Me portretet e kryetarit Stevçe Jakimovski në duar dhe mesazhin se ai është shkatërruesi i zonave të gjelbra në Karposh, sonte marshonin nëpër lagjen e tyre banorët e Taftalixhes. Kryetari Jakimovski nuk erdhi as në protestën e sotme, ndërkohë nuk erdhën as përfaqësues të Komunës për t’i dëgjuar mesazhet e banorëve të cilët ishin të vendosur të bënin gjithçka që nevojitej që të ndalonte sundimi i mafias urbane.
U mblodhën në rrugën Llondonska, vijuan drejt rrugës Varshavska deri te kompleksi “Nastell” dhe duke kaluar nga rruga Prashka mbërritën deri te parku në rrugën Bukureshka, e cila u bë simbol i luftës për gjelbërim. Duke kaluar pranë ndërtimeve të pallateve të reja, banorët bërtisnin: “Stevço llopov” duke thënë se si në disa prej lokacioneve ku tani ndërtoheshin shumëkatëshe, pronarët e mëparshëm nuk kanë arritur të merrnin miratime as për ndërtimin e ndërtesave trekatëshe.
Shoqata e qytetarëve “Zeleno Taftalixhe” është organizatore i marshit të sotëm. Ajo kërkon të pushojë së rëni cilësia e jetës në Karposh.
“Infrastruktura dhe kanalizimi i lagjes, pikë së pari, nuk mund të përballojnë tempon e re të ndërtimeve dhe si pasojë e këtij veprimi paraqiten vërshime, rrënim i tokës, asfalte të plasaritura, rritje në ndotjen e ajrit dhe në përgjithësi të lagjes, prerje e druve, uzurpim i parqeve, kërcënime ndaj qytetarëve dhe një veprim i bazuar krejtësisht mbi dëshirat personale”, thonë nga “Zeleno Taftalixhe”.
Shoqata qytetare para një jave e organizoi protestën e parë kësaj vere, që kur aktivistët numëruan plot 25 ndërtime të pallateve të reja vetëm në Taftalixhe.
Në atë protestë, qytetarët i lanë mesazhe kryetarit të shkruara në tabelat e kallajit : “Stevçe Jakimovski është shkatërrues i parqeve dhe gjelbërimit në Karposh”, “Stevçe Jakimovski: Askush nuk mund të na bëjë asgjë, jemi më të fortë se vetë fati – e betonove dhe shkatërrove Taftalixhen”. Gjithashtu ngjitën disa portrete të tija me fytyrën e zhgarravitur.
Portrete të tilla me fytyrë të zhgarravitur të kryetarit ndodhen edhe në marshin e sotëm kundër mafias urbane.