JU NJOFTOJMË ME SËMUNDJET E RRALLA: DISKERATOZA KONGJENITALE

JU NJOFTOJMË ME SËMUNDJET E RRALLA: DISKERATOZA KONGJENITALE

Diskeratoza kongjenitale/Dyskeratosis congenita

ICD: D 61.8

Incidenca: 4/1.000.000 në vit

Diskeratoza kongjenitale (DK) është një formë e rrallë, e trashëguar, e insuficiencës të palcës së kockës, në fakt është pamundësi e palcës për të prodhuar qeliza të gjakut. Sëmundja prek edhe organet e tjera. Karakteristike veçanërisht janë ndryshimet në formën dhe pamjen e thonjve (thonjtë distrofikë), ndryshime në ngjyrën e lëkurës (hiperpigmentim) dhe lezionet e bardha në mukozën e gojës (leukoplakia orale). Pacientët me diskeratozë kongjenitale kanë një rrezik të lartë të zhvillimit të sëmundjeve të tjera, duke përfshirë fibrozën e mushkërive dhe të mëlçisë (zëvendësimi i indit normal me ind lidhës), tumoreve, sindromës mielodisplazike ose leuçemisë. Sëmundja zakonisht fillon në dekadën e parë të jetës. DK është një sëmundje e rrallë, me një frekuencë prej rreth 4 rastesh të reja në 1 milion njerëz në vit.

Simptomat:

Te pacientët me DK, simptomat dhe shenjat klinike zhvillohen me shpejtësi të ndryshme dhe në mosha të ndryshme, madje edhe në të njëjtën familje. Te sëmundja klasike, ndryshimet në lëkurë dhe thonjtë shfaqen herët edhe atë në dekadën e parë, ndërsa 80% e pacientëve zhvillojnë insuficiencë të palcës së kockës para moshës 30 vjeç.
Rreth 90% e pacientëve do të zhvillojnë insuficiencë të palcës kockore në një moment të jetës së tyre. Shenja e parë e insuficiencës së palcës kockore është një trombocitopeni, anemi, ose të dyja së bashku. Kjo pasohet nga pançitopenia (numri i zvogëluar i të gjitha qelizave të gjakut) dhe anemia aplastike (pamundësia për të prodhuar të gjitha qelizat e gjakut). Ndryshimet e lëkurës karakterizohen nga zona me pigmentim më të errët (hiperpigmentim) të cilat më shpesh prekin fytyrën, qafën, gjoksin dhe krahët. Shkalla e pigmentimit rritet me moshën dhe mund të përfshijë të gjithë sipërfaqen e lëkurës.

Distrofia e thonjve zakonisht fillon me një kreshtë gjatësore, plasaritje ose mund të kulmojë në humbjen e plotë të thonjve. Leukoplakia zakonisht shfaqet në gjuhë, por gjithashtu mund të shihet edhe në mukozat e tjera. Te disa pacientë mund të haset lotim i tepruar (epiforë), vështirësi në mësime e shoqëruar me vonesë në zhvillim, djersitje e tepërt e shuplakave dhe shputave, rënie dhe zbardhje e flokëve, prishje e dhëmbëve, ngushtim të ezofagut, etj. Komplikime veçanërisht të shprehura të DK janë fibroza pulmonare, fibroza e mëlçisë ose gjakderdhja gastrointestinale, të cilat janë situata kërcënuese për jetën. Diku 10% e pacientëve, zakonisht në dekadën e tretë apo të katërt të jetës, manifestojnë sëmundje malinje, më shpesh sindromë mielodisplazike, leuçemi akute, kancer të lëkurës ose kancer të traktit gastrointestinal.

Shkaqet:

DK shkaktohet nga një mutacion në njërin prej disa gjeneve të njohura (DKC-1, TERC, TERT, TINF-2 dhe disa gjene të tjera të përshkruara vetëm në raste individuale) që çojnë në ndryshime në gjatësinë e telomereve. Telomeret janë struktura të vendosura në skajet e kromozomeve që i mbrojnë ata nga ngjitja ose copëtimi. Shkurtimi i tepërt i kromozomeve çon në plakjen e përshpejtuar të qelizave, paqëndrueshmërinë e materialit gjenetik dhe vdekjen e qelizave. Kjo ndodh në të gjitha qelizat në trup, por më të prekurat janë ato qeliza me ndarje të shpejtë, duke përfshirë qelizat nga palca e kockave, lëkura dhe mukozat. Ekzistojnë forma të lidhura me kromozomin X (sindroma Zinsser-Cole-Engman), forma autosomale dominante dhe forma autosomale recesive e trashëgimisë, në varësi të gjenit të përfshirë. Te disa pacientë, sëmundja ndodh në mënyrë de novo, që do të thotë se sëmundja nuk trashëgohet nga prindërit. Te vetëm 70% e pacientëve me DK konstatohet një mutacion në një prej gjeneve të njohura, duke treguar se ka akoma gjene të pazbuluara të lidhura me DK.

Diagnoza:

Diagnostikimi i DK bëhet sipas një vlerësimi të plotë klinik, një historie të hollësishme të pacientit dhe njohjes së ndryshimeve karakteristike, veçanërisht të lëkurës dhe gojës. Te pacientët që zhvillojnë anemi aplastike ose fibrozë pulmonare si shenjën e parë të sëmundjes, diagnoza e saktë është shumë e vështirë. Nga testet laboratorike, eritrocitet shpesh janë të mëdha, dhe përmbajnë nivele më të larta të hemoglobinës fetale. Mostra fillestare e biopsisë së palcës së kockës  mund të tregojë numër normal ose të rritur të qelizave, por me kalimin e kohës ka një rënie të të gjitha qelizave të gjakut. Disa pacientë kanë çrregullime të imunitetit, përfshirë nivelet e ulura të imunoglobulinës dhe uljen e numrit të limfociteve B dhe / ose limfociteve T. Analiza citogjenetike tregon telomere shumë të shkurtëra në qelizat e gjakut te pacientët me insuficiencë të zhvilluar të palcës kockore. Analiza gjenetike molekulare për të zbuluar mutacionet në gjenet e prekura është thelbësore për të bërë një diagnozë të saktë të DK.

Trajtimi:

Androgjenet mund të përmirësojnë funksionin e palcës kockore te rreth 70% të pacientëve duke arritur një numër normal të qelizave të gjakut për një periudhë prej shumë vitesh. Me progredimin e sëmundjes, përgjigja ndaj terapisë me androgjene zvogëlohet. Terapia me citokina (molekula të vogla që sinjalizojnë midis qelizave) vetëm ose në kombinim me eritropoetinë (një hormon që stimulon prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut), mund të jetë e dobishme, por vetëm në një periudhë afatshkurtër. Transplantimi i palcës së kockave është opsioni i vetëm i suksesshëm te pacientët me anemi të rëndë aplastike, sindromë mielodisplazike ose leuçemi akute mieloide. Mbijetesa afatgjatë e pacientëve të transplantuar, madje edhe nga donor i përputhshëm,  është e ulët, që do të thotë vetëm 50% e pacientëve. Shkalla e lartë e vdekshmërisë është për shkak të ndërlikimeve që lidhen me transplantimin ose përparimin e sëmundjes themelore – fibroza pulmonare ose gjakderdhje gastrointestinale.
Megjithëse baza gjenetike e DK është zbuluar te shumica e pacientëve, implementimi i terapisë gjenetike është ende një ëndërr për shumë njerëz.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира