Fëmijë fantomë jetojnë në barakat e braktisura të Gjyqit themelor Shkupi 2 në Butel. Katërvjeçari Memet dhe njëvjeçarja Ymyt janë të padukshëm pasi nëna e tyre, Firdes Iseinovska, 29 vjeçare, thotë se nuk ka pasur para dhe as mundësi për t’i paraqitur. I ka lindur të dy fëmijët në një barakë, të cilën muajin e kaluar një investitor privat e shkatërroi që në vendin e saj të ndërtojë një ndërtesë. Mes rrënojave asaj i kanë mbetur edhe ato pak dokumente që i ka pasur, e tani që t’i paraqesë fëmijët thotë që do të duhet fillimisht të nxjerrë dokumente për vete dhe për të shoqin dhe për këtë gjë nuk ka para.
Në hapësirën e vetme që kanë në barakën e gjyqit nr.13, u rrjedh kulmi, prandaj kanë kujdes se në cilën anë i lënë fëmijët, që në rast se bie shi, mos të rrjedhë uji mbi ta (Foto: SDK.MK)
“As unë e as im shoq nuk punojmë. Jetojmë në këto baraka tashmë katër vjet. Gjendemi për t’u ushqyer nga sot për nesër. Nuk mund të kërkoj as ndihmë sociale për fëmijët, sepse nuk kam dokumente.”, ankohet Iseinovska.
Dokumenti i vetëm që ka njëvjeçarja Ymyt është një letër nga mjeku, ku nëna e saj e dërgoi disa ditë pas lindjes së saj në barakë. I ka mbetur edhe një kopje e ndrydhur dhe e shqyer nga çertifikata e saj e lindjes. Çdo gjë tjetër duhet të nxirret nga fillimi.
E takuam kur ishte duke përgatitur mëngjesin për fëmijët. E gjithë baraka mbante erë vaji të djegur. Po u bënte petulla.
“Nuk kam gjë tjetër për t’iu dhënë. Nëse ia dalim të gjejmë miell, bëj petulla, që t’i mbajnë ngopur”, na tha Iseinovska.
Në hapësirën e vetme që e kanë në barakën e braktisur të gjyqit, nr 13, kulmi rrjedh, kështu ata kanë kujdes se ku do t’i lënë fëmijët që të mos derdhet shiu mbi ta. Betonin në dysheme e kanë mbuluar me qilim, por Iseinovska thotë që i ftohti ndjehet edhe përtej qilimit, ndërsa era e lagështisë nuk zhduket, madje edhe atëherë kur disa ditë me radhë bie shi.
Iseinovska nuk e di se ekziston një afat deri kur duhet të paraqiten fëmijët pas lindjes. Nuk di as që mosrespektimi i këtij afati, do të thotë dënim për të.
“Unë nuk kam para të mbijetoj. Nga skamja as fëmijët nuk i paraqita. Edhe për atë gjë duhen para, që ne nuk i kemi. Kërkova nga Ministria për punë sociale një lloj ndihme financiare, qoftë edhe një të vetme, askush nuk do të më dëgjojë, le më të më ndihmojë”, thotë Iseinovska e përlotur.
Shqetësimin e saj e ndjeu edhe e vogla Ymyt e cila filloi të qajë. Më në fund u qetësua kur ata mbetën të vetmit në dhomë. Kjo ndodh rrallëherë pasi dhoma e tyre përdoret si hyrje e barakës, të cilën e ndajnë edhe me disa të tjerë.
Në barakat e braktisura gjyqësore ka rreth tridhjetë njerëz, shumica të sëmurë, prindër të vetëm, disa gra shtatzëna, ndërsa ka edhe një fëmijë nga jetimorja i cili, duke mos pasur ku të jetojë pas largimit nga jetimorja për fëmijë pa prindër, ka gjetur strehim në një nga dhomat e barakës. Shumica jetojnë pa rrymë elektrike pasi instalime ka vetëm në disa hapësira. Ujë ka vetëm në ato hapësira të mbetura nga tualetet e dikurshme të gjyqit. Përkrah këtyre kushteve, njerëzit e vendosur këtu luten që të mos vijnë еekskavatorë dhe t’ua shkatërrojnë barakat, pasi në vend të tyre është parashikuar ndërtimi i disa ndërtesave. Sipas planit, ndërtesat duhet të jenë sociale, por kjo gjë nuk përfaqëson ndonjë ngushëllim. Asnjëri prej tyre nuk është optimist se mund të fitojë banesë.
Nga Ministria për punë dhe politikë sociale nuk kemi marrë përgjigje për pyetjet se a e dinë shërbimet e tyre që në barakat e shkatërruara jetojnë njerëz e fëmijë pa dokumente, aq më pak thanë se pse deri tani nuk kanë gjetur mënyrë për t’iu ndihmuar.
Mbi problemin e fëmijëve fantomë në barakat e vjetra të gjyqit nuk ka përgjigje as për pyetjet që i dërguam drejt Ministrisë së punëve të brendshme. Banorët e barakave thonë që policia shpesh herë vjen për t’i qetësuar zënkat mes tyre, të cilat janë shpeshtuar pak shkatërrimit të barakave për të ndërtuar ndërtesën e re, pasi tani të gjithë janë vendosur në tre baraka, por fakti se janë vendosur në mënyrë të paligjshme, policisë nuk i përfaqëson asnjë lloj problemi.
Avokati i popullit ka lajmëruar se do të hapë rast për të gjithë njerëzit që jetojnë në këto baraka.