NJERËZ DHE QEN

Ata që ti i paguan që të t’i mundësojnë kërkesat bazike të jetesës normale nuk e bëjnë atë. Nuk mund të besoj se janë thjesht të paaftë. Më shumë do të thosha se është paaftësi dhe papërgjegjshmëri e kombinuar me korrupsion.

1 Është krejtësisht i paarsyeshëm debati “A i doni njerëzit apo qentë”. Ashtu sikurse është e paarsyshme deklarata e kryetarit të Strugës Ramiz Merko, që kur në qytetin e tij dikush me pushkë kishte vrarë dhjetëra qen të rrugës. Nuk është pyetja – njerëz apo kafshë? Pyetja e vërtetë është – ligj apo anarki? Rregull apo paligjësi? Kryesministri Dimitar Kovaçevski tha se do t’i thotë ministrit të bujqësisë Ljupço Nikollovski që  të përgatisë ligj të ri për kafshët shtëpiake me kërkimet dhe rekomandimet e shoqatave për mbrojtje të kafshëve. Po teksti për ndryshimin e ligjit, mu sipas rekomandimeve të shoqatave, është gati që nga marsi i vitit të kaluar, por ende nuk ka ardhur në Parlament. E sikur të ishte vetëm te ligji problemi. Është te mosrespektimi i ligjit.

Ne ligje kemi. Të mira janë, janë votuar me flamurin e Evropës. Por, kush t’i zbatojë se! Nuk është puna vetëm për qentë. Është për gjithçka. A kemi ligj për ndalim të duhanpirjes në objekte të mbyllura. Kemi. A kemi ligj për ndalim të parkimit në bulevarde në korsinë e tretë, në zona këmbësorësh dhe në parqe? Kemi. A kemi ligj për ndalimin e uzurpimit të hapësirës publike? Kemi. A kemi ligj për mbrojtje të trashëgimisë kulturore? Kemi.

E çfarë dallimi bën nëse kemi? Nëse kemi ligj të ri për kafshë shtëpiake, kur edhe ky ekzistues nuk zbatohet, e kryeministri kërkon ndihmë nga Brukseli edhe për qentë e pastrehë. Dhe për këtë e ka lajmëruar ministrin e bujqësisë që të kërkojë para nga fondet IPARD për ndonjë projekt shtetëror, sepse kryetarët nuk kapen pas problemit të qenve të rrugës, edhe pse kjo është punë e tyre. E pushtetet lokale le të vetëshfuqizohen. Përse i zgjedhim, vallë, kryetarët dhe këshillet shoqërore? Vetëm që t’i punësojnë miqtë e tyre partiakë me paratë tona?

Dhe përse vetëm Brukseli alarmon? Edhe nga Uashingtoni të kërkohet ndihmë, nuk jemi kot partnerë strategjikë me SHBA-në. Nuk është gjithçka për kryesimin me OSBE-në dhe “Për njerëz bëhet fjalë”. Bëhet fjalë edhe për qentë. Sidomos kur kryetarët si problem kryesor që e zgjidhin përnjëherë kanë blerjen e veturës së re. Është më e rëndësishme ta ngrohin bythën me ngrohëse të ulëseve, sesa fakti që qentë ua hanë votuesit. Kryetari i Strugës ankohej se nuk i ngjan të vozitet me veturë të vjetër, por Strugës i ngjan kur qentë i ndjekin qytetarët, e si atraksion shtesë turistik ka dhe civilë të armatosur që shëtisin në mëngjes dhe shtijnë nëpër rrugë.

2 Kush e di se sa miliona denarë të komunës janë dhënë për dëmshpërblim të qytetarëve të kafshuar prej qenve. Sa për të dhënë një shembull, Komuna e Velesit në vitin 2020 ka paguar 44.000 euro dëmshpërblim për të kafshuarit nga qentë.

Kryetari i mëparshëm i Velesit Ace Koceski dyshonte për lidhjet korruptuese në Komunën e tij, kur vetëm për gjashtë muaj në vitin 2021 janë paguar 35.000 euro për dëmshprëmblin nga kafshimet e qenve, por nuk ka arritur ta gjejë zinxhirin. Në vend të sanimit të trotuareve, paratë kanë përfunduar si dëmshpërblim të qytetarëve të kafshuar të Velesit.

Shembulli është vetëm për Velesin. Po komunat e tjera? Po Qyteti i Shkupit? A mban dikush llogari se sa para harxhohen për dëmshpërblim nga kafshime, se si miratohen ato para, se kush merr para për ruajtjen e qenve, se kush jep vërtetime mjekësore për ata që janë kafshuar, se kush bën ekspretizën, se sa para janë mbledhur nga dënimet e pronarëve të papërgjegjshëm të kafshëve shtëpiake, dhe atë nëse dikush është dënuar, se ku kanë përfunduar ato para…

Brukseli le të na japë para për stacione, sepse paratë tona shkojnë për korrupsion. Paratë evropiane për strehim janë në dobi të qenve të Maqedonisë, kurse paratë e Maqedonisë për strehim janë në dobi të adhururesve partiakë.

3 Dhe sërish po them, sikur të ishte problemi vetëm me qentë.

Vendosa të bëj një eksperiment social. Do të ngre një najllon të improvizuar në mes të sheshit Maqedonia në Shkup. Në një pjesë të tij do të shes rroba. Në anën tjetër do të shërbej pije, e ndoshta do ta ndez dhe një skarë. Normalisht që duhani do të lejohet, sepse bëhet fjalë për një terracë të mbyllur nga të gjitha anët. Edhe veturën do ta parkoj mu pranë objektit komercial. E kam për shkarkim malli. Mund të vozis kur të më teket në zonën e këmbësorëve, pse t’i bie në qafë biznesit tim për shkak të disa këmbësorëve jokreativë? Edhe muzikë do të vë. Le të buçasë, le të dihet kush është kryesori. Të paktën aty nuk kam komshinj, nëse askush nuk ua mat decibelat në tarracat e najllonit në mes të vendbanimit me mijëra banorë, mesiguri as mua nuk do të ma masin në mes të Sheshit. Hec aty, shif punën tënde, mos ma prish biznesin.

Vetëm pushka më mungon që t’i rrah qentë që u shkojnë pas myshterinjve nëpër shesh, por unë jam një qytetar i ndërgjegjshëm dhe i respektoj ligjet. A nuk është te ne “Gjithçka sipas ligjit, shef”.

A mendoni se do të vijë dikush që të më heqë? Të më dënojë? Ndoshta, ndonjëherë. Por prit, njëherë duhet të bien dakord se nën cilën komunë bie – Qyteti i Shkupit apo Komuna Qendër. E kur do ta vërtetojnë kompetencën, do të duhet parë nëse kanë inspektorë, a janë në pushim mjekësor apo jo, a i ka zënë gripi, e nëse jo, me siguri i kanë bashkuar festat e fundvitit me pushimin dimëror. E pastaj, cilin inspeksion të ma dërgojnë? Ndoshta atë të tregtisë, ndoshta do të gjejnë inspektor për mjedisin jetësor, se mblidhen shumë mbeturina, e nuk dua të paguaj për një kontejner të veçantë, ose ndoshta për oxhakun e skarës, bën pak tym, por i vjen era e mirë, nuk do t’i numërojmë tani grimcat PM. Ndoshta do të vijë dhe inspeksioni se do të vë edhe disa karrige që objekti të duket all inclusive….Në këtë shtet nuk mund të bësh as edhe një biznes. Të mbysin inspeksionet.

Policave do t’u jap ndonjë kafe, lëng, të pijnë që të marrin veten, të ngrohen…Nuk ka paraqitje, nuk kanë ç’të interevenojnë, se ata intervenojnë vetëm me paraqitje. Pas një kohe të caktuar, ndoshta edhe do të vijë ndonjë inspeksion dhe do të të japë zgjidhjen që të largohesh vetë. Ndërsa ti thua, jo ore, ejani ju të më hiqni. E ata të thonë – tani nuk kemi tender për firmë që bën heqjet. E pastaj hapin tender, më pas presin afat ankese për tenderin. E pastaj tender të ri. E afat të ri. E me ty negociojnë: Ore ti, po punon në mënyrë joligjore, hajde largohu vetë këtë të premte.
Nëse jo, tjetrin. E pastaj, kur do t’i kaloj të gjitha afatet, ndoshta edhe do t‘i lus në Komunë – hajde le të kalojë sezoni i lirimeve, e do t’i mbyll të gjithë. Dhe ashtu, e çon biznesin deri në prill, maj. Ndoshta do të ketë edhe zgjedhje, dhe qeveri të re. Dhe ndërkohë që qeveria konsolidohet me politikë të re, unë bëhem kompani me traditë.

4 E kështu funksionon sistemi ynë në nivelin bazor. Domethënë, nuk flasim për politikë të lartë, për ndryshime të kushtetutës, për korrupsion të përmasave të mëdha, për gjykata apeli që ruajnë gjykimet në sirtarë, e pastaj për shpërblim bëhen gjykatës supremë. Jo. Flasim për punë bazike, për të drejtë të hapësirës publike, për të drejtë të rrugëve dhe trotuareve të qasshme, për të drejtë të parkingut të rregulluar, për të drejtë të frymëmarrjes. Kjo është përditshmëria jonë. Të nxihet jeta me punë që mund të funksionojnë në mënyrë të thjeshtë, por që nuk funksionojnë.
Ata që ti i paguan që të t’i mundësojnë kërkesat bazike të jetesës normale nuk e bëjnë atë. Nuk mund të besoj se janë thjesht të paaftë. Më shumë do të thosha se është paaftësi dhe papërgjegjshmëri e kombinuar me korrupsion. Që në fund të ditës prapë nga çon tek -paratë.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира