1Mirë mër Zaev! Ti të paktën, vjen nga një biznes privat. Je vetë pronar. Pa të të pyes. Nëse drejtorët që ke vendosur për menaxhim me paratë e tua në firmë, ndajnë mes vete 16 paga për 12 muaj, ndërsa punëtorëve u japin nga 2.000 denarë që t’ua mbyllin gojën, a do t’ua lejoje që të vazhdonin të bënin shpenzime? Apo do t’i përjashtoje e do të kërkoje drejtorë të rinj? A do t’i jepje një bonus drejtorit, vetëm e vetëm se ka ardhur në punë dhe se ka kryer detyrën, për të cilën është pranuar? Pyes për ata të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve. Pasi, ne jemi pronarët e tyre. Paratë tona po i harxhojnë. Kurse ty të kemi dhënë mandatin që të menaxhosh me paratë tona në interesat tanë më të mirë.
Edhe zëvendës kryeministri Koço Angjushev është pronar. A do t’ia lejonte ai ndonjë drejtori t’i harxhonte 3.000 euro për një biletë avioni? Me shumë siguri do t’ia lejonte, por vetëm nëse drejtori do ta kishte me të vërtetë të domosdoshme që të jetë i pranishëm në ndonjë ngjarje shumë të rëndësishme. Pyes për atë drejtorin e një farë agjencie për promovim turistik, që iu deshtë të shkojë gjer në Argjentinë, por ishte i lodhur dhe mori biletë për klasë biznesi. Nga paratë tona. Sepse ne jemi punëdhënësit e tij. Është munduar të shkojë deri në Argjentinë, vetëm e vetëm që të na promovojë ne.
Edhe ministri i administratës publike Damjan Mançevski, mbaj mend, një kohë kishte firmë private. Nuk e di nëse vazhdon të jetë pronari i saj, nuk i teket njeriu ta kontrollojë këtë gjë. Por, edhe për të kam një pyetje: A do ta kishte paguar dikë në firmën e tij, edhe pse ai njeri asnjëherë nuk ka ardhur në punë, vetëm që të mos ta urrente? E të mos e akuzonte se po e përjashton për shkaqe revanshizmi. Apo, dikë që refuzon të punojë në ndërrime, ndërkohë që ai si pronar ka vlerësuar se ka punë për dy ndërrime? Pyes, meqë Mançevski premton që askush nga administrata publike nuk do të shkarkohet nga puna. Përkundrazi. Po pranojnë nëpunës të rinj.
Historinë e bonuesave që KSHZ i ndau mes vete e morëm vesh pasi na e zbuloi ambasadori amerikan. Në Maqedoni ka rreth 2.000 institucione shtetërore, komisione, ndërmarrje publike, agjenci, administrata lokale, borde drejtuesish, borde mbikqyrësish, trupa revizorësh, inspektorate…. Ku janë historitë e tyre? Kush do t’ua sigurojë atyre rrogën? Kush do të mbajë kontroll mbi përdorimin e parave tona? Kush do të mbajë llogari për të gjitha ato shpenzime të udhëtimeve, dreka me përfaqësime, ditë të lira…
Dhe kur anëtarët e KSHZ-së justifikohen se i kanë fituar paratë me meritën e tyre, nuk është aspak e kontestueshme. Edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë e kanë merituar rrogën e tyre.
Po ne rrogat tona, mos vallë nuk i kemi merituar? Fillimisht ne duhet të punojmë që t’ua sigurojmë rrogat atyre. Dhe nuk i paguajmë sepse janë të bukur e të mençur. Por sepse duhet të na kryejnë shërbimin. Jo sepse i ka vendosur ndonjë parti. Dhe jo sepse mendojnë se ato para u përkasin në mënyrë të natyrshme.
2KSHZ është vetëm një shembull i zbuluar rastësisht, që tregon se zyrtarët shtetërorë në Maqedoni kanë harruar se arsyeja se pse ekzistojnë është për interesin publik. Ajo ka humbur edhe moralin, pasi duke u fshehur pas interesit publik, ndjek interesin privat.
Zhgënjimi në lidhje me KSHZ -në është akoma më i madh, pasi aty gjenden juristë, gjykatës….Filan njerëz. Intelektualë. Të arsimuar. Njerëz që kanë ecur botën. Kanë shijuar jetën. Pjesë e elitës së shoqërisë. Me të vërtetë është për t’u dëshpëruar kur mendon se në një shtet ku fëmijët i kurojmë me sms, ata që duhet të japin mendim mbi mënyrën se si të zgjidhet ky problem, janë pikërisht ata që marrin bonusa vetëm sepse kanë shkuar në punë. E të mos flasim se kanë mundur edhe ta refuzojnë të qenit anëtarë të KSHZ-së, nëse kanë pasur rrogat e vogla, e punën e lodhshme.
3Në sistemin shtetëror të Maqedonisë, kjo nuk paraqet vjedhje. Është thjesht kulturë e të jetuarit me vlera morale të cilat bazohen tek shpenzimi i parave të përbashkëta. Vlera tradicionale të zyrtarëve shtetërore të cilët i shpenzojnë paratë tona pa e çarë kokën, pasi askush nuk u imponon të kenë transparencë. Pasi askush nuk mund t’ua imponojë. I mbron partia. Ndërkohë na qenka edhe gjë e ligjshme. Kështu u dashka të jetë.
