MYSAFIRË TË NATËS

Nëse respektohet Kushtetuta dhe rendi ligjor, më të paktën që mund të bëjnë institucionet është ta thërrasin Ivanovin si dëshmitar të sulmit të Parlamentit. Nëse veçmë nuk e akuzojnë.

MYSAFIRË TË NATËS

1Nuk e di se çfarë mendon të arrijë Gjorge Ivanovi me ato netë të kaluara në vilën në Vodno, ku i mbledh krerët e shtetit dhe të partive për të bërë muhabet mbi sulmin e organizuar të Parlamentit më 27 prill. Se nuk mendon diçka të mirë, është e qartë nga përmbajtja e komunikatës. Komunikata që shpreh se kanë kërkuar “zgjidhje për dalje nga gjendja momentale e tensionit në shtet, e cila shkakton shqetësim te qytetarët”.
Çfarë tensioni? Çfarë shqetësimi? Vetëm te Ivanovi ka tension. Dhe te Gruevski e te ata që mbetën me të. Vallë, akoma do të na trembë Ivanovi me fuqinë e Gruevskit, i cili kur u bënte thirrje klientëve të tij që të mos rrinin në shtëpi me papuçe por të dilnin për ta mbrojtur, ngrihej e tërë makineria e shtetit në krye me MPB? Me gjithë kryetarin e shtetit.

Nuk e di se çfarë mendon as lideri i LSDM-së Zoran Zaev, kur shkon te Ivanovi që t’ia ulë atij tensionin. Dhe se në sa darka të tjera do t’i shkojë për ta qetësuar, meqë ai paska “minikrizë politike”? Nëse nuk ka punë më të mençur, le të shkojë.

Por, e di se një zgjidhje duhet të ketë. Dhe se ky është shqetësimi i vetëm i qytetarëve këto ditë. A do ta zbulojmë të vërtetën? Kjo është shumë më e rëndësishme se gjykimet që do të pasojnë. Çfarë do të ndodhë? Ideja e kujt ishte? Dhe kush e organizoi sulmin e Parlamentit?

Ashtu siç 27 prilli është një ngjarje historike, ashtu edhe zbardhja e tij duhet të jetë historike. Vetëm nga kjo do të varet kthimi i besimit te sistemi i drejtësisë. E bashkë me të edhe kthimi i besimit te shteti. E nëse luajnë me drejtësinë, atëherë sigurisht që do të krijohet tension. Është kjo gjë dhe jo diçka tjetër që shkakton shqetësim. Pasi, kjo do të thotë se 27 prilli mund të përsëritet.

2Me këtë eufori që po mbrojnë vmrovcat Nikolla Gruevskin, shumë shpejt do t’i mbetet vetëm Gjorge Ivanovi. Siç duket, borxhi është i madh, ndërsa duhet edhe të kthehet. Ai përpiqet që sado kudo t’ia vazhdojë afatin liderit të VMRO-DPMNE-së. Jo se nuk do të donte të hiqte dorë edhe ai vetë. Porse nuk mundet. Bashkë e shpikën ligësinë, në të cilën na zhytën të gjithëve. E nga ajo ligësi, tani edhe mbështetësit e tyre filluan të bëhen kurbanë.

Presidenti Ivanov edhe për njëherë tentoi ta relativizonte faktin se më 27 prill ndodhi tentim për të shkatërruar rendin kushtetues. Ai vazhdon ta mbështesë iniciativën “Za zaednicka Makedonija”, e cila përfundoi duke sulmuar Parlamentin. Akoma na tregon përralla mbi “qytetarët që janë bashkuar me idenë për të mbrojtur shtetin”.

Ka marrë informacione për “revanshizëm politikë dhe partiak”. Dhe thotë se “nuk ka asgjë më tragjike dhe më të rrezikshme se sa një përballje ndërmaqedonase”. Demek, nëse përleshen maqedonasit me shqiptarët, kjo është normale, por nëse përleshen maqedonasit që kërkojnë drejtësinë dhe maqedonasit që mbrojnë kriminelë – eh, kjo është veçmë tragjedi.

Prit pak. Po rolin e tij në përballjen ndërmaqedonase? E mban mend? Le ta kujtojmë 12 prillin, 2016 kur nënshkroi faljen e Gruevskit, që ta shpëtonte bashkë me shoqërinë e tij kriminele. E më pas, shpikte gjëra që të mos ia japë mandatin Zaevit kur ai e kishte siguruar shumicën parlamentare. Dhe tani, po ai Ivanov, i cili gjatë tërë kohës i hidhte zjarrit vaj duke i shtuar flakën krizës, na flet për qytetarë të bashkuar, për përballje ndërmaqedonase dhe revanshizëm.

Më në fund, të mos harrojmë se si sillej Ivanovi në mbrëmjen e 27 prillit. Kur qytetarët e tij “të bashkuar për idenë e mbrojtjes së shtetit” e tërhiqnin Zijadin Selën nëpër korridoret e parlamentit duke e marrë për të vdekur. Çfarë bënte atëherë Ivanovi? Priste ta lajmëronin se edhe Zaevin e kanë vrarë, që të mund të shpallte gjendje të jashtëzakonshme. E më pas, kur Zaevi gjithsesi mbijetoi, i thërriti liderët për takim. Njëri gjysmë i vdekur, tjetri me kokë të thyer. E të takohen me kë? Me liderin e tij, që ishte në vend të sigurt në Vjenë dhe tërë kohës ka komunikuar me Çavkovin.

E gjeti mu ai Ivanov t’u bëjë thirrje “institucioneve që ta respektojnë Kushtetutën dhe rendin ligjor në Maqedoni”. Nëse respektohet Kushtetuta dhe rendi ligjor, më të paktën që mund të bëjnë institucionet është ta thërrasin Ivanovin si dëshmitar të sulmit të Parlamentit. Nëse veçmë nuk e akuzojnë.

3Nuk më çudit fakti se në përpjekjen për të relativizuar 27 prillin, edhe Nikolla Gruevski flet për hakmarrje. Të njëjtit tel i bien. Madje shqetësohet pas fëmijëve të të akuzuarve. Dhe pas profesioneve të tyre. Çuditet se si kanë arrestuar një këngëtar. Sepse ai pasur tre fëmijë. Epo, nuk e kanë arrestuar ngaqë ka kënduar keq. Kurse për atë që nuk ka fëmijë, u çudit se si e paskan arrestuar kur ai qenka arkitekt. Thotë “imagjinoni, një këngëtar, imagjinoni, një arkitekt”. Nuk kemi se ç’të imagjinojmë. I pamë. U futën në Parlament për të vrarë. Po ata që ishin aty, vallë nuk kanë fëmijë? Madje fëmijët e tyre shikonin drejtpërdrejt nga ekrani se si donin t’ua vrisnin prindërit.
Vallë, edhe me sa fate të tjera njerëzore do të luajë Gruevski, vetëm që të shpëtojë?

4Vmrovcat kaq shumë e shkatërruan gazetarinë, që madje dhe mediat e tyre i lanë analfabete, e para ca ditësh në ato raportet mbi “terrorin” që është duke bërë LSDM, e lexova edhe këtë: “Anëtarë të VMRO-DPMNE-së janë mbajtur me dhunë në vendet e punës, vetëm që të mos mund të dilnin në protestë”.

Imagjinoni. Në ora 13.30 i paskan terrorizuar duke u thënë se është dashur të rrinë në punë. Siç duket, Gruevski nuk është fare i vetëdijshëm se çfarë po i ndodh. Kur ai thërriste protestë në mes të orarit të punës, dihej – fiken kompjuterët, thërriten autobusët, dërgohen sms-at me kërcënime se do të humbin punën, rrethohen lista, bëhen sellfi, publikohen në Fejsbuk, sanduiç, lëng, ekskurzion deri në Shkup.

Pyes veten se sa nga ata që kanë fituar punën me librezë partiake të VMRO-DPMNE-së tani ndjehen të gatshëm për të rrezikuar vendet e punës, që të mbrojnë Gruevskin nga burgu. E duke e mbrojtur, të përfundojnë vetë në burg.

5Shumë bukur që ministri Damjan Mançevski lajmëroi se nuk do të ketë përjashtime nga administrata e shtetit. Por, nuk tha nëse ata që vijnë marrin apo jo rrogë akoma. Dhe se ku janë ato ndërrimet e dyta.
Nëse vazhdojmë t’ua sigurojmë rrogat të gjithëve në këtë mënyrë, pres që vitin tjetër në këtë kohë shteti ta na funksionojë si një orë. Orë zvicerane.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира