1 Fëmijët humbën gjithë vitin shkollor për shkak të pandemisë. Nuk janë pothuajse 6.000 të vdekur vetëm nga kovid-19, por edhe mijëra njerëz pa kovid kanë vuajtur, e disa edhe kanë vdekur për shkak se nuk mundën të merrnin trajtimin mjekësor në kohë sepse spitalet ishin të zëna me pacientët e kovidit. Mirëpo e gjithë kjo nuk është as përafërsisht dramatiko-tragjike sa ç’është fakti i pamundësisë për të shkuar në kafe apo bastore.
Nëpër shtete të tjera qeveritë shpikin lotrari dhe gara shprëblyese që t’i motivojnë njerëzit të vaksinohen, u japin vauçerë dhe u ofrojnë para të vaksinuarve dhe atyre që vaksinojnë, e kushtëzojnë ndihmën shtetërore të firmave private në varësi të numrit të punëtorëve të vaksionuar…Kurse te ne, në përputhje me shprehitë dhe aftësinë e shtetit për të vënë ligjet në zbatim, më së miri funksionoi masa “pa vaksinë – s’ka kafe”. Pa vaksinë – s’ka qendër tregtare. Pa vaksinë – s’ka bastore. Këto janë tre gjërat më të tmerrshme që mund të të ndodhin në Maqedoni gjatë një kohë pandemie. Prandaj, njerëzit nxituan që të vaksinohen. Së pari të shpohen në “Bukuresht” e pastaj drejt në “City mall”, që të mos iu ikin lirimet e përfundimit të sezonit veror.
Tamam janë masat. Në fakt ato janë përshtatur me rrethin shoqëror dhe politikat e Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev tek të cilat prioritet kanë kafenetë dhe pronarët e kafeve.
Ligji i parë reformues në këtë Qeveri në vitin 2017 ishte për legalizimin e uzurpimit të trotuareve me tarraca najloni për duhanpirësit. Përse? Që të mund të mos zbatohet ligji për ndalimin e pirjes së duhanit. Sepse, pronarët e kafeve ankoheshin se me respektimin e ligjit iu bie fitimi.
Kryetari i Shkupit Petre Shilegov, në fillim të mandatit në fillim ndaloi të shkuarit me makina në Vodno, por shpejt e tërhoqi këtë ndalesë. Përse? Sepse u ankuan pronarët e kafeve se kjo gjë ua dëmton biznesin.
Kryetari i ndjerë i Ohrit Jovan Stojanoski lajmëroi se u kërkon më shumë pronarëve të kafeve të Ohrit për të shtruar tavolinat dhe karriget në trotuar dhe bulevar, meqënëse një qytet i UNESKO-s duhet të paguajë më shumë për përdorimin e hapësirave publike. Mirëpo pronarët e kafeve sërish u ankuan se kjo do t’u ndikojë përfitimin për keq dhe kështu, kryetari hoqi dorë. E jo vetëm që hoqi dorë, por dërgoi urgjentisht ekipe për vlerësimin e dëmit kur në vitin 2018 dallgët ua kishin përmbysur platformat paligjshme, kurse ata, për fat të keq, nuk kishin qenë të siguruar. E si mund të sigurohesh me ndërtim të paligjshëm?
Andaj dhe nuk çuditem që pas masave më të reja të kovidit, Oda e pavarur e hotelierëve iu kërcënua Zaevit dhe Qeverisë që “të mos e harrojnë e të mos e nënçmojnë fuqinë dhe madhësinë e hotelierëve dhe industrisë hotelierike” dhe se po afrohen zgjedhjet lokale.
Mirë ia bëjnë Qeverisë. Kur ajo i bëri ata faktorët më të rëndësishëm, tani le të merret LSDM-ja me kërcënimet se nuk do t’i votojnë.
2 “Unë jam vaksinuar, por…” Si – por? Çfarë do të thuash me “por”?
Si gjithmonë përsëri u shfaqën ata që, sikur të mos ishin të këtejëm, e nga lartësia mbi situatën në fjalë, na shesin mend: “Kjo ndarje mes të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve nuk është në rregull”.
E vërtetë. Nuk është në rregull që të ndahen njerëzit. Por nuk është në rregull as që të vdesin nga kovidi, kur tashmë ka vaksina të lira. E aq më pak në rregull është që të vdesin njerëz edhe nga jokovidi sepse përsëri nuk do të ketë vende në spital, e as orare për të kontrolluar të sëmurë të tjerë. Është në rregull që të kesh frikë nëse të zë ndonjë dhimbje dhëmbi? Apo të plas zora qorre apo të thyhet dora, e të mos ketë askush për të të shëruar sepse të gjithë mjekët do të jenë të zënë me pacientë të kovidit? A është në rregull që për dy vjet të mos mundesh të shkosh për kontroll dhe në fund të vdesësh nga kanceri i një faze të zhvilluar sepse ata që duhej të ta kishin zbuluar kanë qenë të zënë me pacientë të kovidit?
Në fund të fundit, a është në rregull që pas një viti e gjysëm të kaluar në pandemi dhe pas pothuajse 6.000 të vdekur vetëm nga kovid-19, të vazhdojmë së debatuari nëse është më mirë që të mbahen maska apo të vaksinohemi?
Është e thjeshtë të akuzohet “sistemi” se është i shkatërruar dhe se nuk bën. A thua se “sistemi” është diçka që nuk na përfshin ne. Por, është akoma më e lehtë që pas këtij sistemi të shkatërruar të fshihet papërgjegegjshmëria personale.
3 Në këtë sistem akoma nuk janë evidentuar as ata mbi 30.000 qytetarë dhe qytetare maqedonase, të cilat, kur shteti nuk kishte vaksina, vaksinoheshin në Serbi. Mirë, ok, ndoshta ata kanë pasur fat, e me siguri janë evidentuar në ndonjë farë sistemi. Por, çfarë të bëmë me ata 40.000 njerëz që nuk janë evidentuar me letra njoftimi, por shëtisin me fletushka nëpër banka. Sistem – fletushke.
Ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski thotë se “nuk mungojnë modelet për letrat e njoftimit, sistemi është i mirë, vetëm duhet të votohet Ligji për letrat e njoftimit”.
Po, pse nuk e votoni ligjin? Kush ka shumicë në Parlament? Dy deputetë të opozitës nga Levica që sollën 1.500 amandamente, apo LSDM dhe BDI? Dhe si është e mundur, deputetët nga shumica parlamentare të ikin në pushim dhe të mos mërziten që 40.000 persona kanë mbetur pa letër njoftim?
Me cilin ligj ka ndaluar së vlejturi ligji i vjetër dhe MPB pushoi së dhëni letra të njoftimit me modelin e vjetër? Çfarë do të ndodhte nëse edhe këta 40.000 persona do të kishin marrë letrat e njoftimit me emrin Republika e Maqedonisë në vend me emrin kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut, siç thonë afatet e Marrëveshjes së Prespës? Qeveria, mirë që na bëri të qartë se nuk merr vesh nga planifikimi, po ia nxjerr fundin me mentalitetin е robit, që me çdo lloj kushti t’ia rregullojë punën njëherë të huajve, ndërkohë që populli i vet mban fletushka në xhep për t’i vërtetuar bankës se janë fotografuar në MPB.
E çka nëse vonohemi me shkrimin e emrit kushtetues të shtetit në letrat e njoftimit? Micotakis do t’i lërë zjarret në Athinë dhe do të kërkojë të na përzënë nga NATO? Nuk do të vijnë refugjatët e lajmëruar nga Afganistani? Po le të presin pak edhe ata, të huajt. Si presim ne? Herë ka zgjedhje në Francë, herë në Bullgari, pastaj ndryshim metodologjie e samit në BE, konferencë e tetorit për Ballkanin Perëndimor, Samit i dhjetorit në BE….Letrat e njoftimit do t’i ndryshojmë kur do të ketë vullnet politik që të thirret Kuvendi. Nëse mund të presim kuvendin bullgar, pse të mos e presim edhe tonin.
4 Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski thotë se është e papranueshme që Maqedonia, e cila është e varfër, të pranojë më shumë refugjatë afganë se sa shtetet e pasura. Nuk po flasim për të varfër dhe të pasur. Po flasim për njerëz dhe jonjerëz. Nuk e di se pse Mickoski futet fare në këtë mesele, përveç nëse dëshiron ta mbajë kontinuitetin e politikës së tij – që të jetë vazhdimisht i antikundërt. Kështu, nëse Zaevi do të kishte thënë se nuk do të pranojmë refugjatë, ai me siguri do të kërkonte që të pranojmë.
Mickoski u bën thirrje të pasurve të marrin më shumë refugjatë se sa ne, vetëm një javë pasi po këta të pasur na i shuajtën zjarret e Maleshevisë. Hap temën e solidaritetit në varësi të pasurisë në Shkup, qytet i cili me krenari mban emrin “qytet i solidaritetit” pas ndihmës që vinte nga i gjithë shteti pas tërmetit të vitit 1963. U bën interesantin atyre të pasurve që për 30 vjet kanë derdhur biliona euro dhe dollarë që të na e pastrojnë shtetin, të na e rregullojnë shkollimin, gjyqësinë, të na ndërtojnë ujësjellës dhe kanalizime, të na blejnë automjete për ambulancë dhe furgona për zjarrfikës, të na i renovojnë kishat dhe xhamite dhe të na restaurojnë vendet arkeologjike. Me donacionet e të pasurve u edukuan edhe partitë politike për atë se çfarë është demokraci. Po sa para të të huajve janë investuar në trajnime të VMRO-DPMNE-së për t’u bërë parti moderne konzervative?
Mickoski hap temën për solidarizim në një shtet me kujtimin e refugjatëve fëmijë nga lufta civile në Greqi në 1948. Po refugjatët e revolucionit të mbytur në Hungari në 1956? Por ata të Bosnjës dhe Hercegovinës në 1992? Apo të Kosovës në 1999?
Në fund të ditës, Amerika e pasur i ka kërkuar Maqedonisë së varfër që ta ndihmojë, përkohësisht të strehojë refugjatë nga Afganistani të cilët kanë punuar për administratën amerikane dhe bashkëpunëtorë. Dhe për këtë do të paguajë. E çfarë i thotë Amerikës lideri i opozitës? Çojuani afganët tuaj të pasurve.
Epo Zaevi është njeri me fat. I ra të qeverisë me një lider opozite si Mickoski.
Përktheu: Fjolla Zllatku