Me rregullore të cilat i kanë shkruar dhe votuar vetë ata. A nuk thatë se nuk do të vidhnit ashtu siç ka vjedhur VMRO-DPMNE? A nuk thatë se nuk do të ndërtonit përmendore? Atëherë përse shpikni tatime të reja? Që të vazhdojmë ta ushqejmë administratën tuaj partiake? Siç keni nisur, do të vijë një ditë kur nuk do të keni nga kush të merrni. As për rrogë, as për bonusa. As për shpenzime rruge.
Nuk është vetëm KSHZ-ja. Kjo gjë ndodh nga ndërmarrjet komunale në komunat më të vogla e deri te gjykatat më të larta dhe Parlamenti. Ato paraqesin kriza politike dhe kërcënime të sigurisë së shtetit pasi nuk mund të bien dakord mbi interesat më të lartë dhe bazikë të shtetit, mirëpo nëse duhet vjedhur nga qytetarët, të gjitha dallimet zgjidhen me konsensus. Nuk kanë problem as me ideologjinë, as me emrin, as me flamurin, as me identitetin, as me gjuhën. Si të ishte qindgjuhësor, si të ishte njëgjuhësor, atyre nuk u pengon vendimi për paratë. Pasi vjedhin nga qytetarët.
4Ja ku keni edhe një shembull të shërbimit efikas publik, mbi të cilin na foli ambasadori amerikan. Ndërsa ambasadori britanik nuk na e vuri në pah, megjithëse historia ka elemente humori anglez.
Ngjarja ndodh në Radovish. Komuna është shumë e varfër dhe nuk ka pasur para që të blejë automjet për zjarrfikësit. Kështu, Shoqata e zjarrfikësve të Britanisë së Madhe u ka dhuruar një automjet të tillë. Fort të bukur. Anglez. Me dukje botërore. Kaq të bukur, sa kur u martua shoferi i zjarrfikësve, u nis me gjithë atë. I spitullosur, me muzikën deri në kulm dhe flamurin e Maqedonisë që valëvitej mbi kabinë, me të gjitha salltanetet.
Por kjo nuk është e gjitha. Ndërsa dhëndri po shkonte në punë, që të mos e çonte kohën më kot, pasi ndërkohë nuk kishte ndonjë zjarr, në ditë punë, ai me furgonin e tij i ka transportuar mësueset nga shkollat shtetërore në shtëpitë e tyre dhe nga shtëpia në shkollë. Për më tepër për këtë ka qenë i lajmëruar shefi i tij. Madje ka marrë dhe honorar, nga buxheti i komunës, nga paratë e qytetarëve. Mos e dhëntë Zoti të kishte ndodhur ndonjë zjarr, do t’i kishte lënë mësueset në mes të rrugës.
Mirë ama, meqë furgoni i zjarrfikësve nuk është i tiji, por i qytetarëve, dikujt i është kujtuar ta paraqesë. Dhe kur policia ka shkuar të kërkojë dhëndrin dhe shefin që i ka mundësuar të punojë me honorar, në objektin e zjarrfikësve ka gjetur aparat për kumar. Se çfarë kanë bërë me aparatin për kumar, mbetet për t’u parë. Por, është e sigurt që nuk e kanë dhuratë nga ndonjë ambasadë e huaj. Madje edhe nëse do ta kishin blerë ata vetë, kanë merituar paratë, siç do të thoshin këta të KSHZ-së. Herë rrogë, herë honorar kanë marrë nga qytetarët.
Nëse e gjithë kjo do të bëhej film, njeriu duke e parë do të komentonte: “Eh, ku ndodh kjo? E tepruat paksa me kreativitetin. Sikur shumë po fantazoni”
5Në raportin e Komisionit për keqpërdorime me ndreqje manuale të lëndëve gjyqësore në Gjykatën themelore Shkupi 1 dhe në Gjykatën Supreme, Ministria e drejtësisë rekomandon: “të respektohet Ligji për gjykatat, Ligji për menaxhim me lëvizjet e lëndëve në gjykata dhe Rregullorja gjyqësore”. Kurse Këshillit gjyqësor i rekomandon: “të përcjellë punën e gjykatave në mënyrë permanente”.
Çfarë nuk keni të qartë? Shteti u rekomandon gjykatësve respektimin e ligjit. Kurse Këshillit gjyqësor, që të kryejë punën e vet.
Është absurde, por e vërtetë. Tashmë është budallallëk të pyesim – Ku po jetojmë?
6Ç’do të thotë nëse gjithçka është ligjore? Gruevski dhe klika e tij nuk ranë ngaqë punonin në mënyrë të paligjshme. Ranë sepse i dëgjuam bombat dhe pamë se sa të pafytyrë, sa vetjakë, sa të paskrupullt dhe të liq paskëshin qenë…dhe dëgjuam se si i kanë shtrembëruar ligjet sipas nevojave të tyre. Më saktë, për t’u pasuruar vetë me anë të parave tona.
Si thërrisnin? “Gjithçka sipas ligjit, shef! Më beso, ne i krijuam ligjet.
Zaev, përmblidhi pak zyrtarët. Sepse kur të fillojë llava, nuk do të ketë shpëtim. As NATO, as Junkeri e as Hani apo Borisovi, as përqafimet, as puthjet e duarve të priftërinjve apo rrahjet e shpatullave nuk të shpëtojnë dot…E mban mend? Thoshe: Kjo ligësi as se si nuk do të përsëritet.
Ja që ka filluar të përsëritet.
Përktheu: Fjolla Zllatku