N.I. nga Shkupi kërkon ndihmë pranë MPB dhe autoriteteve të tjera kompetente për të gjetur personat që, pasi kanë vjedhur letërnjoftimin e djalit të saj të palëvizshëm me paralizë cerebrale, marrin kredi të shpejta në internet në emër të tij. Prindërit e këtij personi me aftësi të kufizuara për gati dy vjet kanë kthyer më shumë para se kreditë e shpejta të marra nga mashtrues të panjohur, që kanë keqpërdorur të dhënat personale të djalit të tyre me aftësi të kufizuara. Ata i shlyejnë ato menjëherë, sepse interesi dhe kostot e tjera janë të mëdha. Dhe i gjithë abuzimi është me lejen e shtetit.
Kreditë janë 40,000, plus 70,000 denarë, dhe prindërit i kanë kthyer ato nga kursimet për djalin e tyre të sëmurë, të cilat kanë qenë të planifikuara për pas vdekjes së tyre. Kredia e fundit e marrë nga mashtruesit në emër të tij është 36.500 denarë. Por prindërit thonë se tani me interesin mund të jetë rritur në 500,000 denarë. Paratë janë zhdukur dhe nuk kanë mundur t’i kthejnë.
Madje edhe tani, deri në publikimin e tekstit, mashtruesit mund të jenë duke marrë kredi të reja nga kompanitë financiare në emër të personit me aftësi të kufizuara. Ajo dy vjet më parë raportoi në MPB se djali i saj i sëmurë rëndë ishte viktimë e mashtrimit, por deri më sot nuk është gjetur autori, ose autorët që marrin kredi të shpejta në emër të tij. Nuk ndihmon as fakti që ka punuar si inspektore në MPB.
Prandaj, ajo iu drejtua Avokatit të Popullit, nga ku hapën urgjentisht një çështje dhe më 15 qershor i dërgoi një shkresë si Ministrisë së Punëve të Brendshme, ashtu edhe Ministrisë së Financave, nën kontrollin e së cilës duhet të jenë këto kompani financiare për të ashtuquajturat kredi të shpejta. Ato nuk janë nën autoritetin e Bankës Kombëtare.
Nëna tregon se si djali me aftësi të kufizuara të rënda, i cili tani është 38 vjeç, u fut në telashe të tilla. Dy vjet më parë, ai u takua me njerëz të panjohur në Facebook. I thanë t’i bënte një foto letërnjoftimit dhe llogarisë së transaksionit, në mënyrë që t’u bënte një nder, një teze nga Amerika të mund të dërgonte para në llogarinë e tij. Dhe kështu bëri.
“Ajo në fakt, ka qenë kredi. Kredia e parë. E çuam djalin tonë në shoqatë. Kur mashtruesi i kishte marrë paratë, e ka bërë këtë gjë në emër të djalit tim. Nuk ishin fonde të dërguara nga Amerika”, thotë ajo.
Kredia prej 40,000 denarësh e marrë nga mashtruesi u shlye menjëherë nga bashkëshorti i saj, në mënyrë që të mos rritej shumë nga interesat e lartë.
“Pas një muaji, përjetuam një shok! Jemi njoftuar nga edhe tre shoqëri financiare të tjera se duhet të shlyejmë kreditë në emër të djalit tonë. Gjëja e parë që bëra, shkova në të gjitha shoqëritë financiare për t’u thënë personalisht që të mos lëshojnë më kredi në emër të djalit tim, duke ua treguar letërnjoftimin dhe numrin amë! Unë personalisht iu luta në emër të L.I. të mos jepnin fonde”, thotë nëna.
Ajo është e stresuar, dhe u ankua se nuk mund të merrte dot frymë ndërsa tregonte për këtë rast. Ndërkohë djalit i ka humbur letërnjoftimi dhe prindërit i kanë nxjerrë letërnjoftim të ri. Ata shpresonin se kreditë do të përfundonin.
“Por më kot. Që kur emri i tij është futur në sistem, numri i tij i identifikimit vazhdon të shfaqet pranë këtyre shoqërive të kredisë së shpejtë. Shkoj, ia ndryshoj emrin dhe mbiemrin. Shoqëritë më shpjegojnë: ‘Vendosni çfarëdo emri që dëshironi, neve përsëri na del emri L.I. dhe numri i tij i identifikimit. Do të nxjerrim kredi. Deri në nëntor 2024, pra deri në datën e vlefshmërisë së letërnjoftimit ne do të vijojmë të lëshojmë kredi. Ne nuk kemi asnjë mundësi të shohim se ai letërnjoftim nuk është i vlefshëm, “tregon ajo se çfarë i kanë thanë shoqëritë financiare ku është lutur që të pushojnë së dhëni kredi mashtruesve në emër të djalit të saj.
Duke mos ditur se çfarë të bëjë, ka shkuar te një avokat. Ajo u dërgoi njoftim të gjitha shoqërive financiare të regjistruara në vendin tonë se nuk mund të lëshojnë kredi për atë letërnjoftim të pavlefshëm të djalit. Avokatja e ka nxjerrë publikimin në Gazetën Zyrtare për letërnjoftimin e humbur, dhe, edhe atë provë ua ka dërguar shoqërive financiare.
“Pas një jave, sërish lëshohet një kredi e re në emër të djalit, 36.500 denarë. Ne nuk e kthejmë dot. Kemi frikë të shkojmë me bashkëshortin për të kontrolluar se sa ka arritur borxhi tani, duke pasur parasysh normat e larta të interesit. Shpenzuam të gjitha kursimet për Ljupcon, kursime që i kishte për kohën kur do të mbeste vetëm, që të ketë kush të kujdeset për të”, apelon për ndihmë nëna.
Ndërsa priste në MPB informacione që të paktën janë në kërkim të mashtruesve, ajo zbuloi se si, në fakt, ato kredi të shpejta në emër të djalit të saj po “nxirren”.
Ajo jep një shembull tronditës të asaj se çfarë mund të lejojë ky shtet.
“Personi që keqpërdor letërnjoftimin, domethënë të dhënat personale të dikujt tjetër, paraqitet në telefon ose i shkruan email kompanisë financiare dhe thotë: “Më duhen kaq mijëra denarë”. ‘A keni llogari transaksioni?’. Jo. Depozitoni paratë në këtë dyqan të teknikës së bardhë”. Mashtruesi shkon në dyqanin e mallrave të bardha, blen mallra për një mijë euro. Shoqëria financiare i transferon paratë në dyqan, nuk ka asnjë kontakt fizik me përdoruesin. Në këtë shembull, kishte edhe një sharrë elektrike prej 42,000 denarësh midis porosive. Mallrat do të çoheshin në Prilep”, tregon ajo.
Ajo pyeti ish-kolegët në MPB, ku që në vitin 2021 e ka paraqitur rastin, pse kur dyqani ose shpërndarësi do të dërgojë sharrën, policia nuk e zbulon dhe arreston mashtruesin?
Dyqaneve u ka(në) thënë: “Nuk kam adresë të përhershme, do t’ju takoj në këndin e lojërave në këtë fshat”.
“Nuk mund të merrja frymë. Telefonova Agjencinë e të dhënave personale. Më thanë se ata kanë mbrojtur vetëm identitetet e njohura”, thotë N.I..
Në MPB ka ngritur tre padi penale. Por sipas gjetjeve të saj, policia ende nuk mund të gjejë mashtruesit, sepse në këto kredi të shpejta shteti ka lënë që të mos figurojë emri i përdoruesve finalë.
Avokati i Popullit i kërkon MPB dhe autoriteteve të tjera kompetente të mbrojnë menjëherë familjen nga vjedhjet e mëtejshme duke keqpërdorur të dhënat personale të djalit të tyre, të gjejnë autorët, por edhe të ushtrojnë kontroll në ato shoqëri të vogla financiare që japin kredi me email, pa praninë personale të kërkuesit. Me shkresën, Avokati i Popullit kërkon nga MPB, gjegjësisht nga Sektori për ekonomi dhe krim kibernetik, reagim nga dita e paraqitjes së kallëzimeve nga nëna.
Avokati i Popullit pyet nëse janë gjetur autorët dhe nëse dhe kur është njoftuar Prokuroria kompetente? Megjithëse afati i përgjigjes ishte 8 ditë, deri më sot nuk ka pasur asnjë përgjigje nga Ministria e Brendshme për korrespondencën nga Avokati i Popullit për këtë çështje.
“Si munden këto kompani financiare të miratojnë kredi vetëm me anë të email-it? Si mund t’i marrin përdoruesit paratë? A nuk kërkojnë ata një llogari transaksioni të përdoruesve? Apo ndoshta i japin me para në dorë, gjë që është krim?”, pyet Avokati i Popullit.
Në datën 15 qershor është dërguar edhe shkresa drejtuar Ministrisë së Financave, në të cilën kërkohet kontrolli i këtyre shoqërive financiare. Por edhe prej atje – përgjigje nuk ka.
S.K. DELEVSKA