Avokati i popullit në 25 korrik të këtij viti ka ngritur procedurë pas parashtresës së Elica Obradoviqit, banore e rrugës Arseni Jovkov të lagjes së Shkupi, Gjorçe Petrov, sepse ajo ka lejuar t’ia shembin banjën për shkak të një ndërtimi në bulevardin Boris Sarafov, mirëpo marrëveshja me gojë, që ka pasur me pushtetet lokale dhe të qytetit, se do t’i ndërtojnë një banjë të re, ka dështuar. E mashtruar, bashkë me të birin, nusen dhe beben 7 muajshe, ka mbetur gjithë verës në temperaturë mbi 40 gradë, pa vend ku të mund të lahen. Përveç kësaj, ata u janë lutur komshinjëve çdoherë kur të tre kanë pasur nevoja fiziologjike për të kryer.
Familja është futur në labirintet burokratike mes qytetit të Shkupit, i cili e ka ndërtuar bulevardin dhe komunës së Gjorçe Petrovit, në territorin e së cilës gjendet ndërtimi në fjalë. Mirëpo, as kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski e as kryetari i Gjorçe Petrovit, Sokol Mitrovski nuk mund të gjejnë dalje nga kjo përzierje e pronës dhe ligjit.
Gjatë tërë verës, familja Obradoviq, shtëpia e së cilës përbëhet vetëm nga një dhomë 4 me 4, ka përjetuar një ferr. Nga papastërtia, bebja ka marrë infektim që atë verë dhe në vizitën e SAKAMDAKAZAM.MK në shtëpinë-dhomë të kësaj familjeje, ishte i dukshëm fakti që bebja ka akoma infektim në sy.
Kjo familje ka filluar të ndërtojë banjë të re, si shtesë e ngjitur e shtëpisë-dhomë, por inspeksioni ndërtimor e ka ndërprerë ndërtimin. Elicës i është thënë që gjatë këtyre ditëve do t’ia shembin banjën sepse është ndërtim i paligjshëm. Edhe pse nuk ka marrë dokument për shembje, Elica çdo ditë ka stresin në pritje të zërit të makinerive.
Shtëpia ndodhet në rrugën Arseni Jovkov, por banja e ndarë me tualet e familjes Obradoviq dhe disa objekte të tjera në atë vend, me vite kanë qenë pengesë për përfundimin e ndërtimit të bulevardit. Në pranverën e kaluar, pushtetet lokale dhe të qytetit kanë bërë marrëveshje me banorët e këtyre objekteve, ata kanë rënë dakort, dhe më pas objektet e tyre janë shembur dhe është hapur bulevardi, i cili është ndërtuar dhe për një kohë të shkurtër ka qenë i gatshëm për përdorim.
“Kisha tualet dhe banjë e cila gjendej në rrugën e sapondërtuar Boris Safirov. Me hapjen e rrugës, ma shkatërruan pa dëmshpërblim, por me marrëveshje me gojë, sipas së cilës do të më ndërtonin një të re në tokë shtetërore, e cila do të ishte ngjitur me dhomën time. Kryetari i tokës shtetërore, Koce Trajanovski dhe ekipi i “Rrugë dhe rrugica” menjëherë sollën material dhe filluan të ndërtojnë. Nuk kam fjalë të këqija për ata dhe me të vërtetë u jam mirënjohëse me gjithë zemër. Por, komshiu që jeton prapa shtëpisë sime i denoncoi, sepse i pengonte banja, gjë pas së cilës inspeksioni ndërtimor erdhi menjëherë. Për arsye se ndodhet në tokë shtetërore, inspeksioni nga komuna Gjorçe Petrov urgjenisht e ndërpreu ndërtimin. Vinin disa herë me radhë dhe thoshin që është sjellë vendim për shembje. Të punësuarit në “Rrugë dhe rrugica” e ndërprenë ndërtimin dhe para se ta mbulonin tualetin, i mblodhën materialet e tyre dhe u larguan”, thotë Obradoviq.
Ndërsa bisedonim, erdhën komshinjtë, të cilët Elicës dhe familjes së saj u lejojnë t’i përdorin banjat e tyre.
“Ja, shikoni me sytë tuaj. Fotografoni, si mundet që ky tualet me banjë t’i pengojë komshiut, kur dukshmërisht ka pasur qëllim që të hapë derë hyrjeje, sepse përveç murit në këtë shtëpi dykatëshe nuk ka gjë tjetër. Nuk ka vënë dritare, e le më të vërë derë. Nuk e dimë se pse ky njeri vazhdimisht paraqet raste në inspeksionin ndërtimor të komunës”, thonë fqinjët e Elicës.
“Edhe përkrah faktit që për ditë vinte inspeksioni ndërtimor dhe vjen akoma, unë nuk mund të duroja dot dhe vendosa ta mbuloj tualetin e premtuar, që të kemi ku të lahemi me ujë dhe të kryejmë nevojat tona fizike”, tha Elica.
“Fqinjët më ndihmuan, dikush më dha tablla e dikush pllaka. Por, përsëri nuk guxoja t’i përdor nga frika. Por nuk duronim dot. Nuk shkonte më që të laheshim dhe të kryenim nevojat te komshinjtë. E tillë siç është, e papërfunduar, në asnjë lloj gjendjeje, neve na duhet ta përdorim. Nëse vijnë për ta shembur, le të vijnë, unë jam e pafuqishme për të bërë diçka. Edhe pse jam tatimpagues, paguaj për komunale dhe mbeturina, ne, nga sa po shoh, do të mbetemi pa banjën e premtuar. Do të kryejmë nevojat tona nëpër enë dhe më pas do t’i derdhim te këta konternjerë. Çare tjetër nuk kemi”, thoshte Lica para fqinjëve të mbledhur, të cilët i jepnin mbështetje.
Dhomën-shtëpi, edhe pse e ndërtuar në tokë shtetërore, ashtu si objektet e tjera të lagjes, Obradoviq, me ligjin për legalizim për objekte të ndërtuar pa leje, ka arritur ta legalizojë dhe ajo ka dokumente për këtë gjë. Mirëpo, toka rreth objekteve mbetet e shtetit dhe nuk ka leje për ndërtim, madje as për shtesë të ngjitur një metër katërorëshe, siç është banja, të cilën “Rrugë dhe rrugica” kishin filluar t’ia ndërtojnë kësaj familjeje, si kompensim për banjën e vjetër, mbi të cilën u ndërtua bulevardi.
NGA QYTETI I SHKUPIT THONË QË NUK EKZISTON MARRËVESHJE
Por, edhe pse Obradoviq e lavdëron kryetarin Koce Trajanovski se ka premtuar tualet të ri dhe e ka mbajtur fjalën, por ka qenë i penguar që ta ndërtojë nga inspeksioni lokal ndërtimor, nga Qyteti i Shkupit thonë që një marrëveshje e tillë nuk ekziston fare. Pas kërkesës së Avokatit të Popullit, nga kryetari i Shkupit erdhi ky shpjegim:
“Objekti, gjegjësisht tualeti që përmendet në parashtresë, përfaqësonte pjesë përbërëse të objektit, i cili u shpronësua nga pronari i mëparshëm Ivo Mihajllovski nga Shkupi, gjë për të cilën u lidh marrëveshje në Ministrinë e financave, Zyrë për marrëdhënie pronësore, Njësinë për procedurë administrative të shkallës së parë Karposh- Shkup. Për këtë arsye, theksojmë që ai që ka ngritur parshtresën aspak nuk ka qenë palë në procedurën për zgjidhjen e marrëdhënieve pronësore, për shkak të ndërtimit në rrugën e caktuar”, thuhet në përgjigjen e Qytetit të Shkupit nga Avokati i Popullit.
NGA KOMUNA GJORÇE PETROV THONË QË DUHET TA SHEMBIN
Inspektori kompetent ndërtues në komunën Gjorçe Petrov, Zllatko Bojaxhiev thotë që ndërtimi shtesë është e ndërtuar në tokë shtetërore dhe për të është sjellë vendim për shembje.
“Ashtu dhe do jetë, sepse nuk guxoni të mos shembni nëqoftë se ka një vendim për shembje. Nëse nuk veprojmë sipas ligjit, paguhen dënime, parashikohet dhe përgjegjësia. Shembja mund të ndërpritet vetëm me anë të miratimit për ndërtim, kurse kjo është e pamundur, sepse bëhet fjalë për ndërtim të paligjshëm në tokë shtetërore”, thotë Bojaxhievi.
Ai shton që deri tani banja do të ishte shembur, vetëm se nuk ka mbaruar tenderi për përzgjedhjen e firmës për shembje.
Në 30 shtator, Obradiviq ka qenë tek Avokati i popullit. Këshilltari shtetëror, Zoran Billbillovski thotë që ajo nuk ka marrë urdhër për shembje, përveç që këtë gjë ia ka thënë me gojë inspektori nga Gjorçe Petrov. Asaj i është thënë me gojë që “Rrugë dhe rrugica” janë të detyruar t’ia shembin tualetin, sepse ata nën urdhrin e kryetarit Koce Trajanovski, edhe e kanë ndërtuar.
Avokati i Popullit do t’u drejtohet kompetentëve në Komunën Gjorçe Petrov që ta marrë vendimin për shembje, që fillimisht të shihet se drejt kujt është dhënë urdhëri për shembjen e banjës. Të shihet edhe se kush e ka manipuluar Obradoviqin, që i ka thënë se nëqoftëse lejon t’i shembet tualeti, do të mundet që një institucion shtetëror apo ndonjë institucion për udhëheqje lokale t’ia ndërtojë një objekt të ri në mënyrë të paligjshme, në tokë shtetërore.
Më pas, Avokati i Popullit thotë që do të kërkojë mundësi ligjore se si të ndërpritet kryerja e vendimit për shembje, që kjo familje të mos ngelet me bebe pa banjë dhe tualet.
Përktheu: Fjolla Zllatku