ALI EKSPRES

Festën do ta festojmë së bashku. Dhe fashizmin, le të mos e harrojmë.

ALI EKSPRES

1Zaevin e zuri mallkimi i Brankos. Ju kujtohet kur në mesin e të 90-ave na frikësonte duke thënë “Mos doni të jemi si Bullgaria?”. Epo ja, Bullgaria nga 1 janari i vitit të ardhëm do të jetë kryesues i BE. Ndërsa kryeministri Zaev në Sofje fliste për një farë “përdorimi joadekuat fjalësh në librat shkollore që paskan krijuar pakënaqësi”. Dhe zbuloi se në pllakën përkujtimore në Strumicë është hequr “fjala e vockël” -fashiste.
Epo, kryeministër Zaev, ajo fjalë nuk është fjalë do si do. Dhe për të hyrë në BE ne mund të fshijmë fjalë sa të duam, por historia nuk fshihet dot. Nuk e di se sa ndjenja pakënaqësie janë ato të bullgarëve kur i vizitojnë përmendoret nga lufta antifashiste në Maqedoni. Por e di që tezen time, Mare (le të prehet në paqe) e kanë keqtrajtuar okupatorët bullgarë në burgun e Manastirit sepse ajo ka qenë me forcat antifashiste. Në anën e vërtetë në Luftën e dytë botërore. Me siguri bullgarët nuk do ta kishin mbajtur në burg deri në vitin 1944 nëse kanë qenë të anës së njëjtë. Kurse xhaxhai im Llambe e ka çliruar Ohrin e pastaj i ka ndjekur fashistët deri në Srem.

Mirëpo di edhe diçka tjetër. Që këta të VMRO-së që tani i mbrojnë partizanët nga bullgarët, para disa vjetësh i përzunë në rrugë edhe ata pak që ishin të gjallë në organizatat e tyre luftëtare. E di edhe se këta të VMRO-së, që tani shqetësohen nga deklaratat e Zaevit, ndërtonin kuazipallate dhe i emëronin me emra të personave që kanë bashkëpunuar me qeverinë e atëhershme dhe që i kanë spiunuar ata që bënin rezistencë kundër okupatorit. Ndërsa okupatori nuk ka qenë populli bullgar. Okupator ka qenë qeveria e atëhershme bullgare e cila ishte fashiste. Dhe nuk mund tani të pimë nga një hap amnezie sepse komshinjtë atëherë kanë pasur qeveri fashiste, e cila në vitin 1944 ka kapitulluar. Dhe ja tani, aq shumë kanë përparuar sa që janë edhe anëtarë në BE.
Është mirë që pajtohemi. Por fëmijët nuk mund t’i gënjejmë.

2Për më tepër, me siguri edhe gjermanëve të sotëm u zgjohen ndjenja pakënaqësie kur i kujtojnë llogoret e vdekjes dhe përmendoret e luftës antifashiste në tërë Evropën. Por nuk kam dëgjuar të kenë vënë veto për hyrje në BE ndonjë shteti, sepse ai nuk ka dashur t’i ndryshojë faktet historike. Pasi, një Gjermani moderne e cila si një lokomotivë e tërheq tërë Evropën, nuk e ka problem të përballet me të kaluarën e hidhur, ndërsa politikania më e fuqishme në botë, Angela Merkel nuk harron që në raste të ndryshme të kërkojë falje për të gjitha keqbërjet e Gjermanisë së Hitlerit në të kaluarën.

Kurse sa i përket festimit të festave të përbashkëta, ne mundemi edhe 11 Tetorin ta festojmë së bashku. Veç kam frikë se do të zihemi. Pasi VMRO-DPMNE do të festojë në Prilep, kurse LSDM në Kumanovë. E Bojko Borisov nuk do të dijë ku të vijë.
3Hajde tani – mjaft me histori. Meqë, prej kaq shumë historie të Ballkanit qe 26 vjet, kokë nuk mund të ngremë. Por ama, mjaft edhe me futjen e gjërave të pista nën qilim. Se kur do të duhet të pastrohet ai qilim, do të fluturojnë mbeturinat nga të gjitha anët.
Për këtë, nëse tashmë SHBA dhe BE i kanë dhënë detyrë qeverisë së Zaevit që përfundimisht të mos i fusë gjërat e pista nën qilim, është e rendit që të ndihmojnë në pastrimin gjeneral. Sepse e kanë parë. Që kur kemi filluar vetë të zihemi mes vete – bllokohemi në histori.

Le të mos na lënë t’i zgjidhim detyrat vetë. E le të mos ia lënë vetëm Borisovit dhe Ciprasit të na e zgjidhin fatin. Le t’iu bëjnë presion edhe atyre. Pasi 26 vjet ata i bëjnë presion Maqedonisë dhe ja ku kemi ngecur. Në dëmin tonë, por edhe në dëmin e tyre.

4Para disa ditësh publikuam një hulumtim se 445.000 njerëz në Maqedoni mund t’ia lejojnë vetes një porcion ditor. Një lexuese e rregullt e shpërndau tekstin në FB duke shtuar komentin: “A be Mile, mos janë shumë?”
Dhe kështu disi, përfundon diskutimi mbi historinë dhe patriotizmin. Këtu përfundon edhe historia për pasaportat bullgare të cilat bashkëqytetarët tanë i morën, jo sepse ndjehen Bullgarë, por që të mund të sigurojnë një jetë të denjë si gjermanët, zviceranët e holandezët. Të mund të sigurojnë, jo vetëm ushqim, por jetesë të vërtetë.

Kështu disi fillon edhe historia që në vitin 2017 nga Shkupi deri në Sofje, 200 kilometra kalohen për plot 5 orë, ndërsa rruga ngjan me rrugët që ka kaluar Goce Dellçevi me karrocë para më shumë se një shekulli. Këtu rikthehen fotografitë e trishtueshme të kufirit më të mjerueshëm në Evropë, Deve Bair, ku ndjehesh i nënçmuar nga të dyja anët e rampës. Hekurudhë mes Shkupit dhe Selanikut ka pasur që nga viti 1873, dhe 150 vjet më vonë nëpër po atë hekurudhë nuk kalojnë as edhe dy trena në ditë…
Mos duhet akoma të numërojmë se çfarë na mungon në të tashmen kur flasim për të kaluarën? E nëse veçmë i kthehemi historisë, le të kthehemi vetëm disa muaj pas. Të përkujtohemi se një pjesë e patriotëve maqedonas që nuk e japin emrin, e që me pasaporta bullgare blenë prona në Halkidiki, në fillim na frikësonin me platformën tiranase, e tani me platformë të Sofjes. Ndërsa njëkohësisht, në 27 prill, na përgatisnin platformë të Beogradit sipas skenarit të Moskës. E më pas ikën në pushim parasezonal në Greqi, pasi iu kishin vënë letër ngjitëse mbi xhipa. E, teksa dëgjojnë Cecën duke iu afruar fushës së Selanikut, me ngjitëse mbi regjistrimin e Maqedonisë, sa shumë nervozohen se pse “ky Zaevi e shet dhe e shkatërron Maqedoninë.”

5Dhe kështu, të stëremocionuar nga temat historike, patriotët harruan të shqetësohen se edhe pse i kanë lëshuar nga llogaria 500 milionë dollar për ndërtim të dy autostradave, punët ndërtimore janë ndaluar pasi kompania kineze te pjesa e Ohrit e ka gabuar trasën, ndërsa tek pjesa që çon drejt Shtipit qeveria e Maqedonisë nuk u ka zgjidhur çështjet pronësore dhe ligjore.

Mos është shumë?
E pastaj, shko dhe besoju që koncesionarët që hetojnë e hapin miniera nëpër Maqedoninë lindore paskan pasur elaborate për standardet ekologjike. Dhe i bindin edhe qytetarët që organizojnë referendum kundër minierave se këtë e bëjnë prej nga kaprici. Qeveria e Gruevskit ka dhënë koncesione për hetimin e minierave në 22 komuna të Maqedonisë lindore. Epo, nëse përkujdesjen e premtuar ndaj eko standardeve të investitorëve e kanë të njëjtë si përkujdesjen e treguar ndaj trasave të autosradës, Gruevski dhe e gjithë klika rreth tij duhet të jetojnë me dënim në Maqedoninë lindore dhe të mos lëvizin që aty as për të kaluar kufirin për në Bullgari.
Po ne paskemi pasur fat që nuk e kanë zhvilluar edhe atë program nuklear me kuadrot e tyre patriotike, të cilat i dëgjuam në telefonatat. Apo, ndoshta e kanë zhvilluar?

6Dhe kështu pra, të stëremocionuar prej temave historike, nuk vumë re që, ndërkohë që VMRO-DPMNE bënte ujdi për transfer të qetë të qeverisë, ata bënin sabotazhe se ku do të arrijnë dhe çfarë. Dhe dy muaj para superkupës në Shkup mes Realit dhe Mançesterit, UEFA i dha Qeverisë raport me 18 vërejtje. Mes tyre qëndron se nuk ka një plan të plotë dhe të detajuar për evakuimin e stadionit.
A nuk ju duket sabotazhë?

7Kështu pra, të stëremocionuar nga temat historike, nuk u shqetësuam se shëndetësia më e mirë në botë nuk ka paguar ujin. Faturat e ujit në Qendrën klinike në Shkup nuk janë paguar tre vjetët e fundit.
Vetëm disa ditë para përzgjedhjes së qeverisë së re, ish ministri i shëndetësisë Nikolla Todorovi në prani të liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, nënshkroi marrëveshje për ndërtimin e Qendrës së re klinike me vlerë prej 72 milionë eurove.

Po ajo qendër klinike, po ai ministër Todorov, bashkë me Nikolla Gruevskin, i cili atëherë ishte kryeministër, e lajmëroi dhe me demek i filloi aktivitetet ndërtimore që nga 2 janari, 2014.
Do të thotë që Todorovi ka pushuar së paguari faturat përafërsisht në kohën kur bashkë me Gruevskin e lajmëruan Qendrën e re klinike. Për shkak të hyrjes në ciklin investitor, Todorovi ka vendosur të shkurtojë shpenzimet joproduktive. Siç është uji i spitalit.

8Dhe kështu, të stëremocionuar nga temat historike, kuptuam edhe që nga testimi ekstern më së shumti qar ka pasur firma kompjuterike. Kanë pasur qar prej 800.000 eurosh për mirëmbajtjen e softuerit. Me siguri ato rroga i kanë siguruar nga dënimet e arsimtarëve. Pasi lotët e fëmijëve të malltretuar nuk kanë çmim.
Mirë që firmat i pagonim nga buxheti, por qeveria e Gruevskit edhe i dënonte arsimtarët nga rrogat e tyre të mjerueshme, i malltroronte nxënësit kurse prindërit i mbante në stres. Pse? Për shkak se qeveria e VMRO-DPMNE-së shpikte projekte që firmat e tyre të marrin tenderë shtetërorë. E aktronin se gjoja do ta kontrollojnë cilësninë e arsimit.

Dhe të njëjtët drejtorë që e ndalonin grevën e arsimtarëve dhe i mbyllnin gjimnazistët, le të votojnë përsëri për VMRO-DPMNE-ë. E le t’i numërojnë nëpër tubime. E le të jenë tvërdokorni e ta zaptojnë Parlamentin. E le të frikësohen që Zaevi do t’i ndryshojë librat shkollorë dhe se do të paguajnë nga 5.000 euro në qoftë se nuk dinë shqip.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира