AHTUNG, ANGELA

Si kanë nisur, nuk do të habitemi nëse në një moment llotaria e shtetit i tërheqë fituesit fatlumë të pasaportave në një transmetim direkt në shërbimin publik.

AHTUNG, ANGELA

1Kryeministri teknik Oliver Spasovski habitet se si nuk mund të gjejë një njeri fajtor për zhdukjen e fletoreve për pasaporta. Edhe unë habitem. E më së tepërmi më habit fakti se si ai, si një ministër i punëve të brendshme para jo shumë kohësh dhe si një kryeministër aktual, pyet veten se si nuk mund të gjendet personi fajtor, i cili ka porositur me vonesë pasaportat nga Gjermania.

Dhe tani, në çdo shfaqje në publik, Oliver Spasovski dhe ministri teknik i MPB Naqe Çulev do t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit se kush është fajtor për pasaportat. Çulevi madje kërkoi që prokurori publik të fillojë hetim për çështjen, kurse Spasovski ka bërë kërkesë urgjente drejt Angela Merkelit që porosia të mbërrijë dhjetë ditë më herët.

Nuk mund të thuhet se cili nga këta dy gjeste është më budallallesk. Se Merkelit edhe kjo iu desh, që t’ia bënte pasaportat Maqedonisë. Nuk mjafton që ka marrë përsipër vetë që të na shtyjë deri në BE. Ajo na shtyn, e ne me gjithë fuqitë tona bëjmë rezistencë.

Kjo rezistencë për të pasur një shtet serioz nuk ka lidhje as me parti, as me ministër, as me atë që është në qeveri. Kjo është një paaftësi dhe neglizhencë e administratës së shtetit, detyra e vetme e së cilës është t’u shërbejë qytetarëve. Ç’punë kanë të punësuarit në ndonjë shërbim në MPB që fitojnë rrogë, për t’u siguruar njerëzve pasaporta, karta identiteti, leje shoferi etj?

E tani, që kur lanë mijëra persona pa dokumente personale, do të debatojmë nëpër televizione dhe Fejsbuk, do të përfshihet e gjithë makineria dhe do të formohet komision ku do të ketë edhe mjek që të gjykojë se kush mundet apo jo të marrë një pasaportë. Çfarë specialisti do të jetë mjeku? Psikiatër? E pastaj do të hapim një bisedë se nga cila parti janë anëtarët e komisionit, se sa shqiptarë do të ketë, e me çfarë shumice do të merren vendime. Të gjejmë lidhje te mjekët për pasaporta. Epo, edhe Komisioni për antikorrupsion të ishte përfshirë, le t’ua kontrollojë listat e pronësisë dhe lidhjet familjare anëtarëve të komisionit për pasaporta. Të kishim edhe Komision për antidiskriminim, të cilit i ka kaluar mandati një vit më parë, do të duhej që edhe ai të përfshihej në makinerinë e zbulimit se kush është fajtor për faktin se dikush në MPB nuk ka ditur të numërojë.

Si kanë nisur, edhe llotaria e shtetit mund t’i tërheqë fituesit fatlumë të pasaportave në transmetim direkt në shërbimin publik.

2Ata mund të vazhdojnë sa të duan të na bindin se problemi i pasaportave është për faj të partive. Por fakti qëndron – pasaporta nuk kemi dhe përgjegjës për këtë punë gjithashtu nuk ka.
Besa, duke marrë parasysh vendin ku jetojmë dhe gjërat me të cilat përballemi kur kërkojmë shërbim nga shteti, unë do të habitesha nëse dikush me të vërtetë do të kishte bërë analizë dhe do të kishte planifikuar me kohë se kur mbarojnë. Do të ishte për t’u habitur nëse do të gjendej fajtori, e akoma më shumë nëse ai do të gjykohej. Duhet një vizion i jashtëzakonshëm që dikush të llogarisë se sa pasaporta mund të ndryshohen pas 10 vjetësh.

Mirëpo, nëse duan që kjo gjë të mos përsëritet më, shërbimet e MPB le të vendosin që tani në afatin e tyre se për 10 vjet do të duhet të bëhet përsëri ndërrimi i pasaportave. Kushdo që të jetë në pushtet atëherë, le të zgjohet: “Ahtung, ahtung…”, le të ulërasë ndërtesa e MPB e të dëgjohet gjer në Gjermani.

E deri atëherë janë mësuar se njerëzit këtu mund të durojnë gjithçka, e kështu, edhe këtë do ta harrojnë.

3 Shyqyr, Parlamenti u shpërbë. Ky Parlament do të mbahet mend për shumë gjëra. E para, se si disa deputetë u përpoqën të vrisnin disa deputetë të tjerë. Ky ishte një Parlament ku dëgjuam deputetë në hetim, të dyshuar apo të akuzuar për vepra serioze penale, se si debatojnë, bëjnë moral dhe zihen për ligjet që duhet të sjellin drejtësinë. Dhe luftuan tërë pasion që t’i shpëtojnë burgut. Një Parlament ku u ndryshua Kushtetuta, u miratua anëtarësimi në NATO. Një mori njerëzish që në fund të fundit nuk ia dolën të bien dakord për çështje strategjike, por lehtësish merreshin vesh për harxhimet e rrugës dhe pagesat ditore.

Larg qoftë edhe njëherë të na përsëritet një përbërje e tillë e Parlamentit.

4E dimë se në vitin 2016, LSDM fitoi 49 vende në Parlament. E dimë se çfarë tregtish duhej të bënim që kjo shumicë të rritej deri në 80 deputetë. U derdh gjaku në Parlament. Sa duhej t’i jepej BDI-së, save duhej t’u faleshin mëkatet ? Në çfarë kushtesh qeveriste Zaevi ? Me një opozitë, synimi i vetëm i së cilës ishte t’i shpëtonte kriminelët nga partia e tyre bashkë me presidentin e tyre të nderuar. Me partnerin e koalicionit BDI të cilit nuk i konvenonin reformat në gjykatë se akoma mban lidhjet e mira me të arratisurin në Budapest. Dhe me një kapacitet të kufizuar të LSDM-së së tij.

Që të rrumbullakësohet e gjithë fotografia – hyrje në NATO dhe negociata me BE-në, duheshin bërë kompromise si falje dhe koalicione të panatyrshme. Duke e ditur këtë gjë është e qartë se sa e vështirë është të bëhet një reformë për çfarëdolloj gjëje, e veçanërisht për një gjykatë të korruptuar në një shtet të robëruar. Prandaj edhe drejtësia akoma nuk ka ardhur në rend.

Prandaj nuk e kam të qartë mesazhin e marshit për drejtësi që organizoi LSDM. Organizuan marsh për drejtësi, që të na kujtojnë se nuk ka drejtësi.

Pavarësisht të gjithave, prapë se prapë, Zaevi nuk duhet të na bëjë budallenj dhe të na bindë se Kërsto Mukoski është hero dhe luftëtar për drejtësi dhe të na e ofendojë inteligjencën kur mban miting para Gjykatës, duke u ankuar se nuk ka drejtësi në një shtet në të cilin para një muaj e gjysmë ishte kryeministër.

Kur je në pushtet, për drejtësinë nuk bëhen marshe, por drejtësia zbatohet.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира