JU NJOFTOJMË ME SËMUNDJET E RRALLA: SINDROMA PITT-HOPKINS

JU NJOFTOJMË ME SËMUNDJET E RRALLA: SINDROMA PITT-HOPKINS

Pitt-Hopkins syndrome -Sindroma Pitt-Hopkins

ICD Q 87.0
Prevalenca: 1-9/1.000.000
Sindroma Pitt-Hopkins është një sëmundje që karakterizohet me paaftësi intelektuale, probleme me frymëmarrjen, sulme epileptike përsëritëse dhe tipare të veçanta të fytyrës. Personat me këtë sindromë kanë aftësi të kufizuara intelektuale të moderuara deri të rënda. Ata gjithashtu kanë zhvillim të ngadaltë psikomotor, fillojnë të ecin me vonesë gjithashtu edhe motorika fine vonon, siç është kapja e sendeve me gishta e jo me pëllëmbë. Ata pothuajse kurrë nuk mësojnë të flasin, fjalori i tyre përbëhet kryesisht nga 2-3 fjalë të artikuluara vështirë. Shumë prej tyre kanë karakteristikat e çrregullimeve të spektrit të autizmit me komunikim dhe socializim të vështirë. Problemet e frymëmarrjes manifestohen me episode të frymëmarrjes së shpejtë (hiperventilim), e ndjekur nga një periudhë e frymëmarrjes së ngadaltë ose ndërprerje e plotë e saj (apnea), e cila çon në mungesë të oksigjenit në trup me ngjyrim blu të gojës dhe lëkurës (cianozë). Mungesa e oksigjenit gjithashtu mund të çojë në humbjen e vetëdijes. Vështirësitë me frymëmarrjen shfaqen tek fëmijët më të rritur, por gjithashtu mund të fillojnë në fëmijërinë e hershme. Zakonisht këto episode provokohen nga shqetësimi ose lodhja e tepërt. Epilepsia shfaqet në fëmijëri, por nganjëherë edhe menjëherë pas lindjes. Fëmijët me sindromën Pitt-Hopkins kanë tipare karakteristike të fytyrës, me vetulla të holla, sy të futura, lakim i theksuar i buzës së sipërme, një gojë e gjerë me buzë të mëdha dhe dhëmbë të rralla. Fëmijët zakonisht duken të lumtur, të qeshur dhe shpesh duartrokasin. Por ata gjithashtu mund të jenë edhe në ankth dhe të shfaqin agresion. Tiparet tjera shoqëruese janë: kapsllëku, koka e vogël (mikrocefalia), shtati i shkurtër, anomali të vogla të trurit. Duart dhe shputat e vogla janë gjithashtu tipike, dhe në pëllëmbë mund të ketë vetëm një vijë të vetme. Gjithashtu kanë shputa të rrafshta. Tek meshkujt, testikujt janë të pazbritur në skrotume. Mund të kenë gjithashtu strabizëm si dhe miopi.
(radio jingle I njohim sëmundjet e rralla)
Sëmundja është shumë e rrallë, vlerësohet se ka 500 individë me këtë sëmundje në të gjithë botën. Sëmundja nuk trashëgohet sepse individët janë sterilë. Prindërit e tyre janë të shëndetshëm. Mutacioni ndodh për herë të parë te personi i sëmurë. Sëmundja u përshkrua për herë të parë nga Pitt dhe Hopkins në “Australian Journal of Pediatrics” në vitin 1978, i cili prezantoi dy pacientë që nuk ishin të një familjeje. Lidhshmëria me TCF-4 nuk u gjet deri në vitin 2007 – kur u zbulua që gjeni TCF-4 luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sistemit nervor qendror dhe trurit.
Sëmundja shfaqet për shkak të defektit, d.m.th. funksioni i pamjaftueshëm i faktorit të transkripcionit-4. Gjeni që kodon këtë faktor quhet TCF-4. Ai ndodhet në krahun e gjatë të kromozomit 18. Prindërit janë të shëndetshëm, por në gametet e tyre (qeliza vezë dhe spermatozoide) ata mund të kenë qeliza të tilla që bartin një mutacion dhe e kalojnë atë tek fëmija. Prandaj, në raste jashtëzakonisht të rralla, është e mundur që dy fëmijë të një personi ta kenë sëmundjen. Proteina TCF-4 është e rëndësishme për qelizat nervore. Ato kanë zgjatje të quajtura sinapsa me të cilat qelizat nervore lidhen me njëra-tjetrën, duke krijuar rrjete për përçim të sinjaleve. Sa më i madh është rrjetëzimi, aq më të zhvilluara janë funksionet intelektuale të individit. Për shkak se në sindromën Pitt-Hopkins një nga dy gjenet është me mutacion, proteina TCF-4 prodhohet në sasi të pamjaftueshme, dhe kjo zvogëlon sinapsat e qelizave nervore. Interesant janë studimet për skizofreninë ku aktiviteti i të dy gjeneve TCF-4 është shumë i shprehur dhe prodhohet sasi e madhe e proteinës ​​që çon në një rrjetëzim të madh dhe shkakton “kaos” te individi.
Një dekurs klinik të ngjashëm me sindromën Pitt-Hopkins mund të shihet tek individët që kanë mutacione në dy gjene tjera CNTNAP-2 në krahun e gjatë të kromozomit 7 dhe NRXN-1 në krahun e shkurtër të kromozomit 2.
Diagnoza:
Nuk ekzistojnë kritere diagnostike, por prezenca e simptomave të caktuara mbështesin diagnozën e sindromës Pitt-Hopkins. Këto janë dismorfia e fytyrës, ngadalësimi i hershëm psikomotor, paaftësia e rëndë intelektuale, problemet me frymëmarrjen dhe mungesa e anomalive të tjera kongjenitale. Gjysma e pacientëve kanë sulme epileptike, dhe pjesa tjetër kanë anomali të trurit psh corpus callosum hipoplastik. Sipas diagnozës klinike kjo sindromë takon në grupin e çrregullimeve pervazive të zhvillimit.
Sidoqoftë, duhen bërë konsultat që vijojnë:
Vlerësim të zhvillimit;
Konsultë me specialist për terapi biheviorale;
Konsultë me pneumolog;
Konsultë me neurolog;
Ekzaminim oftalmologjik;
Konsultë me gastroenterolog;
Vlerësim muskuloskeletor;
Konsultë me gjenetist klinik.
Trajtimi:
Akoma nuk ka ndonjë trajtim specifik për sindromën Pitt-Hopkins. Ashtë e nevojshme një qasje multidisiplinare. Duhet trajtuar simptoma: antikonvulsantët duhet të përdoren për epilepsi, ushqim i duhur, terapi fizikale etj. Në trajtim kyçet edhe një edukator special, logoped, psikolog zhvillimor brenda nevojave të sëmundjes. Në fushën e terapisë gjenike, si një mundësi reale imponohet qasja farmakogjenetike, dhe konsiston në gjetjen e ilaçeve të përshtatshme që do të ndikonin dhe stimulonin gjenin e shëndetshëm për të rritur prodhimin e proteinës TCF-4.
Prognoza e sëmundjes:
Kursi i sëmundjes është jo-progresiv. Nuk ka të dhëna të mjaftueshme nga një ndjekje e gjatë e pacientëve, por nuk ka asnjë arsye për të konkluduar se jetëgjatësia e tyre është më e shkurtë. Për shkak se ata kurrë nuk do jenë të pavarur, ata tërë jetën kanë nevojë për mbështetje.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира