1 Vallë, aq pasoja iu kanë lënë goditjet në kokë këtyre ministrave të rinj të LSDM, që në krye me Zaevin, me gjithë mend shkuan për t’u fotografuar me Gjorge Ivanovin? Vetëm ministri i ri i shëndetësisë, Arben Taravari, si neurolog e di se një hap i tillë është pasojë traume.
Shkuan që të aktrojnë normalitet te njeriu që donte t’i fusë në burg të gjithë ata që mbetën gjallë më 27 prill. Te njeriu që në mbrëmjen kur ende po zgjaste sulmi i organizuar në Parlament, jo vetëm që nuk i gjykoi dhunuesit, por as një fije dhembshurie nuk shfaqi. Për më tepër, edhe i akuzoi se vetë e paskan kërkuar belanë. Dhe në mënyrën më të ashpër kërkoi takim liderësh, edhe pse dy nga ata ishin me kokë të thyer, ndërsa për njërin, dhunuesit,besa, gëzoheshin se ka vdekur.
Është gjë e bukur që qeveria e re i respekton institucionet. Por, le të mos përziejmë respektimin e institucioneve me respektimin e njeriut që përfaqëson atë institucion. Pasi Gjorge Ivanovi është instrumenti i ligësisë që e rrëmbeu institucionin që dy herë ta mbronte kriminalitetin.
2 Kjo është njësoj si atëherë kur Gruevski dhe deputetët e tij aktrojnë normalitet mes jonormalitetit. Demek, për hir të një kalimi të paqtë i pushtetit. Ndërkohë që qeveria e re është ende me plagë në kokë.
Ministrat e rinj shkuan për t’u fotografuar në kabinetet kiç qindra herë të paguara nga paratë tona dhe në kolltukët të blerë me kush e di se çfarë prokurim publike. Me buzën në gaz, pozonin para kamerës në ndërtesat që qeveria e VMRO- së i shëmtoi e me të cilat i përçmoi si autorët e vdekur ashtu dhe ata të gjallë. Duke dashur të tregojnë mirësjellje gjatë ndarjes së funksioneve, humbën mundësinë që t’i përkujtonin ligësitë e qeverisë së Gruevskit edhe ndaj arkitekturës dhe artit.
Dhe përsëri do të them. Është gjë e bukur që qeveria e re dëshiron të tregojë se i respekton institucionet. Këtë gjë edhe e presim nga ajo. Por institucionet janë të rrëmbyera nga një elitë kriminele. Dhe me anë të aktrimit të normalitetit mbështetet papërgjegjshmëria mbi rrëmbimin. Me anë të aktrimit të normalitetit po ndihmojnë VMRO-DPMNE-në që të aktrojë viktimën.
Qeveria e re nuk guxon të harrojë se çfarë na ka ndodhur. Pasi ne nuk duam të harrojmë. Meqenëse, nëse ne harrojmë gruevizmin, përsëri do të na ndodhë Gruevski.
Nuk bëhet fjalë për revanshizëm. Përkundrazi. Revanshizëm do të ketë nëse vazhdojmë të shtiremi sikur gjithçka është normal dhe të mos përballemi me përgjegjësinë e të mos marrë secili dënimin që meriton. Me të vërtetë. Pa drejtësi, nuk ka paqe.
3 Thjesht, pas 27 prillit nuk duam të aktrojmë normalitet në një shtet jonormal. Nuk guxojmë t’ia lejojmë vetes këtë.
Për më tepër, shumë lehtë harruam që edhe më 24 dhjetor 2012, qeveria e VMRO-së i hodhi si lecka jashtë Parlamentit, jo vetëm deputetët e opozitës, por edhe gazetarët. Dhe atë gjë VMRO-DPMNE e bëri në emër të normales.
