NISH EKSPRES

As hatrin s’e prish, as punën s’e bën.

1 Hiti im i javës është se do të ndërtohet hekurudha me shpejtësi të lartë Shkup-Nish. Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe Ministri i Transportit, Bllagoja Boçvarski, shkuan në Beograd për të nënshkruar një memorandum me Serbinë për t’i kërkuar BE-së para për të ndërtuar një hekurudhë. U pi goxha sasi vere, u kënduan mori këngësh, synimi për të udhëtuar nga Shkupi në Nish me tren për dy orë në të ardhmen u shënua me dinjitet.

Dy ditë më parë, ura mbi lumin Cërna në hekurudhën për në Gjevgjeli u hap dhe ne mbetëm të shkëputur nga porti i Selanikut. Treni i vetëm për në Manastir nuk nisi sepse lokomotiva u prish. Korrespondenti ynë nga Velesi paraqitet çdo ditë me histori për aventurat e Hekurudhave të Maqedonisë. Tani ka filluar të kërkojë ekspertë që t’i pyes se kur do ta riparojnë urën. Madje, më duket se ne jemi më të shqetësuar se Qeveria e Maqedonisë se e gjithë ekonomia po pëson humbje për shkak se lidhja e saj me portin e Selanikut është ndërprerë. Fabrikat në Zonat teknologjike dhe zhvillimore për të cilat krenohet Qeveria, vallë si do t’i importojnë lëndët e para, si do t’i eksportojnë produktet e gatshme?

Le që nuk shkojnë trenat e pasagjerëva.  Le të mendojmë se është një forcë madhore që na ka penguar të arrijmë në Selanik, në Manastir, në Koçan, ose Kërçovë me tren për një kohë të gjatë. Po me transportin e mallrave si e kemi punën? Aksi Shkup-Selanik dhe Manastir-Selanik ka qenë një arterie kryesore e trafikut për shekuj me radhë. Treni i parë në Stacionin Hekurudhor të Shkupit arriti nga Selaniku në vitin 1873. Sulltan Mehmed V Reshad mbërriti me tren në Manastir në vitin 1911. Hekurudha gjithashtu përballoi rënien e Perandorisë Osmane dhe dy luftërave botërore dhe rënien e Jugosllavisë, por ajo u shemb tani gjatë sundimit të LSDM-së dhe BDI-së.

A mendoni se dikush kujdeset për hekurudhën për në Greqi në një situatë ku Qeveria është në platformë për trenin me shpejtësi të lartë për në BE? Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar tani, në një kohë kur 2030 është prapa derës. Mos flasim se Selaniku gjjithsesi është i yni. Veçse është i paqasshëm tani. Kush ta mendojë tani për urën hekurudhore të Cërnës, kur nuk është mirë t’i mbetet hatri Aleksandar Vuçiqit? Ndërsa LSDM-ja njihet për atë se hatrin s’e prish, dhe as punën se kryn.

2 Nëse dikush ende nuk e kupton se si korrupsioni kërcënon jetën tonë, literalisht, ja ku është shembulli i shitjes së tokës shtetërore për ndërtimin e një kompleksi spitalor 17-katësh te Spitali 8 Shtatori në Shkup, pothuajse në oborrin e Poliklinikës ‘Bukuresht’ në një vend që në të kaluarën është përdorur si heliodrom spitalor për emergjenca, shpëtim dhe kërkim.

Bllokimi i aksesit në infrastrukturën shëndetësore shtetërore me një ndërtesë private prej 400 apartamentesh dhe dyqanesh nuk do të thotë se zogjtë t’i kanë ngrënë mendt, por se je thellësisht i korruptuar dhe se je i interesuar vetëm për çastin, për të rrëmbyer sa më shumë që të jetë e mundur gjatë kohës që je në pushtet. Si u kujtuan që kjo tokë shtetërore midis një spitali dhe një poliklinike duhet të nxirrej në shitje? Ky rast është shembulli më i mirë i korrupsionit si i pushtetit qendror ashtu dhe ai lokal, nga kryetari i komunës, këshilli komunal, administrata komunale, qeveria me disa ministri deri te Qendra e Konservimit, dhe në vazhdimësinë e disa qeverive, nga VMRO, LSDM, BDI deri te satelitët e tyre.

Një shoqërim i vërtetë kriminal.

