BULLGARI BANALE

Ashtu siç ka nisur Zaevi të mbajë më shumë llogari për ndjenjat e bullgarëve, se sa për tonat, do të dalë se ata nuk kanë ardhur këtu për të na okupuar, por për të na çliruar nga të gjithë simpatizuesit e fashistëve.

1 Me të vërtetë po bëhet diçka banale e folura për Bullgarinë. Ashtu sikur edhe kryeministrit Zoran Zaev i është bërë banale të përgjigjurit e pyetjeve rreth spitaleve modulare, gjegjësisht, siç shpjeguan nga kabineti i tij, të përgjigjurit rreth çështjes se nëse do të ketë se kush ta trashëgojë në parti.
Nuk e di se përse Zaevi përsëri e hap temën bullgare me propozimin për heqjen e fjalës “bullgar” në shprehjen “okupator fashist bullgar” në mbishkrimet e përmendoreve të viktimave gjatë kohës së okupimit fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Arsyeja e vetme, ndoshta, mund të ishte që të dëshironte që me anë të këtij banalizimi të luftës sonë antifashiste, të tërheqë vëmendjen larg çështjes “banale” të përgjegjësisë politike në rastin e zjarrit tragjik në qendrën tetovare të kovidit.

Vallë, Zaevi me të vërtetë nuk bën dallim mes qeverisë fashiste bullgare dhe popullit bullgar kur insiston se jo të gjithë bullgarët kanë qenë fashistë? Nuk qenka e bukur që t’i japin karakter etnik fashizmit, sepse edhe te ne ka pasur bashkëpunëtor të okupatorit. Po. Por fashistët tanë kanë qenë individë, ndërsa fashistët bullgarë kanë qenë shtet i organizuar.

Kurrë nuk e kam menduar se të gjithë bullgarët janë fashistë. Dhe as nuk kanë ardhur të gjithë bullgarët ta okupojnë Maqedoninë në vitin 1941. Por ne nuk e gjykojmë etnicitetin. Gjykojmë shtetin e atëhershëm bullgar. Ai shtet ka pasur car, i cili dilte në foto me Hitlerin, kryeministër që ka qenë simpatizues i nacistëve dhe një qeveri, e cila ka qenë fashiste, një ushtri që ka okupuar Maqedoninë dhe një administratë që ka vendosur regjim fashist në këto vise. Ajo ushtri dhe ajo administratë janë ato që kanë bërë kërdi këtejmi, e kjo kërdi është kënduar në këngë, është shkruar në libra dhe është përjetësuar me përmendore.

E tani Zaevi me urdhër të qeverisë do t’i ndryshojë librat e historisë. Mos do të shkojë nëpër varre, që t’i fshijë dhe mbishkrimet, vallë? Mos është kjo puna e një kryeministri? Me kë flet ai tani, kur bullgarët nuk kanë qeveri politike, e madje edhe presidentin do ta zgjedhin në nëntor? Çfarë përfitimi ka Maqedonia nga këto deklarata të Zaevit? Mos ndoshta duhet që ne të gjejmë ndonjë arsyetim për faktin se bullgarët kanë ardhur dhe na kanë vrarë? Se ata nuk pajtohen dot me rolin që kanë pasur në Luftën e Dytë Botërore, e tani na duhet që t’i zgjidhim problemet e tyre patologjike, vetëm që të fillojmë negociatat me BE-në.

Nëse ekziston diçka që e bashkon këtë shoqëri, diçka me të cilën krenohemi dhe diçka me të cilën të gjithë jemi dakord, kjo është antifashizmi – fakti që në Luftën e Dytë Botërore, qëndruam në anën e duhur. E tani, pas të gjitha llojet e ndarjeve që kemi, le të ndahemi edhe në këtë aspekt – të fshihen, apo jo, përmendoret nga lufta nacionalçlirimtare.

Ashtu siç ka nisur Zaevi të mbajë më shumë llogari për ndjenjat e bullgarëve, se sa për tonat, do të dalë se ata nuk kanë ardhur këtu për të na okupuar, por për të na çliruar nga të gjithë simpatizuesit e fashistëve.

2 Presidenti bullgari Rumen Radev na tregon mbi kriteret evropiane të Kopenhagës dhe për të drejtat e 120.000 qytetarëve maqedonas që kanë marrë pasaporta bullgare dhe që janë qytetarë të BE-së. Mrekulli.
Sipas kritereve të Kopenhagës, vallë, u është marrë ryshfeti prej 500 deri në 1.000 euro qytetarëve maqedonas për një pasaportë bullgare? Sipas kritereve të Kopenhagës, vallë, akoma nuk ka nisur procesi gjyqësor kundër të punësuarve në Agjencinë shtetërore për bullgarët jashtë shtetit të cilët kanë marrë ryshfet që t’u sigurojnë pasaporta bullgare të huajve? Dy prej tyre tashmë u ndodhën në listën e zezë të SHBA. Sipas kritereve të Kopenhagës, vallë, një shtyllë elektrike në afërsi të Bllagoevgradit është regjistruar si adresë për banimin e njëmijë maqedonasve me pasaporta bullgare?

Sipas kritereve të Kopenhagës, vallë, Bullgaria e keqpërdor anëtarësinë e saj në BE që t’u japë pasaporta njerëzve që vetëm duan të jetojnë mirë, duke kërkuar punë në Suedi, Gjermani, Holandë…Sepse Bullgaria e bllokon të ardhmen tonë evropiane dhe qytetarëve maqedonas nuk u lejohet të studiojnë dhe të punojnë në Evropën perëndimore me pasaportat e tyre maqedonase. Përparimi i Maqedonisë drejt një jetese më të mirë e bllokon shtetin e tyre aktual bashkëkohor bullgar. Dhe kjo gjë dikur do të shkruhet në histori.

Bullgarëve nuk u intereson fare për maqedonasit me nënshtetësi të dyfishtë që kanë pasaportë bullgare. Me siguri ka më shumë maqedonas me pasaportë bullgare që jetojnë në Kopenhagen se sa në të gjithë Sofjen, e mos të flasim për të gjithë Bullgarinë.

3 Qytetarët janë në pozicion që të fitojnë shumë dhe t’i fshehin paratë që kanë fituar nga shteti. Eh, çfarë populli vjedhacak i ra qeverisë. Andaj i duhet të sjellë ligj, me anë të cilit, të gjithë atyre që nuk do të mund të vërtetojnë se nga u vijnë 30.000 euro në vit, do t’ua konfiskojë pronën. E gjithë kjo në kontekstin e fushatës “Ne jemi super, por qytetarët nuk i kemi aq të mirë”. Qytetarët japin ryshfet, qytetarët fshehin tatimet, qytetarët shkojnë me vonesë në spitale e si pasojë vdesin, qytetarët i fëlliqin rrugët, qytetarët parkojnë gabimisht, qytetarët ndërtojnë pa leje…
Shumë mirë, le të shohim se kush do të ketë guximin që të shkojë te ndonjë banor i Zajazit e t’i kërkojë origjinën e parave me të cilat ka ndërtuar të gjitha ato shtëpi të mëdha përgjatë rrugës që rrinë të mbyllura. Kush do t’ia marrë “bentlin” banorit të Haraçinës që bënte xhiro në sheshin e Shkupit rreth bredhit të Vitit të Ri, ndërkohë që, i shkreti varfanjak nuk ka pasur as llogari bankare?

Ata nuk arrijnë dot t’ua konfiskojnë pronën hajdutëve të gjykuar, e tani do të bëjnë moral, demek luftojnë kundër korrupsionit dhe krimit. Fuqiplotët lokalë të partive kontrollojnë qytete të tëra nga momenti i parë që vijnë në pushtet – nga kafet, deri te firmat dhe mediat. Mirëpo që të vërtetojnë se nuk ka drejtësi selektive, ndoshta dikujt qeveria me të vërtetë do t’ia konfiskojë pronën që të lëvdohet se ligji vlen njëlloj për të gjithë. Se qytetarët janë ata që janë të korruptuar, e jo funksionarët.

4 Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski sërish ishte te kryeministri i Hungarisë Viktor Orban.
Më herët, anëtarët e vjetër të VMRO-së para betejës shkonin në kishë. Tani shkojnë te Orbani. Kjo vizita në Budapest ngjan si një lloj doze boost-i para zgjedhjeve.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира