Gjatë tërë vitit shkollor nuk u gjend asnjë zgjidhje për problemin e transportit të vajzës me nevoja të veçanta nga fshati i Kumanovës, Vragoturcë, e cila ka ecur çdo ditë nga 10 kilometra për të arritur në shkollën e fshatit fqinj Pelincë.
Për nëntë muaj, Eleonora Mlladenoska kalonte rreth 4 orë në mal përgjatë një rrugë të pjerrët dhe të paqasshme, në shi e borë, erë e mjegull, e shoqëruar nga ndonjë familjar i saji, pasi institucionet kompentente shtetërore dhe lokale ia kalonin fajin njëri-tjetrit dhe nuk arritën t’i sigurojnë kushte elementare për arsimim, si fëmijët e tjerë në shtet.
Sipas llogaritjes së thjeshtë matematikore, Eleonora gjatë vitit shkollor ka kaluar 2500 kilometra rrugë nga shtëpia e saj në fshatin Vragoturcë deri në shkollën e fshatit Pelincë. Ajo ka ecur në ditë rreth 13 kilometra në të dyja drejtimet, që do të thotë 65 kilomtra për 5 ditë pune, nga e hëna në të premte. Nëse gjatë muajit ka 23 ditë pune, kjo është gjithsej 309 kilometra apo 2781 kilometra për 9 muaj. Nëse heqim një muaj të pushimeve dimërore dhe festave, mbeten 2472 kilometra.
Babai i Eleonorës, Novko Mlladenovski, i cili ka dëmtim të tërësishëm të të pamurit, thotë që në qoftë se edhe në vitin e ri shkollor, shkolla dhe Komuna Staro Negoriçane nuk sigurojnë transport apo nuk i japin banesë sociale, ai do të duhet që ta japë fëmijën në ndonjë institucion apo të mos e çojë në shkollë.
“Ky vit për ne ka qenë plot vuajtje. U lodhëm të gjithë, por më së shumti Eleonora. Në fillim të vitit mezi mbërrinim në shkollë. Është e dobët kurse është mësuar të ecë 6-7 kilometra në ditë dhe i dhembnin këmbët. Qante gjatë gjithë rrugës, ndërsa unë nuk mund ta mbaj në duar, as t’i ndihmoj. Disa herë u ftoh kur ishte koha e keqe. Këtë pranverë, shpesh herë na zinte koha e vranët dhe shiu, meqë gjatë rrugës nuk ka shtëpi ku të mund të strehohemi. Një herë, kur ishte ditë me borë dhe shumë ftohtë, u humbëm dhe mezi u kthyem në shtëpi”, thotë Novko.
Ai thotë se një problem tjetër për Eleonorën është fakti që ajo nuk mund t’i kontrollojë nevojat fiziologjike dhe nga koha e ftohtë shpesh herë i ka lagur rrobat e saj, kështu tërë vitin është dashur të mbajnë me vete rroba për t’u ndërruar. Babai është shumë mirënjohës ndaj mësueses dhe punëtores që janë kujdesur për vajzën e tij si të ishte bija e tyre, pasi e kanë ndërruar dhe ngrohur kur ajo mbërrinte e ngrirë në shkollë.
“Eleonora është fëmijë shumë i urtë dhe i dashur. Në fillim ishte shumë e tërhequr dhe e trembur, por tani ështu liruar dhe ka filluar të shoqërohet me fëmijët e tjerë. Dëshiron të vijë në shkollë pavarësisht se kjo gjë për të është e mundimshme. Megjithatë ajo është fëmijë me nevoja të veçanta, gjë për të cilën ka dhe dokument mjekësor. Ne nuk kemi ndonjë program të veçantë se si të punohet me fëmijë të këtillë, por vazhdimisht përshtatemi sipas mundësive të tyre. Eleonora kërkon punë dhe vëmendje të vazhdueshme, që të mund të tregojë rezultatet minimale. I ka mësuar shkronjat dhe numrat, ndërsa ka më tepër vështriësi me llogaritjet. Pritjet e mia nuk janë të mëdha, por së bashku gëzohemi për çdo sukses”, thotë mësuesja Maja Cvetanovska nga shkolla fillore e krahinës, “Hristijan Karposh” në fshatin Pelincë.
Mësuesja thotë se në paralelen e kombinuar, përveç Eleonorës mësojnë edhe dy nxënës të klasës së dytë dhe një fëmijë i klasës së katërt dhe se ka mjaft kohë që të punojë me ta dhe të t’iu dedikojë më shumë vëmendje. Në shkollë vjen dhe një tjetër fëmijë nga fshati Vragoturcë, por prindërit e tij e sjellin atë me motor apo makinë, përderisa Eleonora vazhdimisht ka ecur, për shkak të situatës së saj familjare.
Familja tetëanëtarëshe Mlladenovski, të gjithë me dëmtime të rënda në të pamurit dhe pengesa në zhvillim, jeton në fund të fshatit Vragoturcë në shpatet e Kozjakut, në lartësi mbidetare prej 1.200 metrave, në vetë kufitirin e Maqedonisë me Serbinë, 40 kilometra larg Kumanovës. Pranë shtëpisë nuk mund të mbërrihet veçse me xhip, nëpërmes rrugës së ngushtë të paasfeltuar, të gjatë 15 kilometra, që e lidh fshatin Vragoturcë me rrugën rajonale Pelincë-Kumanovë.
Për shkak të konfigurimit të keq dhe pamundësisë për të pasur qasje tek terreni pranë fshatit, transportuesi i cili e ka fituar tenderin për transport të nxënësve në Komunën Staro Negoriçane, nuk organizon transport për dy fëmijët e fshatit.
Pas botimit të këtij rasti në SAKAMDAKAZAM.MK në 13 shkurt të këtij viti, Avokati i popullit ngriti parashtresë, por as kjo nuk e zgjidhi problemin.
“Realizuam takim me kryetarin e komunës dhe i kërkuam të veprojë në pajtim me ligjin, gjegjësisht të sigurojë mjete transporti për nxënësin. Pas intervenimit të kryetarit të komunës, prindi dhe tansportuesi janë marrë vesh që, meqë ka qenë fundi i vitit shkollor, paratë që është dashur t’i ndajë për transport t’ia japë familjes dhe vetë ta organizojë transportin e fëmijës, ndërsa për vitin tjetër të gjejnë zgjidhje. Tani e kemi mbyllur lëndën, pasi janë shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore të cila i kishim në disponim. Përderisa nuk zgjidhet problemi vitin tjetër, përsëri do të reagojmë”, tha Avokati i popullit i Kumanovës, Naser Veseli.
Familja Mlladenovski jeton në kushte të mjerueshme. Në një shtëpi të rrënuar prej tridhjetë metrash katrorë, në dy dhoma me mobilje të shkatërruara, pa kuzhinë dhe pa banjë. Për këtë arsye për zgjidhja e çështjes së banimit është urgjente. Pas publikimit të historisë së tyre, Kryqi i kuq i Kumanovës iu ndihmoi të dorëzojnë kërkesë për banesë sociale, ndërsa pas urdhëresës së Komisionit të qeverisë për çështje banimi në Shkup, një ekip i Qendërs për punë sociale ka kryer këqyrje të vendbanimit të familjes. Mlladenovski gëzohen dhe shpresojnë që së shpejti ndoshta fati do t’iu buzëqeshë dhe do të marrin banesë në Staro Negoriçane apo Kumanovë.
S. NIKOLIQ