Nuk ndërtuam një Qendër të re Klinike. Klinka ekzistuese është ngulfatur dhe nuk ka qasje nga lakmia për të lëruar Vodno-n për të bërë ndërtesat rezidanciale monstra, dhe mbeti e njëjta rrugë ku pacientët vdesin ndërsa janë ende në ambulanca gjatë rrugës për në spital. Spitali i vjetër i Qytetit në qendër të Shkupit tashmë është ngulfatur për shkak të lakmisë së KOM me tokën që ka në pronësi të hyjë në biznesin e ndërtimit dhe për të shitur apartamente dhe dyqane. Priftërinjtë, si dhe ai që i dha lejen e ndërtimit tre njëzetvjeçarëve, mendojnë se Zoti do të na ndihmojë nëse duhet të na dërgojnë në emergjencë nga një aksident. Kush ta mendoj tani se sa makina dhe në cilat rrugë dhe në cilat ura do të dalin ata banorë.

Hapësira rreth “8 Shtatorit” mbeti deri diku e arritshme për  shpëtim pas fatkeqësive të mëdha dhe aksidenteve masive, dhe ja që tridhjetë vitet e fundit kemi pasur të tilla, si rrëzime të avionëve ashtu edhe aksidente të autobusëve, përmbytje dhe luftëra. Do ta humbasim edhe atë hapësirë. Pse? Për një banesë? Për dy banesa? Për një dyqan? Për të shpëtuar koalicionin? Pse? Të gjithë humbasim aksesin në spital. Pse? Pse duhej të përfitohet maksimalisht nga momenti kur je në pushtet?

Harro interesin e shteti të ruajë të paktën një copë tokë që do të jetë e saj, që Zoti mos e dhëntë nëse duhet të ngrejë çadra spitalore, ose nëse dëshiron të zgjerojë objektet e veta spitalore, të ndërtojë një krah tjetër spitalor. Megjithëse, një shtet anëtar i NATO-s duhet të marrë parasysh gjithashtu sigurinë e objekteve strategjike. Harro dhe faktin që godina e ish Spitalit Ushtarak mbrohet si monument arkitekturor. Le të jetë ky shqetësimi më i vogël, megjithëse një shtet normal do të merrte parasysh edhe trashëgiminë kulturore. Por si mund të mos kenë frikë për jetën e tyre?  Jam i bindur se atyre nuk u mungojnë paratë për t’u trajtuar jashtë vendit. Por çfarë të bëjmë kur nesër mund të pësojnë papritmas një atak në zemër, një atak në veshka, fshikëzën e tëmthit, të rrëzohen në shtëpi, të thyejnë ndonjë gjë në rrugë, të hanë tepër… Ku do t ‘i çojnë kur të ndjehen të sëmurë? A do të teleportohen jashtë vendit? A do të trajtohen me hologram?

Dhe ato banesa, me të cilat qetësojnë ndërgjegjen e tyre se janë për fëmijët e tyre. A janë të vetëdijshëm se për shkak të korrupsionit të tyre, fëmijët e tyre do të jetojnë gjithashtu në një qytet ku nuk do të jenë në gjendje të shpëtojnë prindërit e tyre kur duhet t’i dërgojnë në spital?

3 Por le trena, le spitalet… Zyra postare është në kaos me të madh se hekurudhat. Në kohët osmane, kur të dënuarit dërgoheshin në Anadoll, letrat mbërrinin në shtëpi. Në Maqedoni, me një skrining të suksesshëm të klasterëve të BE-së, as letrat nuk arrijnë për shkak të korrupsionit.

Dhe ambasadori i BE-së David Gere tha vetëm javën e kaluar tre herë se ndërtesa e djegur e Postës në qendër të Shkupit është një monument kulture i mbrojtur, i vendosur në listën evropiane të monumenteve të rrezikuara dhe na kërkon ta rinovojmë atë. Madje edhe UNESCO na është përgjëruar për kaq vite që ta shpëtojmë Ohrin me gjithë liqenin, por korrupsioni nuk na lejon.

Habitem me këmbënguljen e ambasadorit europian. Kush të mendon, në këtë Euro-moment historik, për një ndërtesë zyre postare kur autoritetet qendrore dhe lokale janë shumë të zëna. Ngarkojnë sikur nuk do të ketë të nesërme.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира