Liqeni i Prespës në Pretor duket sikur të jetë përgjakur nga materia e kuqe e cila gjatë këtyre ditëve ka kapluar të gjithë liqenin. Ajo u shfaq që kur liqeni pësoi një tërheqje drastike gjatë këtij viti, si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe periudhës së gjatë së thatësirës. Tashmë për muaj të tërë nuk ka pasur as edhe një pikë shiu, kurse temperaturat janë jashtëzakonisht të larta në vjeshtë.
Sipas të dhënave zyrtare të cilat arriti të mblidhte SAKAMDAKAZAM.MK, liqeni është mbi 2,5 metra nën nivelin normal të ujit. Në breg dolën gurë dhe kallame që ishin nën ujë. Madje edhe skela e drurit është e gjitha në rërë. Kallami ka filluar të pushtojë edhe plazhet në Asamati, Shtërbov dhe Nakollec, duke krijuar pellgje. Liqeni është mbushur me ishuj të rinj që lulëzojnë nga tërheqja e ujit. Në 100 metra nga bregu në lagjet Asamati, një tufë zogjsh pushojnë mbi gurët dhe dheun që ka dalë nga uji. Sado e bukur të jetë Prespa, kjo fotografi duket kataklizmike.
“Kur isha fëmijë shkoja në Rërat e Arta në Bullgari dhe i pata thënë shoqërisë sime “Nëse ajo qenka rërë e artë, atëherë ajo e Prespës sonë është e diamantit”. Në atë kohë në Shtërbovë kishim plazhin më të bukur të Prespës. Shumë i pastër dhe pa ndotje. Kur ishim në plazh nuk shkonim të pinim ujë në vend tjetër, por zhyteshim thellë dhe pinim që aty. Tani bregu i pjesës së cekët është shndërruar në pyll. Për shkak të bukurisë së plazhit u ndërtuan 80 shtëpiza dhe në fshat tani vijnë vetëm pensionerë. Prespa u bë si Mariova”, tha Krume Panovski, banori i vetëm i fshatit Shtërbovë i cili akoma kor kallamin që të mbërrijë deri te Liqeni.
Si një njohës i mirë i oscilimeve të liqenit, ai thotë se këtë vit uji ka pasur një tërheqje në mënyrë drastike. Sipas vlerësimeve të tij, nga viti i kaluar liqeni është tërhequr për 15-20 metra. Banorët më të vjetër dëshmojnë se në krahasim me vitet e 80-ta, të cilat kanë qenë kohëra të arta për Prespën, uji është tërhequr në gjatësi prej 200-300 metra.
“Ku ka turizëm, ka dhe xhungël. Tashmë plazhet nuk ekzistojnë. Kush e di se ç’do të bëjë natyra. Ujë ka gjithmonë e më pak”, thotë Petre Nikollovski, banor i Shtërbovës.
Lamtumirë turizmit i tha edhe një nga fshatrat më të vizituar të dikurshëm të Prespës, Asamati ku ishte dhe pushimorja e njohur për fëmijë.
Asamati momentalisht nuk ka pikë turizmi. Unë kam ardhur këtu në vitin 1974 dhe liqeni ka qenë tridhjetë metra më këtej. Kishte shumë turistë dhe shtëpive u duheshin më shumë hapësira akomoduese. Tani ato zona që dikur ishin të mbushura me ujë, janë uzurpuar nga kallamishte të gjata tre metra dhe nga pemë deri në 5 metra, tamam si një xhungël, thotë Aspasija Todorovska nga Asamati.
Se sa është tërhequr liqeni shpjegon edhe i dashuruari me Prespën Metodija Jovanovski, gazetar dhe publicist, duke bërë të ditur se matësi i nivelit të ujit që ndodhet para shtëpisë së tij në Pretor në vitet 1969 dhe 1970 ka treguar një metër ujë dhe vetëm 20 metra nga oborri, kurse tani uji i liqenit para tij është larguar për rreth 220 metra.
“Për shkak të tërheqjes së ujërave liqenorë, kjo zonë shndërrohet në një vend të uzurpuar nga kallamishtet. Ku është UNESKO? Për Ohrin nënë, kurse për Prespën njerkë? Për Liqenin e Ohrit çdo ditë ka diskutime, kurse për të Prespën, nga ku vijnë dhe burimet më të mëdha për Ohrin, askush nuk flet, edhe pse para pesë vjetësh atje UNESKO shpalli biorezervatorin Ohrid-Prespa për zonën e mbrojtur integrale. Për kolektorin e Ohrit ka para, por në Pretor bëhet dhe pa kanalizim. Pastaj duam që Prespa të zhvillojë turizmin dhe të mbrojë liqenin”, thotë Javanovski.
Ai bën një apel për shpërthim të liqenit, duke i thirrur ekologjistët, partitë e jeshilëve të qeverisë me peticion drejt UNESKO-s që të aktualizojnë çështjen. Apelon që të mbahet një takim trilateral të ministrave të Maqedonisë , Greqisl dhe Shqipërisë, si dhe të kryetarëve të Resnjës, Germanit dhe Pustecit, me kërkesë për mjete speciale për shpëtim të liqenit në suaza të projektit ndërkufitar “Prespa park”. Integrimi i një regjimi të veçantë për mbrojtjen e ujërave, pasi nga uji i liqenit të Prespës varet cilësia e ujit dhe mirëmbajtja e biodiversitetit në Liqenin e Ohrit.
Nga shoqata “Eko gerila” thonë se këto janë cikle të liqenit të shkaktuara nga zvogëlimi i disavjetshmë i reshjeve të shiut dhe të borës, për shkak të së cilës uji tërhiqet.
Tërheqja e ujit u krijon probleme edhe nikoqirëve.
“Na pengon tërheqja e ujit. Vendet të cilat mbeten jashtë ujit duhet të rregullohen me rërë ekstra”, thotë Srebre Neçovski, pronar i kompleksit “Konekt biç” në Slinicë.
Një tregues për oscilimin e nivelit të ujit të liqenit të Prespë (1960-2007) përmban edhe Plani për menaxhim i vitit 2013. Sipas tij, niveli mesatar i liqenit është më i ulët për 6,5 metra. Arsyeja janë ndikimet klimatike të shprehura nëpërmjet temperaturës së rritur në ajër dhe avullimit të lidhur me ndryshimet e dukshme klimatike të reshjeve në vit.
Temperatura në Prespë arrin deri në 37 gradë ku totali i reshjeve është 730 milimetra në metër katror. Oscilimet janë intensifikuar gjatë 50 viteve të fundit si rezultat i periudhave të thata dhe kanë ndikim të madh mbi florën dhe faunën në rajonet më të cekëta. Veç kësaj është dëmtuar edhe pjelloria e disa llojeve të peshqive si peshku mrena apo skobus.
“Për shkak të liqenit të tërhequr, peshqit janë larguar në krahina më të thella. Për të arritur deri te ta, duhet të lëshohemi me traktorë dhe t’i nxjerrim nga liqeni, pasi është cekët. Peshku mund të kapet vetëm në ujërat më të thellë”, shpjegojnë peshkatarët.
Sipas udhëheqësit të Sektorit për mjedis jetësor në Komunën e Resnjës, Ajman Al Malla, gjendja momentale është pasojë e ndryshimeve klimatike, por edhe e rrjedhjes së ujit në Liqenin e Ohrit. Ai thotë se niveli i ujit është zvogëluar gjatë 20 viteve të fundit, kurse rënie më të madhe ka pësuar në moment, gjegjësisht 2,5 metra poshtë normales. Gjatë majit të vitit 2016, niveli i ujit ishte 1,1 metër dhe ky trend vazhdoi deri në fillim të vitit 2017, deri sa në gusht të vitit 2018 ra për 1,66 metra.
“Arsyeja më e madhe për këtë janë ndryshimet klimatike. Variacionet e mëdha të temperaturës janë manifestuar nëpërmjet valëve të vazhdueshme të ngrohta dhe uljeve të befta duke nxitur anomali në sasinë e reshjeve, intenzitetin, kohën e shfaqjes dhe distribuimin hapësinor”, thotë All Malla.
Ai e pranon se ndikon edhe rrjedha e ujit nga liqeni i Prespës drejt atij të Ohrit nëse merret parasysh se në Prespë kemi lartësi mbidetare prej 853 metrave, kurse në Ohër 695 metra.
Jemi përpjekur të kontaktojmë edhe me institucione dhe ekspertë të tjerë mbi këtë temë, por na kanë thënë se të dhënat mund të gjenden vetëm te Sektori për mjedis jetësor në Komunën e Resnjës. Nga enti hidrobiologjik në Ohër thanë se nuk kanë të dhëna të reja dhe se projekti i tyre ka përfunduar në vitin 2016, por janë në përgatitje të një projekti të ri. Në Resnjë, qyteti i vetëm në pjesën maqedonase të Prespës, nuk ka një institucion të specializuar për matje, analizë dhe mbrojtje të liqenit, përveçse në laboratorinë në Stenje.
Nga Komuna e Resnjës thonë se në mënyrë që të merren masa për përmirësimin e gjendjes në projektet për mbrojtje të liqenit dhe bregut deri më tani janë investuar 15 milionë dollarë mjete të shtetit dhe nga donatorë të huaj.
“Nevojitet një konferencë ndërkombëtare që do të mundësojë një menaxhim të mirë dhe të integruar të ujërave për Liqenin e Prespës, një aktivitet që Komuna dëshirtn ta mbajë në mars të vitit të ardhshëm. Nevojiten analiza të përgjithshme të të gjitha të dhënave tona deri dhe sugjerim i masave për adaptim ndaj ndryshimeve klimatike”, thotë All Malla.
“Liqeni i Prespës me rripin e tij të bregut për shkak të bukurive natyrore dhe vlerave të tjera shkencore është shpallur si monument natyror. Ka një vlerë të madhe për mbrojtjen e shumëllojshmërisë biologjike. Janë regjistruar mbi 1.500 lloje të rajonit më të gjerë të Prespës, 50 lloje endemike, 19 bimë endemike, dy lloje peshqish endemikë, 216 lloje të shpezëve në Ezerani apo 66% nga numri total i shpezëve në shtet dhe 42% të atyre në Evropë. Me një pasuri të këtillë, ajo hyn në kategorinë e liqeneve më të ruajtura tektonike në botë. Vjetërsia e tij vlerësohet të jetë para më shumë se 5 milionë vjetësh. Liqeni ka një gjatësi prej 26, 6 dhe gjerësi prej 16,9 kilometrash, kurse thellësi deri në 5,4 metra.
ZH. ZDRAVKOVSKA