MIRËMBAJTJE E STIROPORIT

Në fakt, nuk duan të pranojnë se jemi - të izoluar.

1 Jeta në Maqedoni kalon në një rreth magjik të temave sezonale. Gjithmonë janë të njëjtat. Është nëntor, do të flasim për ndotjen. Do të fillojë sezoni i skijimit, do të flasim sa e shkatërruar është Kodra e Dielli. Në shkurt do të vijë raporti i UNESCO-s, pastaj do të diskutojmë sa e kemi shkatërruar Ohrin, pastaj do të vijë vera dhe do të kërkohet “më shumë shtretër” dhe do të ankohemi pse nuk ka “turizëm elitar” aty, ndërkohë, së pari do të digjen mbeturinat e grurit, pastaj deponitë e egra, pastaj pyjet, dhe ja, do të vijë përsëri nëntori, do të kthehet ndotja.

Çdo ditë, kur zgjohemi, është sikur po shohim për herë të parë çfarë po na ndodh. Dhe gjithmonë befasohemi nga e para për faktin se Shkupi, Tetova dhe Manastiri po mbyten, se Kodra e Diellit nuk funksionon, se Ohri po shkatërrohet, se digjen mbeturina dhe deponi të paligjshme.

Nuk ka asnjë lëvizje që mund të na largojë nga ky rreth magjik tashmë për më shumë se tridhjetë vjet. Këtë verë u dogj gjysma e shtetit. Sa zgjati kujtesa për këtë? A mori dikush ndonjë masë? Jo. Në mot do të befasohemi përsëri.

2 Edhe ministri i kulturës, Zoran Ljutkov, u befasua kur vizitoi Teatrin Popullor të Maqedonisë. Ai akuzoi qeverinë e mëparshme që nuk e ka mirëmbajtur objektin që ka kushtuar 40 milionë euro.
Ljutkov duket se ka harruar që partia e tij, VMRO-DPMNE, nuk vjen për herë të parë në pushtet. Teatri për të cilin ai “nuk thotë se nuk kishte mangësi në ndërtim”, ishte në gjendje katastrofale sapo e hapën, në vitin 2013. Që atëherë, në mes të hollit qëndrojnë kovat për mbledhjen e ujit që rrjedh nga terasa e katit të katërt. Përreth teatrit qëndrojnë thasët me rërë që të mos përmbyten bodrumet nëse bie shi. Pjesë nga shfaqjet u anuluan që aktorët të mos mbyteshin nga elektriciteti. Nuk është se nuk është mirëmbajtur substandardi prej 40 milionë eurove. Por, kjo ndërtesë ka një problem të pafund me mirëmbajtjen.
Qeveria e mëparshme, ajo e LDSM-së, nuk e paska mirëmbajtur stiroporin. Nuk mund të bëhej, dhe për këtë humbën në zgjedhje. Kështu, VMRO-DPMNE fitoi. Sigurisht tani kanë planifikuar fonde në buxhet për mirëmbajtjen e siroporit. Dhe shpresoj, nuk e kanë harruar edhe ndihmën për riparimin e ngjyrës së artë për kukullat.
Le t’i kujtoj Ljutkovit se partia e tij na e faturoi stiroporin si mermer dhe bojën si ar. Ashtu që, le ta rinovojë stirporin dhe bojën, e të shohë punën e vet.. Sa më shumë të ankohet, aq më shumë përditëson kujtesën se kush e ndihmoi ta ndërtojë e se ato ndërtesa që po rrënohen, përfshirë ndërtesën e Qeverisë nga e cila po bie sitropori, janë vepra të 11 vjetëve të qeverisjes së partisë së tij, VMRO-DPMNE.

3 Presidentja Gordana Sijanoska-Davkova dhe presidenti bullgar Rumen Radev u takuan në margjinat e Konferencës për Ndryshimet Klimatike në Baku, Azerbajxhan, dhe, siç njoftoi kabineti i saj, ranë dakord të organizojnë vizita zyrtare.

Nëse askush tjetër nuk e bën, të paktën Radevi do t’i bëjë një vizitë zyrtare, ose ndoshta ajo mund të shkojë tek ai, këtë herë duke e pritur me flamurin maqedonas dhe me ushtarët bullgarë.

Ka kaluar më shumë se gjysmë viti, dhe asnjë nuk ka vizituar presidenten, as ajo nuk ka shkuar askund. Nuk po flasim për takime të grupeve, mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara apo samite të ndryshme globale dhe rajonale. Po flasim për një vizitë zyrtare, me gardë, himne, dhe të gjitha ceremonitë shtetërore.

Edhe me kryeministrin Hristian Mickoski është e ngjashme. Përveç se ishte në Zagrebin e Andrej Plenkoviç dhe që Viktor Orbani erdhi në Ohër, askush tjetër nuk e ka vizituar dhe nuk e ka ftuar. As Ursula fon der Llajen, e cila shëtiti për një ditë në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Kaq. Nuk i llogarisim Samitin e NATO-s në Uashington dhe takimet e tjera nëpër Evropë ku shihen herë pas here nëpër korridore dhe bisedojnë gjatë darkave.

Flasim vazhdimisht për “takime produktive”, “frytdhënëse” dhe “me përmbajtje” që zhvillohen në margjinat e disa tubimeve masive, dhe se “ne nuk përkulim kurrizin” dhe “nuk puthim këpucët”. Në fakt, refuzojnë të pranojnë se jemi – të izoluar.

Më duket se as kryeministri grek Kiriakos Micotakis nuk e ka marrë seriozisht këtë gjë, i cili në Samitin e NATO-s në Uashington tha: “Greqia nuk do të zbulojë armët me të cilat disponon për t’u përgjigjur ndaj taktikës së udhëheqësisë së shtetit fqinj”. Dhe shtoi: “Njësoj, ata do të kuptojnë se kjo taktikë është plotësisht kontraproduktive”.

Ata kanë jetuar mirë, si presidentja ashtu edhe kryeministri, në filmin e tyre për Marrëveshjen e Prespës kur ishin opozitë. Por, kur erdhën në pushtet, nuk e përshtatën filmin me realitetin.

4 Seanca e Komisionit për mbikëqyrjen e punës së Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, ku duhej të diskutohej nëse Bojan Hristovski është emëruar në mënyrë ligjore si drejtor, nuk u mbajt.

Kryetari i Komisionit, Skender Rexhepi, nuk e cakoi seancën, pasi as ai, as zëvendësi i tij, Blerim Bexheti, të dy nga partia BDI, nuk kanë certifikatën e sigurisë për të kryer mbikëqyrje mbi ASK dhe Agjencinë për Inteligjencë.

Mund të imagjinoni se çfarë skandali do të kishte shkaktuar ky rast nëse VMRO-DPMNE do të ishte në opozitë?

Për disa javë më parë në Kuvend u promovua një “dhomë e shurdhër”, e cila ka mbrojtje speciale nga përgjimi dhe shpërndarja e informacionit jashtë, në të cilën do të shqyrtohen çështje shumë të ndjeshme për sigurinë e shtetit, ku hyrja është e mundur vetëm me certifikatë sigurie të nivelit më të lartë.

Megjithatë, pasi as presidenti dhe as zëvendësi i Komisionit nuk kanë certifikatat e sigurisë, nuk do të ketë seanca në të. Shpenzimet janë të kota. Dhoma e shurdhër do të mbetet e shurdhër.

5 Tetëdhjetëvjetori i çlirimit të Shkupit u shënua me “bashka Tito, bashka Jovanaka”. Kryeministri Mickoski bëri një festë, ndërsa kryetarja e komunës Danela Arsovska tjetër.

Mickoski kërkoi falje për gabimin që bëri me zgjedhjen e Arsovskës si kandidate të partisë së tij për kryetare të qytetit të kryeqytetit. Mund të jetë edhe për këtë arsye që e zgjodhën sloganin “Shkupi po zgjohet”. D.m.th.,  prisni edhe një vit, pastaj do të jetë shumë mirë.

Që tani mund të parashikojmë se nëse fiton kandidati i tyre, ose kandidatja, një pjesë e madhe e mandatit do të kalojë në pendim – sa ka lënë shkatërrim Danela. A thua se ne nuk e shohim dhe nuk jetojmë në atë shkatërrim.

Shkupi po zgjohet!? Jo, jo. Shkupi është në një koma të thellë. Në një makth trevjeçar që e krijoi VMRO-DPMNE me kandidatin e tyre Danela Arsovska.E ne qenkemi fajtorë se nuk po e harrojmë këtë gjë. 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира