ORA E MEKSHEJNIT

Greqia kërkonte emrin, Bullgaria kërkon gjuhën dhe identitetin, po Shqipërisë, çfarë do t’i mbetet të kërkojë?

1 Eurokomisari për zgjerim Oli Ren në dhjetor 2007 ndaj pyetjes se kur do të fitonte Maqedonia një datë për negocim, tregonte barcaletën për kompozitorin Jan Sibelius. Kur e shoqja, në ora gjashtë të mëngjesit, e pyeti se kur do të vinte në shtëpi, Sibelius iu përgjigj: “E dashura ime, unë nuk jam parashikues, jam kompozitor”. Tre vjet më parë, në 2004, ministri për çështje evropiane i Britanisë së Madhe Denis Mekshejn, para gazetarëve nxori orën e tij dhe deklaroi: “Çdo shtet ka një zgjedhje shumë të thjeshtë: ta kurdisë orën e tij pas, ose para”.

Oli Ren tani është shërbyes bankar në Finlandë, kurse Denis Mekshejn në 2012 shkoi në burg për gjashtë muaj, pasi ishte zbuluar se kishte paraqitur fatura të rreme për shpenzime rrugore, e pastaj shkroi një libër për burgun. Shteti i tij nuk është më në BE.

Fëmijët në Maqedoni që janë lindur në vitet kur emisarë të ndryshëm evropianë u thoshin prindërve të tyre se një ditë do të jemi në BE tashmë janë tinejxherë dhe planifikojnë se si të ikin nga shteti. Shumë politikanë evropianë të asaj kohe janë pensionuar, e disa nuk janë më gjallë. Për Maqedoninë mbetën vetëm premtimet e njëjta. Dhe frazat e njëjta për vlera evropiane. Fjalë boshe.

2 Frustrimi i qytetarëve dhe qytetareve të shtetit tonë nuk vjen nga fakti se nuk janë pjesë e BE-së, por nga fakti se euroburokratët nuk pushojnë së na gënjyeri. Zhgënjimi nuk vjen nga fakti se nuk jemi pjesë e BE-së, por për faktin se me çdo pengesë të re nga BE-ja, ora jonë kthehet gjithnjë e më mbrapa.
Së pari na thoshin, ndryshoni emrin, se jeni shumë të rëndësishëm për sigurinë e rajonit. Ok. Ju pranuam dhe në NATO që të mos ju gllabëronte Rusia, por në BE s’kemi pse t’ju pranojmë. Vërtetë, ju premtuam, por Bullgaria është brenda, ndërsa ju jashtë.

A është vallë, vlerë evropiane t’i shkelësh vlerat evropiane sepse kështu e ke më të lehtë? Çfarë nëse ke vlera për të cilat betohesh, por nuk i respekton? E drejta e vetëpërcaktimit nuk është vetëm vlerë evropiane, por është vlerë e qytetërimit. Mirëpo, kjo e drejtë nuk vlen për BE-në kur është në pyetje Maqedonia. Ashtu sikurse nuk vlente as e drejta ndërkombëtare, kur Gjykata ndërkombëtare në Hagë gjykoi se Greqia po e shkel Marrëveshjen e përkohshme.

Në rastin me veton bullgare, doli se vlera më e madhe evropiane është të mos e mbash fjalën.

3 Dhe tani kryeministri Zoran Zaev, pas 16 vjetëve në statusin e kandidatit dhe 12 rekomandimeve për fillim të negocimeve, në një intervistë me Dojçe Velen tha: “Kur BE-ja të vendosë të caktojë datë për negociata, të na lajmërojë”. Mesiguri BE është “thellësisht e shqetësuar”. Sepse “parapaguesi ndodhet jashtë rrjetit”.
Shteti po futet në një periudhë si atëherë pas vetos së Greqisë për NATO-n në prill të vitit 2008. Kur Gruevski filloi të sillej si një nxënës tipik i pasjellshëm, i cili më parë kishte treguar interes për mësimet. Përse t’i bëj detyrat e shtëpisë kur mësuesja më urren? Sido që të jetë ajo do të më lërë të përsëris edhe një vit tjetër. Dhe e pamë se si përfundoi përsëritja.

Mund ta kuptoj rezignimin e Zaevit si njeri, por jo dhe si politikan dhe lider. Ama, nuk e kam të qartë se përse dëshiron t’ia lehtësojë punën Bashkimit Evropian kur thotë se nëse vendosin të fillojnë negociatat vetëm me Shqipërinë, ai i uron suksese dhe fat. Demek, vazhdoni ju me punën tuaj, ne do të presim që të na lajmëroni. Nga një lider do të prisnim që t’i vërtetojë BE-së se nëse vetëm Shqipëria përparon në rrugën e eurointegrimit, kjo gjë do të ishte edhe një destabilizim tjetër i sigurt i gjithë rajonit. Çfarë do të bëjnë shqiptarët tanë si minoriteti më i madh nëse vetëm Shqipëria hyn në BE, dhe Maqedonia jo?

Cili është qëllimi i Zaevit? Që t’ia lehtësojë Bashkimit Evropian që të tallet me ne deri në fund, apo që të na çojë në BE?

Tani Zaevi përqafohet me Edi Ramën, por kush e di se ç’Rame do të na vijë në Shqipëri dhe ç’Zaevi do të jetë kryeministër i Maqedonisë kur edhe Shqipëria të jetë anëtare e BE-së. Edhe me Bojko Borisovin, ashtu përqafohej. Tani për tani fqinjtë janë të mirë. Por kur të hynë në BE me siguri do t’u kujtohet edhe atyre të kërkojnë diçka. Na fal, vëllai, por ne jemi brenda, e ti je jashtë. A e di Zaevi se cila do të jetë vetoja e ardhshme nga Shqipëria? Greqia kërkonte emrin, Bullgaria kërkon gjuhën dhe identitetin, po Shqipërisë, çfarë do t’i mbetet të kërkojë?

4 Edhe qeveria edhe opozita e filluan fushatën e zgjedhjeve lokale parakohe në tetor. Tani çdo ditë do të dëgjojmë se si na flasin për vlerat evropiane. Do të na thonë se për ta është e rëndësishme cilësia e jetës se banorëve në komuna, kurse për ne janë më të rëndësishme kërkesat e investitorëve. Do të na flasin për të mirën e qytetarëve dhe qytetareve, e do të mendojnë se si t’u sigurojnë rrogë shteti anëtarëve të tyre të partisë. Do të premtojnë se do të jenë në shërbim të qytetarëve, e ndërkohë do të vazhdojnë të punësojnë lajkatarë dembelë dhe të paaftë. Do të premtojnë luftë kundër korrupsionit, kurse qasja te paratë publike do të mundësohet vetëm për të afërmit e tyre.

Mos premtoni vlera evropiane. Pasi, vlera e vetme evropiane që e praktikoni është të premtoni, e jo të zbatoni.

5 Kush ankohej se asesi të mbarojnë gjykimet për lëndët e PSP-së? Ja, përfundoi gjykimi për arrestimin e Ljube Boshkoskit. Dhe prapë njerëzve nuk u bëhet qejfi. Sasho Mijallkovi dhe “alfat” janë liruar sepse gjykatësja nuk e ka pasur të qartë se çfarë ka bërë secili që të mund të gjykohen për torturë.

Prokurorja speciale Katica Janeva do të qëndrojë shtatë vjet në burg, për ujdinë e saj me shoumenin Boki 13. Gjashtë gjykime të rasteve nga Prokuroria e saj speciale janë kthyer nga fillimi. Sitelli dhe Kanal 5 garonin se cili do të publikonte fotografinë më të shëmtuar nga arrestimi i Ljube Boshkoskit që t’i lëvdojë Mijallkovi. Ndërsa Qeveria e Zaevit premton Fond për media nga paratë e marihuanës që të mund të porosisë programe ashtu siç bënte Mijallkovi.

Çfarë humbje në luftën për drejtësi. Rrethi u mbyll. Ora e Mekshejnit u kthye pas.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира