24 DHJETORI NË MARS

Ne nuk kemi Parlament. Kemi veç një ndërtesë më shumë që komandohet nga VMRO-DPMNE-ja.

1Doni të thoni që kjo që po ndodh në Parlament është demokraci dhe parlamentarizëm? Demek, na qenka një debat i qytetëruar? Që duhet të jemi të lumtur që VMRO-vcat të paktën nuk i rrahin kundërshtarët politikë në rrugë, por debatojnë në Parlament?  Me demek, të pakën debatin e kanë pranuar. Qoftë ai debat edhe me veten e tyre.

Po si jo. Kjo që po na ndodh është vazhdim i 24 dhjetorit, 2012. Kjo është sjellje e dhunshme e tipit: “Më zbrit nga pushteti, në mundsh!” Me shqelmat dhe grushtet e njëjtë, siç ishte e hëna e zezë nën komandën e Trajko Veljanoskit.

2Çuditem me mendjen e deputetit të ri, Pavle Bogoevski, i cili konstaton: “Vini re se si Trajko Veljanoski ndërhyn në fjalime dhe do ta keni të qartë se përse kultura debatuese e VMRO-DPMNE-së është inekzistente.”

Mër Pavle, për çfarë kulturë debatuese flasim? Po, a nuk është kjo ajo parti, e cila me shqelma i përzuri kolegët e tu deputetë, para katër vjetësh? Spikeri i njëjtë dha komandën për kulturën e tillë debatuese. Ndërsa edhe shumica e deputetëve të tanishëm të VMRO-DPMNE-së e mbështetën atë lloj debati. Ti vetë, or Pavle, je viktimë e kulturës debatuese të VMRO-DPMNE-së. Henes do të të çojnë nëpër gjyqe për shkak të kulturës së tyre.

Në fakt, të gjithë që nuk janë VMRO-vca janë viktimë e kulturës së dhunshme që VMRO-DPMNE-ja në atë mënyrë të paturpë, e demonstron tashmë 10 vjet. Kurse ne çuditemi se si mund ta bënin një gjë të tillë. Ja pra, që munden. E pastaj flasim për turp e moral. Të kishin ata turp dhe moral, a thua do të kishte zgjedhje të parakohshme? Të kishin turp dhe moral ata, a  thua deri tani do të kishte parlament dhe qeveri të re?

Thonë- kjo paska qenë çmenduri. Absurditet.

Nuk është e vërtetë. Kjo është një sjellje  gjakftohtë, racionale dhe e llogaritur mirë nga udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së. As situata nuk është kaotike. Situata është mu ashtu siç dëshiron ta ketë Nikolla Gruevski. Sepse nuk do ta japë qeverinë. Sepse nuk do të shkojë në burg. Dhe askush nuk mund t’ia marrë pushtetin. E deri sa nuk apelojnë të gjithë që ai t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve dhe qetësisht ta dorëzojë qeverinë, do ta mbajë atë me force. E tha haptazi se do t’i shkojë deri në fund.

E po, çudituni ju.

3Udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së e mbron interesin e vet. Dhe me anë të kësaj, e mbron interesin e 450.000 votuesve të vet. Nga ana tjetër, çfarë bën shumica prej 67 deputetëve të LSDM-së për t’i mbrojtur interesat e pothuajse 700.000 votuesve që i përfaqëson? Për VMRO-DPMNE-në thonë: “Si nuk keni turp!?” Ore, dy vjet kaluan duke na bërë të ditur se nuk kanë turp. Pse të kenë turp tani?

Edhe pas rezultatit të tillë të zgjedhjeve dhe pas asaj armature të bombave, LSDM prapë sillet si viktimë. Në vend që ata vetë të imponohen me ndonjë temë. LSDM reagon ndaj temave të imponuara nga VMRO-DPMNE. Në muajin e katërt pas zgjedhjeve akoma debatohet për temat që VMRO-DPMNE i shpiku e i imponoi. Filloi me federalizimin, pastaj me dygjuhësinë e me Platformën tiranase, kurse tani me zgjedhjet e reja.

LSDM harron që ka vetëm një temë të rëndësishme – bisedat për krime që i dëgjuam në bombat. Pse kanë turp që t’i dëgjojmë nga foltorja duke thënë përsëri “po sikur të bënim luftë”, “e kam blerë për hiç gjë”, “mos është shumë 5 përqind”, “alo naçallnik”, “Mile, mu kujtua”, “do të ketë britma e piskama”, “njerëz të vegjël”(“çoveçinja”), “nervozohem me këta shqiptarë (“shiptarishtava”) “, “të mos e zgjasim-ta shembim me dinamit”, “ta shoh defterin për gjykatësit”, “këta indianët në Parlament”…

Të kujtojmë se pse kemi ardhur në këtë derexhe. Dhe çdo ditë të rikujtojmë se pse Gruevski dhe njerëzit e tij frikësohen nga braktisja e pushtetit.

Përveç optimizmit të Zaevit që do të fillojë një jetë e re, shenjë tjetër të kësaj jete nuk kemi parë.

4Siç ka nisur kjo punë, nesër Zaevi edhe një kafe po të porosisë në bifenë e parlamentit, kamerieri do t’i kërkojë nënshkrime nga 67 deputetë. Ndërsa Zaevi ende do të debatojë me të. “E do të thërrasë: “Durim-po vjen jetë e re”.

Përderisa LSDM habitet për imoralitetin, VMRO-DPMNE për katër muaj të plotë që kur e humbi shumicën në Parlament, akoma qeveris me shtetin. Edhe atë si! Jo vetëm ai sillet si kryeministër. Por edhe ambasadori i Maqedonisë në Turqi është munduar të fluturojë deri nga Ankaraja në Stamboll për t’ia çuar valixhet liderit të VMRO-DPMNE-së gjatë rrugës për në Maltë.

5Kur i pashë titujt në mediat patriotike: “Kështu duhet dashur Maqedoninë – edhe Ceca u mbështoll me flamurin e Maqedonisë”, kuptova që ky tashmë nuk është rrënim as politik, as ekonomik e as kulturor i shtetit. Ky është rrënim moral në të gjitha kuptimet.
Ja se në çfarë tollovie u shndërrua Maqedonia. Presidenti – jurist që e thyen ligjin dhe nuk  respekton Kushtetutën. Liderët e revolucionit të zi, në të cilin marshoinë drejtorët dhe administrata e VMRO-DPMNE-së, vishen si ikonat e së majtës -Çe Guevara dhe Fidel Kastro, ndërsa mbrojnë një të djathtë kriminele. Kurse patriotët maqedonas, të cilëve u pengojnë komshinjtë, si ata maqedonas edhe shqiptarë, që nuk mendojnë njëlloj si ta, shpallin hero një serbe nacionaliste e cila për para është mbuluar me flamurin maqedonas.

Këtu tashmë nuk na ndihmon as humori, as satira, as sensi për humor, e besa, as diazepami.

Eventualisht, mund të na ndihmonte vetëm fjalimi i një gruaje nga Ohri nga mbledhjet patriotike, e cila është shpërngulur në Gjermani që nga viti 1971 dhe si amanet porosit: “Mbrojeni Maqedoninë nga ky popull!” Ajo, e cila në varrin e të shoqit në Gjermani, çon gurë nga plazhet e Ohrit. Thotë se do të kthehej këtu, por nuk mundet se edhe varrin e vet e ka blerë në Gjermani.”

Siç do të këndonte diva kombëtare Ceca: “Maqedoni moj, tragjedi e pathënë”.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира