se ata ishin kundër kësaj gjëje, por nuk besoja se e gjithë kjo do të kishte një intensitet kaq të madh. Kur dëgjova se ata protestonin thashë se do të shkoj direkt që të shoh se ku ndodhet problemi, nëse ne ishim duke keqpërdorur dikë apo jo, nëse kishim dëmtuar dikë apo kishim gabuar diku. Për ne ishte një stres i madh. Ishin mbledhur 200 njerëz, që bërtisnin, ofendonim e kërcënoheshin se do t’i digjnin këto banime dhe se nuk do të lejonin që të ekzistonte diçka e tillë. E mira ishte që gjatë atij procesi kishim të gjithë partnerët me ne, ndërsa një rol të madh mbështetës kanë pasur dhe gazetarët të cilët me anë të informimeve të tyre zgjuan emocion te popullsia. Timjaniku na tha energji dhe motiv shtesë për të punuar drejt një mirëkuptimi sa më të madh nga shoqëria, që të mësojmë të jetojmë të gjithë së bashku. Nëse këta qytetarë përfshihen në këto procese do t’i edukojnë fëmijët e tyre në këtë frymë, që të dinë se si të përkujdesen për dikë që është i pafuqishëm, duke u përballur me realitetin se këta njerëz ekzistojnë dhe jetojnë mes nesh. Tani, një vit më vonë, banorët e Timjanikut janë ambientuar me shtëpinë e vogël grupore dhe fëmijët që jetojnë aty”, thotë Carovska.
Enti në Demir Kapi ku janë akomoduar persona me pengesat më serioze është institucioni për të cilin të gjitha raportet tregojnë se ka kushte të papërshtatshme dhe të padenja për të gjithë personat, duke përfshirë dhe personelin. Carovska deklaroi se synimi i saj deri në fund të vitit 2021 do të jetë që Entit t’i jepet fund. Për momentin por zhvillohen rindërtime të objektit, në mënyrë që procesi për deinstitucionalizim gjatë 2 viteve të ardhshme të këtë kushte gjithmonë e më të mira. Depandansi cili ndodhet jashtë institucionit është tërësisht i rindërtuar dhe aty do të integrohet dhe shërbimi i ri për punësimin e këtyre personave një herë në vit për 15 ditë.
“Nëse një familje e caktuar përkujdeset për një fëmijë apo për një person me pengesa në zhvillim, një herë në vit do të mund ta sjellë 15 ditë në një lloj pushimi. Shikoni, këta prindër janë shumë të lodhur dhe e kanë të nevojshme ta lënë fëmijën të paktën për dy javë në një objekt të përshtatshëm me përkujdesjen më të mirë dhe trajtimin e duhur”, thotë Carovska.
Të gjitha objektet në të cilat deri më tani kanë qenë të akomoduar këta persona, pasi të zbrazen krejtësisht do të përdoren për nevojat e Ministrisë, gjegjësisht nuk do të shndërrohen në hotele apo ndërtesa. Për momentin në shtëpinë për fëmijë pa prindër ”11 Tetori” nuk ndodhet asnjë person, të gjithë fëmijët gjenden nëpër shtëpi grupore, e në vendin e tij ndodhen hapësirat e Komisionit për vlerësim të personave me pengesa. Madje, një pjesë e objektit nga viti i ardhëm do të adaptohet krejtësisht në një Qendër për mbështetje të familjeve adoptuese.
“I gjithë ky proces kërkon kohë dhe përkushtim. Unë them se nëse ne e vendosim dhe fillojmë të ecim asaj rruge, nuk ka më kthim pas. Nëse do të dyshonim te realizimi i Timjanikut, apo “25 Majit” dhe Manastirit, me siguri nuk do t’ia kishim dalë. Ecim drejt rrugës e ashtu siç do të përballemi me problemet, në atë mënyrë edhe do t’i zgjidhim ato. Unë jam e sigurt se çdo njeri në fund kupton se e gjithë kjo është për të mirën e shoqërisë”, thotë Carovska.
A. ANTEVSKA