PA DHËNË GJË, MOS PRIT DIÇKA, MË THA GJYKATËSI DUKE BËRË SHENJËN E PARAVE ME GISHTA, SHPREHET NJË QYTETAR QË GJYKOHET NGA VITI 1982

PA DHËNË GJË, MOS PRIT DIÇKA, MË THA GJYKATËSI DUKE BËRË SHENJËN E PARAVE ME GISHTA, SHPREHET NJË QYTETAR QË GJYKOHET NGA VITI 1982Perceptimi i qytetarëve se gjykatësit blihen është shumë i përhapur, në një situatë ku as Këshilli gjyqësor nuk përjashton dhe dënon gjykatësit pas parashtresave, e as Prokuroria nuk ka zënë ndonjë gjykatës duke marrë ryshfet. (Foto: Peksels)

Hulumtimet e agjencive të huaja bënë të ditur se ekziston një besim jashtëzakonisht shumë i ulët (prej vetëm 2% nga qytetarët e anketuar) ndaj gjyqësisë, e ky nivel vështirë se do të ngrihet në të ardhmen e afërt, duke marrë parasysh se çfarë eksperienca negative lidhur me gjykatat tregojnë qytetarët, firmat dhe organizatat joqeveritare, të cilët u kontaktuan nga redaksia SAKAMDAKAZAM.MK në një hulumtim ekipor.

Shumica prej tyre, ndonëse shprehen se nuk u është kërkuar në mënyrë direkte të paguajnë një gjykatës, janë të pakënaqur nga drejtësia dhe dyshojnë se pala tjetër ka dhënë ryshfet dhe kështu ka fituar rastin, sidomos në rastet e çështjeve civile. Ky preceptim i qytetarëve, për fat të keq, është shumë i përhapur, e ndërkohë as Këshilli gjyqësor nuk dënon dhe përjashton gjykatës pas parashtresave të dorëzuara, e as prokuroria nuk ka zënë ndonjëherë ndonjë gjykatës duke marrë ryshfet.

Gjykatësit nuk janë dakord me perceptimin se të gjithë gjykatësit janë të korruptuar. Ata thonë se faqja iu fëlliqet vetëm nga një numër i vogël në mesin e tyre. Thonë se si në çdo shportë me mollë, që ka ndonjë me krimb, kështu ndodh edhe në gjyqësi. Mirëpo, sipas asaj që thonë qytetarët nga eksperiencat e tyre personale, krimbi duket se është një epidemi.

“E çfarë është kjo nëse jo një gjyqësi e korruptuar?”, me këtë pyetje bashkëfolësit fillojnë të tregojnë shembuj të ndryshëm të padrejtësive në gjykatat e shtetit.

“Unë vij nga Shkupi dhe sinqerisht kam frikë se mos ndodhem sërish në gjyq. Gjykata e proceseve civile ka sjellë vendim kundër meje në dobi të kundërshtarit, në një kohë kur unë nuk kam qenë i pranishëm në dy afate gjyqësore, sepse fare nuk më kishte ardhur ftesa e gjyqit. Katër herë me radhë kam shkuar në sportel për të pyetur se për kur është caktuar procesi. “Akoma ndodhet në Apelim”, ishte përgjigja e përhershme. E dija se diçka nuk shkonte. Unë nuk mora fare ftesë për procesin e përsëritur. Dhe nuk e di se pse këtë radhë nuk isha i ftuar, kur në procesin e parë, para se Gjykata e apelit ta kthejë lëndën në gjykim të sërishëm, kam marrë të gjitha ftesat e Gjykatës themelore me rregull. Ç’mund të jetë kjo nëse jo një blerje e gjykatësit pas shpinës sime?”, pyet një shkupjan i revoltuar.

Shumë prej bashkëbiseduesve dëshmuan mbi atë se si pas një aksidenti rrugor, në disa rrethana shumë të çuditshme, në spital vijnë avokatë të cilët prezantohen dhe ofrohen për t’i përfaqësuar. Gjatë procedurave, ata fillojnë dhe tallen me klientët. Një i lënduar në aksident, pohon se avokati që i është ofruar gjatë qëndrimit në spital, nuk e ka lajmëruar për vendimin që është sjellë duke e bërë që ta humbë mundësinë për kërkim të dëmshpërblimit në procedurë civile.

“Këta avokatë, nga të cilët ka realisht shumë, janë të lidhur me kompanitë siguruese. Ata marrin para nga kompanitë dhe bëjnë gjithçka që pala e dëmtuar të mos ngrejë padi. Kjo nuk mund të ndodhë pa ndihmën e gjykatësve”, thotë bashkëbiseduesi, i cili më pas ka angazhuar avokatët e tij dhe akoma kërkon drejtësinë.

Veç kësaj, bashkëbiseduesit flasin edhe për një skemë lidhëse shumë të gjatë mes policisë-avokatëve-ekspertëve-gjykatësve-kompanive siguruese, e cila në mënyrë masive zhvillohet në gjykatat civile dhe departamentet, që në fund kompanitë të paguajnë një dëm të madh fiktiv të automjeteve “të shëndetshme” dhe të padëmtuara.

Pas tekstit tonë se një numër i madh parashtresash nga qytetarë të pakënaqur nga puna e gjyqeve, që janë dorëzuar vjet në Këshillin gjyqësor, kanë qenë të drejtuara kundër gjykatësve nga Gjykata themelore Shkup, u paraqitën diksa qindra qytetarë nga i gjithë shteti, që ndanin eksperienca  të padrejtësive të shkaktuara në gjykimet civile në departamentin e Shkupit por edhe në departamentin qytetar të gjykatave të tjera themelore dhe të apelit.

Rrallë kush nga këta persona thanë se kanë ngritur parashtresë drejt Këshillit gjyqësor, sepse thonë, nuk kanë besim se ai do të ndërmarrë diçka në dobi të qytetarëve, apo të drejtësisë. Edhe vetë numri zyrtar i parashtresave të ngritura nga qytetarët kundër gjykatësve për vitin 2020 si dhe numri i parashtresave për të cilave Këshilli ka vendosur që kanë bazë, e vërteton këtë.

Kështu, nga 724 parashtresa të ngritura kundër gjykatësve në gjithë Maqedoninë, vetëm për 4 prej tyre Këshilli gjyqësor ka vendosur se janë me bazë, ndërsa për dy të tjera se janë gjysëm të bazuara. Më kot i kanë ngritur qytetarët. E njëjtë është mesatarja edhe e parashtresave të pranuara vite më parë. Mezi nga dy në vit janë vërtetuar si me bazë.

Numri më i madh i parashtresave kundër gjykatësve, 98, janë ngritur kundër gjykatësve të Gjykatës themelore Shkup, nga qytetarë, kompani si dhe nga institucione shtetërore. Institucionet shtetërore nga aty i kanë dërguar te Këshilli gjyqësor. Në vendin e dytë është Gjykata e apelit Shkup, me 94 parashtresa kundër gjykatësve. Pas këtyre dy rekordeve, vijon Gjykata themelore penale Shkup, ku është dhe Departamenti për krim të organizuar dhe korrupsion, me 57 parashtresa të ngritura për punën e vjetshme të gjykatësve.

Duhet theksuar se edhe këto tre gjyqe janë me numrin më të madh të lëndëve, por edhe me numrin më të madh të gjykatësve, bashkëpunëtorëve profesionalë dhe administratës. Këto të dhëna ndodhen në Raportin e fundit të Këshillit gjyqësor, për punën e tij gjatë vitit 2020.

Gjykata supreme nuk është gjykatë e madhe dhe me numër të madh lëndësh, por megjithatë vjet në Këshillin gjyqësor u adresuan madje deri në 44 parashtresa kundër gjykatësve supremë.

“Në një pjesë të parashtresave bëhet e ditur pakënaqësia e punës së gjykatës për shkak të zvarritjes së procedurës, të rasteve kur nuk respektohen afatet e parashikuara për ndërmarrjen e procedurave të sjelljes, publikimit dhe përgatitjes së veprave gjyqësore dhe të ngjashme. Gjithashtu, në një pjesë të parashtresave, parashtruesit konsiderojnë se gjykatat gjatë veprimit sipas lëndëve të caktuara nuk e kanë vënë në zbatim në mënyrë të drejtë ligjin, gjegjësisht kanë shkaktuar dëmtim të ligjit procesual dhe matrial, gjë me të cilën është treguar joprofesionalitet dhe pavetëdije në kryerjen e funksionit gjyqësor”, kështu shprehet Këshilli lidhur me një pjesë të arsyeve të qyetetarëve të pakënaqur, që kanë ngritur parashtresat.

Ç’më duhen mua 2.000 euro dëmshpërblim për zvarritje të procedurës, kur babi im vdiq vjet, për 9 vjet nuk mundi ta gjejë drejtësinë që i takonte dhe të merrte dëmshpërblim pas dëmtimeve të rënda gjatë punës në një kompani të madhe në Kratovë? Babi ishte vetëm një milingonë në krahasim me oligarkun nën të cilin qëndronin gjyqësia dhe qeveria. Refuzuan t’i japin dëmshpërblim me marrëveshje dhe kështu filloi procesi ynë gjyqësor që zgjati një dekadë. Kur në fund fituam dëmshpërblimin, nuk kishim nga ta marrim pagesën. Shteti këtij oligarku i ka lejuar ta mbyllë firmën-bijë ku punonte babi im dhe të hapë një të re. Më pas, morëm vesh se firma e tij ka mbyllur 25 firma-bija që kanë ekzistuar, e ndërkohë ka hapur dhe 30 të reja. E gjithë kjo vetëm që, pas 9 vjetësh gjykata të më thotë se babi im e ka fituar çështjen, por nuk ka të drejtë dëmshpërblimi nga pasuria e falimentimit, se pse nuk është paraqitur në afat prej 30 ditëve kur firma-bijë paditëse ka shkuar në falimentim”, shprehet i dëshpëruar qytetari nga Kratova.

Një numër i madh i qyetarëve të brendisë, mbi të gjitha reaguan pas thirrjes së SAKAMDAKAZAM.MK për korrupsion të gjyqësisë dhe për kurdisjen e lëndëve gjyqësore me gjykatësit, familjarë të afërm të të paditurve apo të paditësve në çështjet civile.

“Kujtoni se vetëm në gjykatat e Shkupit kurdisen lëndët jashtë AKMIS-it? Ejani pak në gjykatat më të vogla që të shikoni se ç’bëhet. Unë jam i gjykuar penal dhe tani më duhet të paguajë dëmshpërblim shumë të madh në një proces civil. Mirëpo, jam gjykuar nga një gjykatëse e cila personalisht e ka gjykuar për një vepër tjetër paraqitësin, por në proces verbalin e gjykimit shkroi se është i pagjykuar. Dоmеthënë, ia pastroi dosjen vetë gjykatësja që e gjykoi. Dorëzova paraqitje për dëshmi të rreme, por ajo përfundoi te prokurorja, e cila është kushërira e parë me mashtruesin – e gjykuar dhe e refuzoi paraqitjen kundër tij për dëshmi të rreme”, tha ky bashkëbisedues.

Vijonin ankesa për çështje të punës të cilat për arsye të pashpjegueshme zvarriten për mbi 6 vjet, për pronë, më së shpeshti banesa, të cilat u janë marrë brenda natës me vendime të dyshimta gjyqësore, për çështje denacionalizimi, në të cilat gjykata nuk shpjegon deri në fund se si duhet të veprojë ai që ka fituar, e kështu lëshohen të gjitha afatet ose bëhen hapa të gabuar. Kishte dhe një shembull se si një qytetar civil nuk ka pranuar dëshmi – dokument zyrtar nga një organ shtetëror dhe ka marrë vendim në dëm të të paditurit. Në lidhje me mosmarrjen e ftesave gjyqësore dhe marrjen e vendimeve në mungesë të palëve, janë ankuar shumë nga qytetarët që ndanë eksperiencat me gjykatat civile.

Në departamentin civil në një gjykatë në pjesën lindore të Maqedonisë akoma punon një gjykatës, i cili, siç bën të ditur një bashkëbisedues, me një gjest me gishtat e tij kërkon ryshfet. Sipas tij, gjesti që ka ekzekutuar gjykatësja me gishtat do të thotë: “Pa dhënë gjë, mos prit diçka.”

“Babi im gjykohet që prej viti 1982 për denacionalizim. Na ndanë një pjesë të vogël të asaj që na nacionalizoi Komuna para disa kohe, por edhe ato i humbëm. Rastin e zvarritën shumë gjykatës, humbëm shumë raste, na e zunë vendin dhe tani nuk na e lënë ta blejmë. Këtë po jua tregoj në pika të shkurtra, është një lëndë e gjatë një metër, që nuk arrin ta lexosh dot deri në fund. Si përfundim, gjykatësja tha: “E, duhet edhe diçka”, njëkohësisht duke lëvizur gishtat në shenjën e parave. Në fillim, ne nuk e kuptonim. “Pa dhënë gjë, mos prit diçka”, shtoi. Ne akoma jemi në gjykim. Kemi bërë dhe revizion të rastit, nëse doni ta shikoni”, na tha biri i paditësit.

Redaksia digjitale “SAKAMDAKAZAM.MK” i dokumentoi dhe arkivoi dëshmitë e të gjitha këtyre qytetarëve që i ndanë me të dyshimet për korrupsion të gjykatësve, nëpërmjet shembujve personalë në labirintet gjyqësore.

S. K. DELEVSKA

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира