“MANGUPA” DHE “SHIZIKË”

Në vend që t'i heqë mangupat që shqetësojnë shtetin, shteti do të heqë gjelbërimin që shqetëson mangupat..

1 Katër vjet me radhë luftuan kundër planeve të paligjshme urbane që i sillte VMRO-DPMNE në orën katër të mëngjesit dhe – në fund u dorëzuan. LSDM prapë bëri autogol tre muaj para zgjedhjeve. Kryetari i Komunës së Qendrës Sasha Bogdanoviç, nënshkroi miratimin për ndërtimin e njërës prej tre ndërtesave njëzetkatëshe te Holiday Inn. Tani le të thërrasin investitorin KOM për t’ua siguruar fitoren në tetor. Dhe le të votojnë për ta qiramarrësit e ardhshëm të kullave.

Me ç’premtime do të shkojnë në fushatë parazgjedhore? Çfarë do të ofrojnë?  Ndërtesa banimi? Qendër të bllokuar qyteti? Kemi “ngrënë” Vodnon me sukses, kemi shfrytëzuar gjithë hapësirën e Debar Maalos dhe Kisella Vodës, herët e vonë edhe Karposhit do t’ia marrim ajrin, e do t’i vihemi edhe Rasadnikut. Do të kemi një metropolë me banorë të pakënaqur dhe investitorë të kënaqur.

Në rastin e “Holiday Inn”, VMRO-DPMNE ua ndryshoi planet, kurse LSDM ia vuri vulën punës. Pra, nuk ka shpëtim. Sot është “Holiday Inn”, por nesër do të jetë Rasadnik. Nuk është problem lokacioni. Por parimi në vetvete. Nëse sot qeveria lejon që të ndërtohet sipas një plani që nuk është në përputhje me Planin e përgjithshëm urban, nesër do të miratohen ligje që nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Pse? Sepse kështu dëshironte investitori.

Gjëja më e paftyrë është se qeveria e shet këtë gjë si zhvillim. Po, po. Ky është zhvillim. Por një zhvillim i biznes planeve të investitorëve, e jo të qytetit dhe cilësisë së jetës. E për më tepër që të marrin si budalla, duke të thënë se – ke zili se ndërtesat do të jenë shumë të bukura. Eh, po edhe të bukura mos ishin! Dhe është jashtëzakonisht fyese që të shesësh ndërtime të pakontrolluara nën pretekstin e zhvillimit, sepse kjo u sjell fitim investitorëve, e para komunave për shërbimet komunale me të cilat ata do të paguajnë ushtrinë partiake në administratë, kurse neve që kemi vendosur të jetojmë këtu, na sjell një qytet tejet të nxehtë dhe të ndotur, pa gjelbërim dhe pa dritë, pa qasje për kamionë zjarrfikësi dhe ambulanca e të mbingarkuar me makina.

Ne nuk votojmë për investitorin në zgjedhje. Dhe nuk presim që ai që të mbrojë interesin publik. Atij nuk i intereson nëse do të ketë apo jo mjaft shkolla, kopshte, ambulanca, parkingje, rrugë me qarkullim të shpejtë, parqe … Me të vërtetë, nuk i bëhet fare vonë. Ai do t’i shesë apartamentet, do t’i marrë paratë e do të zhvendoset në një lokacion të ri. Fëmijët dhe nipërit me ato para do t’i dërgojë jashtë vendit, në mënyrë që të mos mundohen këtu me kushte çnjerëzore të jetesës. Dhe problemet do të mbesin dhe do të grumbullohen nga një cikël zgjedhjesh në një tjetër. Sepse qeveria nuk i mbron as ata që do të blejnë apartamente të reja, e le më ata që tashmë jetojnë atje. Investitori e sheh punën e vet.  Problemi është se qeveria nuk po sheh punën tonë.

2 Ashtu siç në betejën kundër pandemisë shteti thotë se interesi privat i antivaksuesve nuk mund të rrezikojë shëndetin publik, ashtu edhe interesi privat i investitorëve dhe pronarëve të tokave nuk mund të rrezikojë të mirën e përbashkët. Po, prona private në kapitalizëm është e shenjtë, por ama historia që thotë se interesi privat është mbi interesin publik është e vjetër katër shekuj. Për këtë arsye ekziston edhe vetë shteti. Për të vendosur rregullat e lojës, për të siguruar standardet e të mirës së përbashkët dhe për t’i mbrojtur ato nga rrezikimi.

Ne kishim njërin që e kuptonte kështu zhvillimin e Shkupit – që interesi privat është mbi atë publik, e ai përfundoi duke ikur në Budapest brenda një bagazhi, kurse ata që ia “punonin zhvillimin” i la në Shutkë.

3 Me shembullin e Komunës së Qendrës u bë e qartë se madje edhe kur ka një kryetar komune që dëshiron të ndryshojë diçka, kur një urdhër vjen nga partia, gjithçka që është premtuar bie në ujë. Dhe kështu, në vend që t’u shërbejnë interesave të banorëve, ata u shërbejnë interesave të firmave partiake. Dhe mbi të gjitha, këtu ka dhe zyrtarë të korruptuar që së brendshmi sabotojnë të gjitha përpjekjet për të rishikuar planet e këqija urbane.

Kjo sepse kryetarët e komunave dhe këshilltarët në komuna nuk punojnë për interesin e qytetarëve, por punojnë për t’u pëlqyer “atyre lart” që t’i kandidojnë përsëri në detyrë. Kurse katër-pesë muajt e fundit të mandatit të tyre, do të mbjellin lule dhe shkurre, duke shpresuar se ata që i votuan do të marrin amnezi dhe nuk do të kujtojnë dot se shumë kanë mashtuar dhe tradhtuar.

4 Sukseset e qeverisë janë pak të ekzagjeruara. Pas promovimit të një donacioni nga Zvicra për automjetet e zjarrfikësve në Berovë, zëvendëskryeministri Ljupço Nikollovski shkroi në profilin e tij në Facebook: “Qeveria vazhdimisht investon në përmirësimin e kushteve të jetesës në çdo komunë, në çdo segment që është i rëndësishëm për jetën e përditshme të qytetarëve.”

Kush investon? Zvicra. Cili është kontributi i qeverisë? Që i lejuan Zvicrës të na dhurojë katër automjete, si dhe pajisje për zjarrfikësit tanë dhe t’i trajnojë ata për zjarret në pyje? Ky me të vërtetë është një sukses i qeverisë. Por i qeverisë së Zvicrës, ama.

Të njëjtën ditë u njoftua se qeveria gjermane gjithashtu ka blerë makinë për tharjen dhe hekurosjen e rrobave në një kopsht fëmijësh në Pehçevë.

Të huajt po bëjnë një inventar për atë se çfarë kanë nevojë qytetarët tanë, kurse njerëzit tanë tashmë kanë bërë një inventar për atë se cilat automjete zyrtare duhet të zëvendësohen me të reja. Për shembull, Fondi shëndetësor blen dy vetura për 80,000 euro, dhe ambasada gjermane dhuron një frigorifer për transplant kockash prej 6,500 euro. Çfarë do t’i shërbente Fondit të Shëndetësisë nëse do të blinte një makinë më pak dhe do t’i mbesnin para për frigorifer?

Ambasadat realizuan një mal me suksese. Ndërsa qeveria jonë dhe autoritetet lokale bëjnë një listë parcelash dhe dëshirash për investitorët e partive, ambasadorët e huaj bëjnë listat e nevojave për qytetarët tanë. Ndërsa KOM ndërton ndërtesa banimi për fitimin e vet, SH.B.A. dhe BE rinovojnë kishat tona, të cilat janë një thesar kulturor. Të huajt kanë bërë një shëtitije në Maqedoni duke vënë re pikërisht atë që u nevojitet konkretisht komunave – kamionë për zjarrfikës, frigoriferë spitalorë, ambulanca, pishina rehabilitimi, ujësjellës, kosha plehrash, kabinete për fëmijë autikë, pajisje ndihmuese për të verbrit…I vetmi lëshim i ambasadave është që nuk kanë vënë re se neve na mungojnë pasaporta dhe letra njoftimi, targa regjistrimi dhe dëftesa, që të na i kishin dhënë edhe ato. Le të mos humbasim kohë me procesin e shpërnguljes.

5 Për autobusët kinezë të blerë nga Gruevski nuk ka pjesë rezervë, ata të Ukrainës shpërbëhen dhe sigurisht që qeveria e qytetit do të duhet të blejë automjete të reja për transportin publik. E meqenëse është marrëzi që edhe në këto zgjedhje të premtohet tramvaj, siç premtohet tashmë për tridhjetë vjet me radhë, tani do të kemi një “metro mbi tokë”. Ose “tramvaj mbi rrota”. Ose është akoma më skizofrenike ta quajmë atë “bas rapid tranzit”. Sepse është tepër e thjeshtë të quhet: “transport i shpejtë autobusi”.

Sepse, në fund të ditës, ajo që promovon kryetari Petre Shilegov është pikërisht kjo – transport të shpejtë autobusi. Vetëm se në vendet normale dhe në qytetet normale, madje edhe këtu, në vrimën evropiane të Ballkanit perëndimor, ky transport i shpejtë me  autobus sigurohet me një vijë të verdhë në fund të korsisë së djathtë, e jo duke u shkatërruar korsia e mesme e bulevardit.  Pse? Sepse në vendin tonë, korsia e skajit të djathtë është e zënë nga mangupët që pinë kafe duke parë makinat e tyre dhe nga oficerët e policisë të cilët, në vend që të ndëshkojnë shizikët, lënë makinat e tyre në rrugë dhe vrapojnë drejt bastoreve.

Kështu është puna te ne. Në vend që t’i heqë mangupat që shqetësojnë shtetin, shteti do të heqë gjelbërimin që shqetëson mangupat.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира