Në afërsi të Velesit, në rrjedhën e poshtme të lumit Babunë, ndodhet lokaliteti Peshti. Ky fenomen i rrallë në të kaluarën ka shërbyer si një mjedis jetësor për shumë shpezë, shumë nga të cilat sot janë të rralla, ndërsa disa prej tyre edhe janë zhdukur. Moti, por edhe njeriu kanë bërë që këto shpezë endemike të shpërngulen që këtu, të zhduken dhe sot të jenë një specie e rrallë. Mes shkrepave që ngrihen me qindra metra në lartësi, ndodhen fole zogjsh të rrallë, që gjenë prehje në këtë bukuri natyrore.
Dr. Metodija Velevski, biolog dhe ornitolog shpjegon se në këtë lokalitet shpezët tashmë janë rralluar kaq shumë sa mund t’i numërosh me gishta.
“Tani për tani të dhëna të sigurta janë ato në lidhje me hutin egjiptian, nga i cili në Maqedoni kanë ngelur vetëm dy çifte. Lloje të tjera më të rralla të shpezëve janë: lejleku i zi, shqiponja e artë, sokoli gri dhe ndoshta edhe disa të tjera. Shpezët që janë zhdukur tërësisht janë: hutat kokëbardhë, të cilët në të kaluarën, rreth vitit 1985 kanë bërë foletë këtu, kurse në Maqedoni gjithsej kanë ngelur vetëm pesë çifte të këtij lloji. Shqiponja mbretërore, edhe pse e shohim shpesh, nuk e dimë sa nga vjen dhe ku e ka folenë.
Arsyeja e rrallimit të numrit të shpezëve në Peshti apo zhdukjes së tyre të krejtësishme është e lidhur me njeriun, dhe në mënyrë indirekte me ndryshimet klimatike. Njeriu ndikon drejtpëdrejtë me anë të helmimit dhe gjahut. Ndërkohë, për shkak të urbanizimit dhe ndërtimeve të paligjshme të shtuara, ky lokalitet ka ndryshuar dhe klimën.
“Kjo krahinë është tejet e vogël për të marrë masa të mëdha për mbrojtje, por është pajisur me masat e përgjithsme, si parandalimi i përdorimit të helmit. Do të ishte shumë e dobishme nëse do të kishte edhe një mbrojtje dhe kontroll ligjor të prezencës së njerëzve dhe të urbanizimit nëpërmjet ndërtimeve të paligjshme”, thotë Velevski.
Lokaliteti Peshti është shpallur si një zonë ornitologjike nga profesionistë evropianë në vitin 1989, pasi këtu në atë kohë ka pasur shumë shpezë. Mbi faktin se kjo zonë ka qenë edhe shtëpia e shqiponjës kokëbardhë, na flet edhe speleologu Sllobodam Gjorgiev nga Velesi, i cili shpeshherë viziton Peshtin bashkë me Borçe Jovçevskin, pjesëmarrës në ekspeditën për ngjitje të Mont Everestit në vitin 1989.
Para disa vitesh, ata u futën në një shpellë të thellë 40 metra, ku gjetën shumë trupa shpezësh të ngordhur. Ata eksploruan edhe zonën mbi lumin Babuna dhe në njërën prej këtyre zonave kanë gjetur edhe trupa të dy çifteve të shqiponjave kokëbardha.
“Shqiponjat dukeshin si të ishin të mumifikuara, si dhe kishte shumë kocka shpezësh të tjera të ngordhura. Ky është një zbulim interesant pasi në këtë lokalitet nuk ndodhet ky soj”, thotë Gjorgiev.
Për ta është shumë e çuditshme se si këta trupa kanë qenë shumë mirë të mbajtur me pupla në trup. Asnjëri nuk mund të thoshte me saktësi se për sa kohë kanë qenë të ngordhur dhe përse.
“Është shumë e çuditshme se si i kemi gjetur këta trupa shpezësh në këtë vend, pasi ato nuk shohin në errësirë dhe e kemi të vështirë të kuptojmë se si kanë arritur deri aty, pasi terreni ka shumë pengesa. Veç kësaj ka dhe shumë nevojë shpeze, që do të thotë se ato kanë humbur fuqinë dalë nga dalë deri sa janë përballur me vdekjen”, shpjegon Gjorgiev.
Gjatë gjetjes së trupave të shpezëve, ata kanë parë se ato janë të gjata një metër me një gjerësi të krahëve prej 2,5 metrash.
Gjorgiev qarëtson se para pesëmbëdhjetë vjetëve ka gjetur një shpellë të ngjashme me trupa shpezësh në krahun tjetër të lumit të quajtur Bunar, mes të cilave janë gjetur edhe trupa të shqiponjave kokëbardha.
P. PEÇKOV