Banorët e Tetovës të cilët jetojnë në afërsi të stadiumit të vjetër të qytetit edhe këtë vit përballen me skenën e pazarit të bagëtive pranë shtëpive të tyre. Me afrimin e festës fetare të Kurban Bajramit, hapësira rreth stadiumit të vjetër të qytetit në Tetovë shndërrohet në një pazar bagëtie, ku shiten dhi, lopë, dema dhe gjedhë të tjera, të cilat fetarët i blejnë për këtë festë, madje disa edhe i therin aty. Pazari zgjat disa ditë, mirëpo era nga therja e kafshëve mbetet dhe mund të ndjehet edhe pasi kanë kaluar disa ditë dhe javë, thonë banorët. .
“Ne këtu jetojmë mbi 30 vjet dhe asnjëherë nuk ka pasur pazar bagëtie.. Mirë që bëjnë pazar, por edhe i therin kafshët, dhe të gjitha mbeturinat e tyre si dhe copëza të trupit të kafshëve i lënë këtu, e më pas shpërndahet një erë e papërballueshme, kurse qentë e pastrehë i zhvendosin ato pjesë gjithkund rreth lagjes. Vitin e mëparshëm këtu kundërmonte më keq se në deponi. Gjatë tërë muajit nuk kemi mundur të hapim dritaret. Për këtë, kërkojmë nga kryetarja e qytetit, Teuta Arifi që ta zhvendosë lokacionin e pazarit”, thotë Ifraim Luta.
Me të bie dakord edhe fqiu i tij, Dushko Ilievski.
“Unë pajtohem me atë që thanë fqinjët e mi. Ky vend nuk është për një gjë të këtillë, pasi këtu banojnë njerëz. Ata shesin, therin dhe shpërndajnë një erë të tmerrshme. Prandaj apelojmë deri te Komuna që të gjejë ndonjë tjetër lokacion më të përshtatshëm për këtë qëllim. E dimë se edhe ata që vijnë për të shitur duhet t’i shesin kafshët e tyre që të përfitojnë vetë për familjet, por ky nuk është vend për këtë gjë”, shprehet Ilievski në mënyrë kategorike.
Banorët e kësaj lagjeje kanë nënshkruar peticion dhe kërkesë deri te Komuna për dislokim të këtij pazari të përkohshëm të kafshëve, por vetëm disa ditë para Kurban Bajramit, nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Ne, banorët e kësaj lagjeje kemi dërguar ankesë deri te kryetarja e qytetit, Teuta Arifi, ndërsa unë personalisht kam dërguar kërkesë në emrin tim, me të cilën kërkojmë që kjo hapësirë të mos përdoret më për shitjen e kurbanit për Bajram. Por, për fat të keq, deri më tani nga Komuna nuk kemi asnjë lloj përgjigje. Këtë gjë e kërkojmë për shkak të përvojës së keqe të viteve të kaluara, që kur filloi të zhvillohet kjo praktikë në lagjen tonë. Gjatë atyre katër-pesë ditëve, lagjja jonë është pothuajse krejtësisht e bllokuar, pasi edhe rruga deri në shtëpitë tona është e zënë nga gardhi që i ruan bagëtinë. Dhe e gjithë kjo ndodh vetëm pesë minuta larg në këmbë nga qendra e qytetit. Për këtë arsye kërkojmë që ky pazar të zhvendoset në një vend tjetër më të përshtatshëm, e ma merr mendja që Komuna mund të gjejë një vend të atillë”, thotë Ifraim Luta.
Por ai nuk ka vërejtje vetëm ndaj Komunës, thotë se edhe Bashkësia Islame duhet të reagojë në lidhje me mënyrën e festimit të Kurban Bajramit.
“Unë do të doja që edhe Bashkësia fetare islame të shihte se si i therin këta kurbanë. I dimë rregullat fetare, se si një kurban duhet therur, ku dhe si duhet shitur. Më këtë mënyrë thyhen rregullar e Kuranit”, potencon Ifraim Luta.
U përpoqëm të marrim përgjigje nga Komuna e Tetovës se a do të zgjidhnin këtë problem, por nga shërbimi për marrëdhënie me publikun vetëm na u tha se do të përpiqen në vazhdim që të na informojnë në lidhje me çështjen.
Dhe ndërkohë që zgjat biseda me banorët në këtë lagje dhe pritet përgjigje nga Komuna, në hapësirën rreth stadiumit të vjetër të qytetit intensivisht vazhdojnë të vendosen gardhe të improvizuara të cilat nga e mërkura do të ruajnë qindra dhi dhe lloje të tjera bagëtish, gjë me të cilën problemet e banorëve të kësaj lagjeje edhe këtë vit do të përsëriten.
Z. ANDONOV