1 Ja që qëlloi të bjerë shi me ditë të tëra, mu para zgjedhjeve lokale. Ti del nga shtëpia me përshtypje akoma të freskëta nga replikat dhe kundërreplikat e kandidatëve për kryetarë, i magjepsur nga filmat kreativë propagandues, i obsesionuar nga personazhet që shfaqen në çdo bilbord të çdo udhëkryqi dhe thua me vete: Çfarë është ajo që më mungon në këtë ditë të mërzitshme vjeshtore? Diçka që të ma zbukurojë jetën? Çfarë është gjëja e parë që të kujtohet sa herë që bie shi në Maqedoni, kurse ty të duhet të shkosh në punë, në shkollë, në koncert…Ç’të mungon më së shumti?
Mua më mungon spejs shatëlli që premtojnë partitë në zgjedhjet lokale. Që të mund të shkoj edhe unë te ai planet nga ku ata kanë evidentuar prioritetet mbi atë se çfarë u mungon më së shumti komunave ku kandidohen.
Sipas të gjitha atyre çudirave që thonë, ata sikur të mos jenë duke jetuar këtu, me ne. Kaq të pabesueshme janë premtimet që japin në tubime dhe reklama, sa që disa prej kandidatëve nuk mund as të aktrojnë mirë se besojnë me të vërtetë në atë çfarë e thonë.
Të paktën unë nuk mbaj mend zgjedhje ku të kem qenë kaq letargjik sa jam këtë radhë. Herë-herë përpiqem të qesh me dikë që ka vendosur ta shndërrojë veten në klloun nëpërmjet politikës, por nuk ia dal. Gjithçka që mbetet janë para, kohë dhe kapital njerëzor i harxhuar. Më kot inatosem me televizorin ndërsa vetëdijësohem sa shumë na janë harxhuar edhe elitat politike.
2 Nga kjo letargji zgjedhore, disi i pa vënë re kaloi lajmi se një kompani gjermane do të investojë gjysmë bilion euro për ndërtimin e turbinave të erës në Maqedoni. Ky është investimi më i madh i shtetit që nga pavarësia dhe investimi më i madh në energjetikë nga lëshimi i bllokut të parë të REK Bitola në vitin 1982.
Mirë ama, si mund të arrish ta kuptosh dimensionin madhështor e këtij investimi gjerman për të ardhmen energjetike të Maqedonisë, kraj mijërave proekteve partiake komunale që lëshohen nëpër tubimet zgjedhore para anëtarësisë besnike partiake? E ç’janë 500 milionë euro të investuara në turbina ere përballë erës dhe mjegullës së liderëve partiakë dhe kandidatëve për kryetarë komunash.
Marrëveshja për partneritet strategjik me qeverinë maqedonase është vendosur për 45 vjet. Oh, të paktën për 45 vitet e ardhshme Gjermania do të mërzitet për ne. E ne, deri atëherë, ndoshta me sebeb, do të mësojmë se si t’i rregullojmë shahtat e rrugëve.
3 Ka edhe një arsye tjetër të mirë se pse nuk arritëm ta perceptojmë dimensionin real të investimit gjerman në sektorin tonë energjetik. Një konkurrencë e fuqishme kundër këtij lajmi janë shpresat e rinovuara të kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrit të punëve të jashtme Bujar Osmani se deri në fund të tetorit do të vazhdojnë negocimet me Bullgarinë, e deri në fund të vitit do të fillojmë negocime me BE-në.
Optimizmi i tyre me shumë siguri bazohet në faktin se në zgjedhjet presidenciale të 14 nëntorit në Bullgari janë paraqitur vetëm 23 kandidatë. E shpresën se Bullgaria do të heqë veton Zaevi dhe Osmani e mbështesin me faktin se Bullgaria akoma nuk ka qeveri, e në 14 nëntor do të kenë zgjedhjet e treta parlamentare për 8 muajt e fundit.
4 Asnjëherë nuk kam mundur ta kuptoj fenomenin e mjekëve në politikë, por në këto zgjedhje e kam veçanërisht të vështirë ta kuptoj se si kaq shumë mjekë u bënë kandidatë për kryetarë konumash dhe bartës listash për këshilltarë. Sa herë në gjithë karrierën e tyre mund të kenë shansin të përballen me një sfidë profesionale siç është pandemia, dhe si vendosin që profesionalizmin e tyre në shpëtimin e jetëve ta shkëmbejnë me të qenit politikan? Gjysma e mjekëve shkuan jashtë shtetit, të tjerët në politikë. A thua se fakultetet e mjekësisë kanë hapur një specializim të ri – për shkenca politike. E kështu, erdhëm deri në atë derexhe ku mjekët debatojnë për pllaka bekatoni, ndërsa ata që renditin pllakat debatojnë për vaksina dhe mostra.
I dëgjojmë mjekët se si flasin për rrugët, për stacionet e pastrimit dhe mbledhjes së mbeturinave, e ndërkohë nuk i shohin spitalet dhe ambulancat ku punojnë vetë. Nga parkingu dhe shkallët para ndërtesës e deri te sallat e operacionit. Mjeku do të na tregojë se si do të menaxhohen mbeturinat në komunë, se si do të ndryshojë ashensorët në ndërtesat e banimit dhe do të mbushë gropat e asfaltit, ndërkohë që në vendin e tij të punës nuk i pengojnë gropat e karrigeve në sallat e ndotura të pritjes, ashensorët e prishur dhe ordinancat dhe sallat e operacionit që janë në shkatërrim e sipër. Në skenën partiake ata premtojnë transport efikas publik, e kur kthehen në punë përballen me Ndihmën e shpejtë e cila të shëtit nga spitali në spital, se nuk e di saktë se ku ka vend të lirë.
Ore, e pamë se këtyre mjekëve tanë nuk u bëhet vonë as nëse të afërmit përkujdesen për pacientët në departamentet infektive. E pse t’u bëhet atyre vonë, ku nuk i bëhet partisë?
Për më tepër, nëse kaq shumë e duan aktivizmin për kushte më të mira jetese dhe pune, le të aktivizohen në mjediset e tyre, e aty le t’i përmirësojnë kushtet, edhe për ta, edhe për pacientët. Si votues, si t’u besoj se do të rregullojnë gjithçka që nuk bën në qytet dhe në komunë, kur si pacient nuk shoh se e kanë të rëndësishme të rregullojnë atë që nuk bën në vetë spitalet e tyre? Nuk duhet vetëm partia t’u tregojë se çfarë duhet rregulluar.
Thjesht, është depresive të dish se nuk ka jetë apo karrierë nëse nuk je i lidhur me parti.
Përktheu: Fjolla Zllatku