BELA PËR MERAK

Herën tjetër kur të vijnë në Kuvend që t’ju thejnë kokët, ne do të jemi duke parë komedi romantike. Ndoshta nga ajo do të shqetësohemi më shumë.

1 Kryetari i shtetit Stevo Pendarovski pohon se sulmuesit e Kuvendit në 27 prill 2017 nuk kanë qenë terroristë, pasi ai “e di se ç’është terrorizmi dhe i njeh problemet dhe dilemat e sigurisë”. Për VMRO-DPMNE-në sulmuesit që hynë në Parlament me vrasje për të penguar ndryshimin demokratiktë pushtetit janë mbrojtës të kushtetutës. Paraprakisht Gjykata gjykoi se gazetarët që kanë raportuar nga Kuvendi atë mbrëmje kanë qenë në shëtitje.

Katër vjet pas sulmit të organizuar të Parlamentit më 27 prill kemi revizion të asaj që kemi parë në transmetim direkt nga televizioni dhe në rrjetet sociale. Sulmuesit janë mbrojtës të kushtetutës. Gazetarët nuk janë gazetarë. Super. Herën tjetër kur të vijnë në Kuvend që t’ju thejnë kokët, ne do të jemi duke parë komedi romantike. Ndoshta ajo do të na shqetësojë më shumë. Se edhe vetë presidenti, i cili merr vesh nga terrorizmi dhe siguria konsideron se sulmuesit nuk kanë qenë terroristë. Njëlloj u shpreh edhe Nikolla Gruevski në 28 prill 2017 – Nëse do të kishin dashur t’i vrasin, do t’i kishin vrarë. Ata kanë qenë vetëm disa qytetarë dhe qytetare që ndryshe nga të tjerët nuk kanë ndenjur kot në shtëpi me papuçe. E kështu, duke mos dashur që të rrijnë në shtëpi, kanë dalë dhe e kanë gjetur veten në Kuvend në ndonjë “ngjarje të pakëndshme”, siç shprehet servisi publik shtetëror.

Herët e vonë, do të realizohet edhe premtimi i Zoran Zaevit. Po edhe Gruevski do të kthehet nga Budapesti.

2 Kam një mik që mban mend reformën e arsimit në vitin 1953. Atëherë pushtetet kanë urdhëruar që në vend që nxënësit të shkruajnë në tabelë të zezë me shkumës, mjete të cilat i merrnin çdo ditë me vete në shkollë, të fillojnë të përdorin fletore. Kështu në vend që të shkruajnë e të fshijnë vazhdimisht, është dashur që t’u blihen fletore për çdo lëndë, pastaj dhe lapsa, goma, bojë e stilolaps. Miku im mban mend se në atë kohë prindërit janë ankuar mes vete – of of of, sa shumë fletore që duhet t’u blejmë fëmijëve. E përveç fletoreve të ndryshme, ca me vija ca me katrore, duhet edhe çanta t’u marrim. Të shkretët fëmijë, sa do të ngarkohen…
Për dallim nga viti 1953, tani prindërit kanë kompjutera, smart telefonë dhe internet. Prandaj e kanë shumë më të thjeshtë luftën kundër reformave në arsimin e fëmijëve të tyre. Ata vetë organizohen në Fejsbuk, e nga ana tjetër ngrenë krye për dixhitalizimin e librave. Thonë se fëmijët do t’i zërë gjumi para kompjuterëve dhe telefonave, ndryshe nga ata, që shkruajnë statuse, bëjnë lajke, shkruajnë komente dhe shpërndarjnë postime.

Çdo gjeneratë ka etiketën e saj. Unë që kur di për veten time mbaj mend se flitet se sa nuk na bën arsimi. Nuk bëjnë librat shkollorë, nuk bën programi edukativ, nuk bëjnë arsimtarët, universitetet i kemi katastrofë, diplomat blihen, kurse magjistrat dhe doktorat bëhen të tillë me punime të kopjuara…Të gjithë konsiderojnë se duhet të ketë reforma në sistemin arsimor. Se njerëzit janë përgjithësisht analfabetë dhe se çdo përpjekje për të integruar diçka të re has rezistencë.

E ndërkohë çështja është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar. Të gjithë nxënësit do të vijojnë të mësojnë nga librat. Nga shtatori, fëmijët e klasës së katërt, përveç librave fizikë do të mësojnë edhe nga librat dixhitalë. Njëlloj sikurse në vitin 1953 nxënësit nuk kanë pushuar së përdoruri shkumësat dhe tabelat kur kanë filluar të përdorin fletoret.

Me të vërtetë është e palogjikshme që një profesor i Fakultetit të makinerisë i cili i takon inteligjencës teknologjike, siç është Hristijan Mickoski, të bllokojë reformën e cila ka për synim zbatimin e teknologjisë për të përmirësuar arsimin. Të paktën ai duhet të dijë se sa shpejt përparon teknologjia dhe se çfarë rëndësie të madhe ka zhvillimi teknologjik i një shoqërie.

Por edhe rezistenca ndaj dixhitalizimit të arsimit ka logjikë atëherë kur ky profesor është lideri i VMRO-DPMNE-së. E roli i VMRO-DPMNE-së është të bllokojë çdo gjë që do iu shfaqet për ta penguar. Atyre u pengon fakti se mjekët kanë kërcyer e kanë kënduar në punktet e vaksinimit, e s’do t’u pengojë reforma e arsimit që do ta bënte Milla Carovska. Thjesht, një qëndrim ndryshe nga ai që pengon gjërat nuk do të përputhej me ligësitë në komunikatat e tyre partiake. Pak histeri fejsbuku, pas manipulim me gjimnazistët dhe – ja një bela për merak.

Mickovski u kërcënua se VMRO-DPMNE do ta bllokojë edhe këtë ligj në Parlament. Por, nuk kemi dëgjuar se Mickoski ka ndonjë zgjidhje për arsimin. Çfarë ofron ai? Për më tepër, për shumë gjëra të tjera të rëndësishme në shtet nuk kemi dëgjuar se si do të kishte qenë zgjidhja e tij. Mirëpo të paktën për këtë, si profesor që është, do të duhej të kishte ndonjë ide. E nëse do ta kishte thënë, ndoshta dikush do ta kishte dëgjuar.

3 Kështu del se ata të VMRO-DPMNE-së bëjnë vetëm zhurmë. Nuk u intereson puna e librave. U intereson gjithçka që mund të shfrytëzohet për t’u bërë bela e qeverisë. E madje nëse duhet të manipulojnë gjimnazistët e disa gjimnazeve të Shkupit për të bojkotuar mësimin për faktin se fëmijët e klasës së katërt të shkollave fillore nga shtatori do të kenë libra dixhitalë, do ta bëjnë! Pak politikë nuk do t’u bëjë keq, sidomos para një feste dhe vikendi të zgjatur. Një ditë më pak për mësim.

Pse bojkotoni? Nuk e dimë, por do të humbim orën. Dhe do të bashkojmë edhe një ditë me festën.

Pse protestoni? Për çdo rast. Do të na japin sanduiça dhe lëngje.

Çdo gjeneratë ka etiketën e saj.

4 Shikoni tani VMRO-në, mbrojnë edhe Stojko Paunovskin të LSDM-së. Se Zaevi e ka ndryshuar nga drejtor të Inspeksionit të tregut, pasi ka refuzuar që t’ia pranojë në punë ca të kornizës, të cilët i kanë konsideruar si joadekuatë.
Të paktën për të kornizës mos flisni. Kush ishte në pushtet e kush merrej me të kornizës, të cilët për më shumë se dhjetë vjet nuk shkonin në punë, e ndërkohë merrnin rrogë? A e mbani mend partnerin e qeverisë Musa – guri vjen nga afër – Xhaferi?

Është punë tjetër që në kohën e VMRO-DPMNE-së, Stojko i tyre as nuk do të guxonte t’i kundërvihej Nikolla Gruevskit. Po edhe të kishte thënë diçka, nuk do të kishte asnjë media e cila do ta publikonte. E nëse do t’i tejkalonte ato vija të mbrojtjes, do të përfundonte “në hendek, me gjithë gruan e fëmijët”.

Prandaj tani Mickoski e ka të thjeshtë që çdo ditë të thotë: “Ju nuk dini as t’i korrigjoni të gjitha gabimet që ne bëmë. Ja, tani do t’ua kontestojmë edhe kapacitetin demokratik”.

Në Maqedoni kujtesa nuk matet më dot as me ditë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира