Monumenti grandioz i Nënës Terezë në sheshin Maqedonia në Shkup, i cili do të kushtojë të paktën 5,5 milionë euro, duhet të jetë gati deri në prill të vitit të ardhëm, tetë muaj pas ceremonisë së shenjtërimit. Ndërtimi i monumenti në fjalë, 32 metra i lartë, filloi në tetor të vitit të kaluar dhe Ministria e kulturës, bartësi i projektit, lajmëroi që do të përfundojë për 18 muaj.
Hapësira mes hotel “Meriot” dhe Shtëpisë së oficerëve në sheshin kryesor është e zënë me ndërtime prej tashmë një viti.
Sipas projektit, monumenti i Nënës Terezë do të jetë një objekt me tаrracë dhe shatërvan të shkallëzuar, me sipërfaqe shkëmbore nga travertina, që të ketë pamjen e një shkëmbi natyror. Në qendër të monumentit do të ketë një engjull me krahë dhe pak më poshtë tij do të ketë katër engjuj të ulur, plus katër të vegjël.
Në shatërvan do të ketë skulptura prej mermeri të bardhë të Nënës Terezë me fëmijë dhe prindër, të një murgeshe me invalid, një murgeshe me njeri të sëmurë, i cili rri ulur, një murgeshe me një tjetër të sëmurë të shtrirë dhe murgeshe me njeri të sëmurë që rri ulur mbi shkëmb.
Monumenti do të ketë tarracë, nën të cilën do të jenë të pozicionuara skulptura dekorative dhe do të ketë shtylla të larta dhe zbukurime në formë kupe.
Skulptura e Nënës Terezë, të fëmijëve të sëmurë, të prindërve, engjujve, murgeshave dhe të gjitha pjesët e monumentit do të jenë të vendosura në një hapësirë prej 621 metra katrorë.
Ndërtimi i monumentit vjet, filloi me prerjen e gështenjave të fundit në sheshin kryesor, gjatë natës, në mënyrë që të krijohej vend për ndërtimin. Kjo shkaktoi një revoltë dhe reagime të zhurmshme nga shkupjanët.
Së shpejti ndodhi edhe zbulimi i pllakës memoriale në vendndodhjen e monumentit, si lajmërim për ndërtimin e ri. Pllaka memoriale për herë të parë u u zbulua në mënyrë ceremoniale, në 25 janar të vitit 2013, nga Nikolla Gruevski dhe biznesmeni indian Subrata Roj, i cili premtoi që do t’i dhurojë Shkupit një monument të Nënës Terezë, nga atdheu i saj i dytë, India. Monumentin duhej ta dhuronte ndërmarrja “Sahara India”, nën pronësinë e Subratës, mirëpo ndërtimi nuk filloi sepse ai u burgos në Indi. Kështu, Qeveria e mori përgjegjësinë që ta ndërtojë me mjete nga buxheti.
Shuma e 5,5 milionë eurove është fillimtare, pa shtojcat e zakonshme të marrëveshjes. Nga eksperienca e deritanishme me ndërtimet e projektit “Shkupi 2014”, nuk ka pothuajse asnjë ndërtesë, për të cilën mos të jetë bërë marrëveshje shtesë për të rritur shumën e ndërtimit
Përktheu: Fjolla Zllatku