Avokati i popullit e gjykoi procedurën e Ministrisë së arsimit e cila me shkresë i ka lejuar drejtorit të shkollës fillore të Ohrit “Bratstvo i Edinstvo” ta ndalojë mësimin për nxënëset të cilat mbajnë shami dhe ka kërkuar që menjëherë të mundësohet ndjekja e mësimit, lajmërojnë nga zyra e Avokatit të popullit.
“Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë dhe Konventa evropiane për të drejtat e njeriut parashikojnë dhe lejojnë lirinë e besimit dhe shfaqjes së religjionit. Kurse sipas Konventës për të drejtat e fëmijës, liria për manifestim të besimit mund të bjerë vetëm nën kufizimet sipas ligjit, ndërsa kufizimet e këtilla nuk janë parashikuar me Ligjin për arsimin fillor dhe me rregulloret e tjera ligjore”, thuhet në kumtesën e Avokatit të popullit dhe theksohet nevoja respektimin e ligjeve dhe zbatimit të detyrueshëm të akteve të lartpërmendura të ratifikuara ndërkombëtare, si pjesë përbërëse e sistemit tonë të drejtësisë.