E pas tërë asaj atmosfere të normalitetit të VMRO-së, tani Gruevski dhe elita e tij aktrojnë se janë viktima. Diçka që nuk është aspak e re. Pasi Greuvski për 11 vjet ishte në pushtet dhe gjithmonë aktronte se është viktimë. Herë ia kishte fajin Branko, herë shërbimet e huaja ia shkatërronin shtetin, herë i shëtisnin furgone të verdha, herë i ka gërmuar Sorosi, herë ambasadorët i kanë futur hundët në punën e tij…
LSDM mund të pranojë që t’i shtiret sikur çdo gjë është normale dhe t’iu japë rëndësi përrallave se VMRO është viktimë, por nuk guxon të harrojë që më 27 prill ndodhi dhuna kur morën pjesë deputetë të VMRO-së. Dhe që prokuroria e VMRO-së i çliroi dhunuesit, ndërsa frymëzuesit dhe ndihmësit akoma nuk i heton.
Po tani, çfarë? Qeveria e re do të aktrojë normalitet, do të flasë, do të pajtohet e do të sillet mirë me dikë që është nisur për t’i vrarë. Kurse qeveria e vjetër as “Më fal!” nuk u tha.
4 Nëse të rinjtë duan të vendosin një procedurë normale të qeverisjes, atëherë të paktën le të marrin një hap simbolik për heqjen e përmendores të gjakatarit Qose para ndërtesave të gjykatave. Le të organizojnë një demontim ceremonial të Qoses. Por, jo natën, siç i radhiste përmendoret fshehurazi qeveria e VMRO-së ngaqë i vinte turp të shfaqë publikisht shumën e parave që kanë vjedhur për t’i ndërtuar. Por gjatë ditës, madje në fundjavë, kur të mund të vijnë e të gëzohen edhe ata që nuk janë thirrur me sms sipas listës partiake.
Dhe pastaj do ta zhvendosin Qosen me të gjitha kamat, thikat dhe pistoletat para burgut Idrizovë. Sepse aty e ka vendin. Ta shohin ata që do të përfundojnë në burg. E të jenë të lumtur që i ka zënë drejtësia e vërtetë ashtu siç është në një shtet të qytetëruar. E jo drejtësia e Qoses.
5 E dëgjojmë tani Gruevskin se si ankohet, se një gjysh i dëshpëruar të cilit sistemi shëndetësor i VMRO-së ia ka vrarë mbesën , ka vendosur të shërbehet me drejtësinë e Qoses, të cilën e lartësonte lideri i VMRO-DPMNE-së. Kush e di, mbase gjyshi i Tamarës është nxitur nga lajmet për dënimet e kushtëzuara të huliganëve që ishin dërguar të vrisnin Zoran Zaevin dhe Zijadin Selën. Ata, për të cilët, Gruevski i mërzitur tani tha se “nëse do të kishin dashur ta vrisnin, do ta kishin vrarë”.
Mediat dhe organizatat joqeveritare paskan bërë histeri kundër VMRO-DPMNE-së. Si? Kështu thotë Gruevski. Po ai Greuvski i cili për 11 vjet krijonte dhe bënte mobilizime në përndjekje të të gjithë atyre që nuk janë në një mendje me të. E nuk pushon së nxituri.
Kush e ndau shoqërinë për së gjati dhe sipas të gjitha bazave? Sipas kombësisë dhe fesë. Sipas përkatësisë politike. Sipas përkatësisë seksuale. Sipas familjeve me shumë dhe pa fëmijë. Sipas të martuarve dhe të pamartuarve. Sipas patriotëve dhe tradhtarëve. Sindikatave dhe kundër sindikatave. Mjekëve kundër mjekëve. Protestave dhe kundërprotestave. Arsimtarëve kundër arsimtarëve. Plenumit studentor dhe kundër plenumit. Prindërve dhe kundërprindërve. Revolucionit të zi dhe Revolucionit të larmë. Administratës publike kundër sektorit privat.
Që ta kemi të qartë. Justifikim për dhunë nuk ka. Por, nuk mundet që dhuna e gjyshit të Tamarës të vlerësohet ndryshe nga dhuna dhe padënueshmëria që ushqente Gruevski plot 11 vjet. Pastaj, prokuroria e Zvërlevskit tashmë tre vjet radhazi nuk tregon se deri ku ka mbërritur hetimi për vdekjen e Tamarës.
Cilin dëgjuam të porosiste shkatërrimin e objektit të rivalit të tij politik me dinamit? Të mos e zgjasim shumë. Ku kishte piskama e britma? Kush kërcënohej me hedhje në hendekë “me gjithë grua, me gjithë fëmijë”. Kush recitonte poezi për natën e shirave të gjatë? Kush për 11 vjet ikte nga duelet publike, por gjithmonë shkonte në emisionet ku udhëheqësit nxisnin gjuhën e urrejtjes? Do t’i mbulonin me pllaka varri ata që s’ishin të një mendjeje me të. Kërcënoheshin që Parlamentit do t’i vijë era barut. Kush ligjëronte kurs të shkurtër drejtësie që dy tre shpulla, por ama të forta nuk qenkan vepër penale? Kush e lajmëronte Zaevin se po të ishte Gocja gjallë do t’ia kishte dërguar Qosen që t’i lajë hesapet me të?
Dhe së fundi, i dëgjuam pikërisht Nikolla Todorovin me Gordana Jankulloskën, se si ajo i shpjegon që për njerëzit e tyre të cilët kanë shtirë në zgjedhje, do të aktrojnë gjoja kanë shtirë me pistoletë gazi, që të mos shkojnë në burg, e do ta rregullojnë që të marrin paraqitje për kundërvajtje…
6 Kryeministri i ri Zoran Zaev është kryeministri i vetëm në Maqedoninë e pavarur, i cili u zgjodh në funksion duke derdhur gjakun e vet.
Tani, pasi e fitoi betejën dhe me të vërtetë arriti që me anë të lapsit të ndryshojë regjimin, dua t’ia përsërit atë që ia thashë para dy vjetësh. Në 16 maj, 2015 një ditë para mitingut të madh në Shkup më 17 maj, shkrova këtë:
Zoran Zaevi deklaronte para publikimit të çdo bombe: “Të mos lejojmë që kjo ligësi të përsëritet”. E pra, le të mos harrojë se ç’ka thënë. E le ta mbajë mend atë fjali edhe gjatë protestës së nesërme. Le të mos fillojë të hedhë bishtin shumë, nëse dalin shumë njerëz. Pasi këto nuk janë protesta që të vijë LSDM në pushtet. Siç nuk janë as protesta kundër Gruevskit. Këto janë protesta për arsye se na ka ardhur në majë të hundës që dikush që fiton shumicën, vazhdimisht justifikohet: “Ata ashtu bënin, ashtu do të bëj dhe unë”. Dhe le ta dijë Zaevi se nëse mblidhen shumë njerëz, ata nuk janë vota për LSDM. Ata janë vota për të gjithë ata që janë kundër atyre që mendojnë se sapo të zgjidhen, do të mund të bëjnë ç’tu ketë qejfi. Për më tepër nuk guxon as të ankohesh. Pasi refuzojnë të të dëgjojnë nëse do t’iu thuash diçka. Pse? Pasi ata mund të bëjnë gjithçka. Sepse na kontrollojnë me lista. Sipas familjes, ndërtesës, komunës…Gjithçka ka hyrë në defter. Madje edhe cilët demonstrues gjykohen fill pas protestave të dhunshme prej para një jave, e që nuk mund të gjenden as pas dy vjetëve hetim.
Në fund të fundit, këto janë protesta për resetim. Të tregohet se fakti që mendojmë ndryshe nuk na bën armiq. Këto janë protesta që të bëhemi prapë miq. Kush të dojë majtas, kush të dojë djathtas, kush të dojë ku të dojë të vejë…Por prapë të respektojmë njëri-tjetrin. E ndoshta prapë do të duhemi.
Sot, dua t’i them vetëm edhe këtë gjë: Ata që kanë faj të kërkojnë falje. Ata që kanë porositur krime dhe kanë vjedhur të përgjigjen për to. E – t’i kthejnë paratë.
Përktheu: Fjolla Zllatku