HAPE DERËN

Sikur të mos na mjaftonte që, për të na siguruar ardhmërinë evropiane, na duhet ta zgjidhim çështjen se kujt i takon car Samoili, e tani duhet të mërzitemi edhe për ardhmërinë evropiane të evropianëve, që të mos i ndajë Rusia.

1 Ardhmëria evropiane e Maqedonisë, por edhe e Shqipërisë është bllokuar për shkak të 3.504 personave. Ky është numri i qytetarëve të Maqedonisë të regjistruar si bullgarë. 1.519 persona kanë deklaruar se gjuha e tyre amëtare është bullgarishtja. Meqënëse presidenti bullgar Rumen Radev insiston që vetoja për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në të mos hiqet deri sa bullgarët të futen në Kushtetutën maqedonase, kjo do të thotë se stabiliteti i Ballkanit perëndimor, ndikimi i Rusisë, ulja e besimit ndaj BE-së, ndarjet brenda vetë BE-së dhe fati i më shumë se 4,5 milionë banorëve të Maqedonisë dhe Shqipërisë varen pikërisht nga nëse apo jo këta 3.504 persona do të futen në Kushtetutën maqedonase.
Le ta thonë përfundimisht se nuk është në interesin nacional të Bullgarisë që Maqedonia të hyjë në BE. E madje, edhe Ministria e punëve të jashtme në Sofje, duke komentuar numrat e regjistrimit, komunikoi se “është objekt i një analize serioze fakti se 7,2 përqind të qytetarëve të një shteti fqinj nuk janë numëruar aktivisht”. Ndërkohë Radevi thotë se bullgarët në Maqedoni kanë pasur frikë të regjistrohen, për shkak të 100 mijë pasaportave bullgare që u janë dhënë shtetasve maqedonas.

Maqedonasit që kanë marrë pasaportë bullgare nuk kanë frikë. Atyre u vjen turp. Se është dashur të thonë se janë bullgarë për të marrë pasaportë të BE-së. Kanë nxjerrë pasaportë të BE-së për jetë më të mirë. Ashtu sikurse bullgarët e Bullgarisë që nga viti i parë kur shteti i tyre u bë anëtare e BE-së shpejtuan për të kërkuar punë në Britaninë e Madhe, Gjermani, Zvicër, Itali…Për një jetë më të mirë. Që kur Bullgaria hyri në BE, numri i banorëve u ul për një milion. Maqedonasit do të regjistroheshin si çfarëdolloj gjëje nëse “ajo gjë” do të ishte çelsi për të hyrë në Evropë. Por ja që janë regjistruar si bullgarë, sepse sistemi bullgar për nxjerrjen e pasaportës së BE-së ka qenë më i lehti dhe më i korruptuari. Jepi para Karakaçovit e ai do të të gjejë ndonjë bandere në Qustendil, Bllagoevgrad ose Petriç që të ta vënë atë si adresë, e pastaj – mirëseerdhe në BE.

2 Ndërkohë, përfaqësues të ndryshëm të BE-së vijnë në Maqedoni për të na bindur se pavarësisht politikës joevropiane të Bullgarisë, ne nuk duhet të humbim besimin te BE-ja. Ministrja austriake për BE Karolina Edshtatler deklaroi se është e kuptueshme që te qytetarët e Maqedonisë të mbizotërojë zhgënjimi dhe dëshpërimi për shkak të bllokimit të eurointegrimeve me negociata dhe kërkesa të reja bilaterale. Tha: “Besoni edhe më tutje në BE, ne do të këmbëngulim për të mos u ndarë, sidomos në këtë situatë ku ushtria agresive ruse po sulmon Ukrainën”.

Hajdeee. Tani do të dalë se Rusia po shpërndan ndikimin e saj, ndërsa qytetarët e këtushëm po humbin besimin në BE. Ne të mendojmë për BE-në, e ata të na bërtasin, që ta zgjidhim çështjen bilaterale me Bullgarinë, e cila nuk na pranon si maqedonas.
Ministresha austriake ka qëllim të mirë. Edhe politika që drejton Austria ndaj Maqedonisë, edhe qëndrimi për zgjerimin e BE-së janë miqësore që nga pavarësimi në vitin 1991. Por, si mund të kesh besim në BE-në, kur ajo të ka gënjyer? Na tha – ndryshoni emrin dhe do të filloni me negocimin. Kur dikush të gënjen njëherë – turp të ketë. Kur dikush të gënjen së dyti – turp të ketë. Por kur të gënjen për herë të tretë – turp të kesh ti, që i beson.

E tani prapë përpiqen të na frikësojnë – besoni në BE se përndryshe, Rusia do t’ju ndajë. Sikur të mos na mjaftonte që, për të na siguruar ardhmërinë evropiane, na duhet ta zgjidhim çështjen se kujt i takon car Samoili, e tani duhet të mërzitemi edhe për ardhmërinë evropiane të evropianëve, që të mos i ndajë Rusia. Prisni. Tani jemi në shekullin 11. Mendimi ynë për Rusinë, Ukrainën dhe ndikimin rus mbi ndarjet në BE do ta tregojmë kur komisioni historik do të debatojë për shekullin 21. Nëse do të arrijmë atje. Se, me Bullgarët, vetëm për shek.20, kemi shumë për të debatuar.

3 Nuk i kuptoj ata që bërtasin: “Nuk i pranoj rezultatet e regjistrimit”. Si mundet që rezultati i një operacioni statistikor të varet nga ajo nëse e pranon dikush apo jo? Kanë ardhur, të kanë regjistruar, të kanë pyetur, të kanë shkruar – këtu mbaron e gjitha. Më saktë – kanë ardhur, nuk të kanë gjetur, apo ti nuk i ke pranuar, nuk u je përgjigjur pyetjeve të tyre, kanë shkruar se s’të kanë gjetur – dhe këto mbaron e gjitha. Të tillë janë regjistuar 132.260. Çfarë është këto e kontestueshme për t’u pranuar?

Ata që jetojnë jashtë shtetit janë thirrur që të regjistrohen online. Ata që nuk kanë dashur të nënshkruhen, nuk janë nënshkruar. Nuk e di se pse ne që jetojmë këtu, do të duhet të mërziteshim se si ndjehet dikush që jeton jashtë shtetit? Ne nuk i zgjidhim dot ndjenjat tona, e do të mërzitemi për ndjenjat e dikutj tjetër. Regjistrimi i popullsisë na duhet neve, në mënyrë që ky shtet të cilit po i paguajmë tatime, të ketë të dhëna në bazë të të cilave të mund të planifikojë sa çerdhe na nevojiten, çfarë lloj rrugësh na duhen, ku duhet të planifikohet ambulancë e ku jo, ku duhet të ketë shkollë, hidrocentrale, sa të mëdha duhet të jenë rezervat shtetërore…Regjistrimi nuk na duhet vetëm për të sjellë plane urbanistike, sepse ato bëhen edhe pa marrë parasysh se sa njerëz jetojnë në një zonë të caktuar. E për planifikimin e kushteve të jetës të tanëve jashtë shtetit, si të regjistruarve ashtu edhe të paregjistruarve, sido që të jetë, llogari mbajnë shtetet ku ata paguajnë tatime.

Në fund të fundit, shumë mirë që mbi 130.000 qytetarë që jetojnë në Maqedoni janë jashtë situatës ku disa parti u bien temave të vjetra të shekullit 19. Ata nuk e kanë me rëndësi nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, vlleh, romë, boshnjakë, serbë, kroatë, egjiptianë, bullgarë apo marsianë…këta 130.000 veta janë njerëz.

E ata që bërtisnin: “Nuk e hap derën”, e tani nuk na i pranojnë rezultatet e regjistrimit, herën tjetër le të qëndrojnë më afër derës.

4 Kaq normale është bërë që funksionarët që kenë privilegje, saqë edhe ministri i drejtësisë Nikolla Tupançevski mund të thotë pa iu dridhur syri se Komisioni për antikorrupsion merret me budallallëqe sepse e ka thirrur që të japë llogari se kush ia ka mbuluar harxhimet për të shkuar në Palermo. Kurse kryetari i Gjykatës themelore në Kavadarci Llazar Nanev i qortoi gazetarët se nuk dinë t’i gëzohen jetës, e janë kapur kot së koti për udhëtimin e tij sëbashku me ministrin e drejtësisë dhe prokuroren e lartë të shtetit Fatmie Fetai. Demek, ne jemi torollakë, nuk dimë të kënaqemi nëse dikush nuk na paguan. Motoja e gjykatëses është si në këngën serbe: “Uzmi sve sto ti zivot pruza, danas si cvet, sutra uvela ruza…”.
Më kot Qeveria ka sjellë Kodin për sjellje etike të funksionarëve, kur ministri i drejtësisë nuk kupton se ç’të keqe ka që ka pranuar të jetë mysafir i Fderatës të futbollit në ndeshjen në Palermo, e për më tepër në shoqërinë e kryetarit të gjykatës dhe të prokurores së lartë të shtetit. Mirë që s’kupton ministri, por nuk kuptojnë as kolegët e tij dhe funksionarët më të vegjël, e aq më pak qytetarët që nuk kanë funksion politik. Na bërtasin: “Duke pasur miliarda të vjedhura dhe aq procese gjyqësore të papërfunduara për korrupsion të lartë, ju kapeni për një ndeshje futbollli”.

Po. Ashtu është. Për një parkim të gabuar jeni zënë, po këta që vodhën të gjithë shtetin?! Për një rryshfet prej 50 eurove që ka pranuar një zyrtar shtetëror jeni zënë? Pse, pikërisht mua më gjetët për të më dënuar për mospirje të duhanit, ndërkohë që e gjithë administrata shtetërore tymos nëpër zyra? Pse, vetëm unë hedh mbeturina? A nuk e shihni se i gjithë qyteti është i zhytur në plehra?

Prandaj është normale kur ministri i drejtësisë në një shtet të tillë do të thotë se Komisioni për antikorrupsion merret me budallallëqe. Por nuk është normale kur Qeveria e Kovaçevskit, ku ka edhe zv.kryeministër për qeverisje të mirë, pret që të gjithë të besojmë kur na flasin fjalë të bukura për antikorrupsionin, etikën, kodin…Drejt BE-së.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира