GURI I ROZETËS

Jo mër. Nuk dua ta kthejmë VMRO-në. Zoti na rujtë. Por ama, as nuk dua të bëni sikur kjo është jetë. Kemi parë jetë shumë më të mirë.

GURI I ROZETËS

1 Kam një problem serioz kur përpiqem të kuptoj ardhjen e jetës në Maqedoni. Kjo u bë veçanërisht e dukshme në euforinë e pritjes së Vitit të Ri. Sipas cilit ligj, ligjet në Maqedoni nuk vlejnë para Vitit të Ri dhe gjatë festave? Kuptoj se qeverisja 11 vjeçare e VMRO-DPMNE-së me drejtësi selektive dhe “britma e piskama” drejt kundërshtarëve politikë la pasoja serioze në tentimin për të kuptuar respektimin e ligjit. Por nga ana tjetër, nuk vdiqëm së dali nëpër rrugë për plot dy vjet në përpjekje për të rrëzuar regjimin vetëm që drejtësia selektive e VMRO-DPMNE-së dhe mosdënimi selektiv të zëvendësohej nga anarkia e LSDM-së.

Pothuajse tërë muajin para Vitit të Ri, ndonëse e ndaluar me ligj, pihej cigare në të gjitha kafenetë, mund të parkoheshe mbi trotuare, bar, ishuj për këmbësorë dhe rrugë, dhe për më tepër në mënyrë masive nuk respektohej dhënia e llogarive fiskale. Kurse më tmerrshmja nga të gjitha ishte se nuk dënonin as inspeksionet, as policia.

Erdhi jeta. E nëse fillon të dyshosh se kjo anarki substandarde nuk është jetë, të përgjigjen vetëtimthi: “Epo përndryshe, ta kthejmë VMRO-në”.

Jo mër. Nuk dua ta kthejmë VMRO-në. Zoti na ruajt. Por ama, as nuk dua të bëni sikur kjo është jetë. Kemi parë jetë shumë më të mirë. Dhe nuk e di se pse kjo anarki, për të cilën të gjithë ne jemi dëshmitarë, duhet të konsiderohet si kthim i jetës? E për më tepër, kjo duhet të vlejë për të gjithë.

Në fund të fundit, nuk po flasim më për qeverisjen e VMRO-DPMNE-së. Ajo është e kaluar. Për më tepër, e kaluar e hidhur. Po flasim për LSDM-në dhe koalicionin në pushtet. Dhe po flasim për kthimin e qeverisjes së të drejtës. Për kthimin e vlerave të qytetëruara. E jo për shfarosjen e tyre. Tani duket se qeveria po bën këtë të fundit.

2Ligji për ndalimin e pirjes së duhanit nuk respektohet pasi nuk ka pasur drejtor të Inspektoratit të tregut. Dhe inspektorët nuk kanë marrë rrogë për plot dy muaj. Po shef të policisë së komunikacionit, ka vallë? Pasi nëpër tërë qytetin, njerëzit po parkohen si t’u dojë qejfi. Po llogari fiskale pse nuk japin? Si mund të jetë kjo gjë më mirë për shtetin? Dhe jetë për të gjithë? A e dinë ata që nuk japin llogari fiskale se po vjedhin nga mësueset, mjekët, motrat medicinale, edukatoret? Ndërsa e njëjta vlen edhe për ata që nuk kërkojnë llogari fiskale.
Parkohen mbi trotuar apo në korsinë e tretë apo në shteg biçikletash, që të mund të kursejnë 30 denarë për parking, e ndërkohë që i shohin makinat e tyre se a janë në rregull apo jo, zhvillojnë biseda mbi temën se si shëndetësia qenka e këtillë apo se si shkollimi qenka i atillë…Po, nga do të paguhet ajo shëndetësi e ai shkollim kur nuk paguhen tatime dhe kur inspeksioni dhe policia nuk dënojnë për shkelje ligji?

Erdhi jeta për të gjithë. Por cilësinë e saj po e ndërtojmë sipas qejfit të mafisë urbane dhe të kafeneve. Mbrojtja e interesit publik – zero. Mirë që na i vodhën trotuaret dhe sipërfaqet publike për të ndërtuar zona najloni ku mund të pihet cigare, por tani edhe na detyrojnë të paguajmë tatime.

E edhe nëse fillon e dyshon se nuk është ashtu – ti nuk ke të drejtë. Nëse kërkon llogari fiskale – të shikojnë shtrembër. Nëse insiston që të respektohet ligjit – të shikojnë edhe më shtrembër.

3Si do që të jetë, e rëndësishme është ta ngopim mirë administratën dhe të blejmë një vend të rehatshëm në parti. Në 31 dhjetor kishte një mori marrëveshjesh të mbyllura të atyre që VMRO-DPMNE i angazhonte si makineri votuese për një kohë të caktuar. Në 1 janar, LSDM publikoi shpallje për punësime për kohë të caktuar. Një grup ngjitësish të posterave zëvendësohet me një grup tjetër. Dhe kjo bëhet me ritëm të koordinuar, me marrëveshje tre ose gjashtë mujore, që të mbahen nën kontroll. Një grup inkasatorësh të patarinave do të zëvendësohen me një grup inkasatorësh të tjerë. Një grup edukatoresh në çerdhe do të ndërrohen me një grup tjetër. Vetëm në Pyjet e Maqedonisë vihet re një progres cilësor. Do të punësohen 200 druprerës. Që t’u bashkangjiten atyre 1600 që VMRO-DPMNE i punësonte me lotari. Dikush do të duhet të punojë edhe në pyje. Administrata do të duhet të hajë bukë.
Vetëm inspektorë ekologjikë nuk punësuan. Pasi nuk ka se pse t’i kërkojnë ndotësit që e shndërruan shtetin në kamp përqëndrimi. Sepse nëse i gjejnë, do të duhet t’i dënojnë. Kurse jeta ka ardhur për të gjithë.

4Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi tashmë për gjysmë muaj nuk ka caktuar seancë. Dhe ashtu në mënyrë serioze i zvogëloi të ardhurat e deputetëve të brendshëm që marrin para nën pretekstin e shpenzimeve të udhëtimit.
Sipas llogarive të rrjetit hulumtues SKUP, deputetët marrin nga 3.800 deri në 4.200 euro për përdorimin e veturave të tyre për të ardhur në seanca në Shkup. Kjo është tri herë më shumë se sa rrogat e tyre.

Kjo do të thotë se deputeti në rolin e shoferit të vetes së vet, fiton tri herë më shumë se sa deputeti në rolin e deputetit. Gjë që do të thotë se deputeti si njeri i përzgjedhur nga populli që duhet t’i përfaqësojë interesat e popullit, të sjellë ligje dhe ta kontrollojë qeverinë vlen tri herë më pak se sa puna e shoferit të deputetit. Bashkarisht, deputeti-shofer dhe deputeti-deputet fitojnë katër rroga në muaj. Gjatë dy mandateve si deputete Sillvana Boneva gjashtë herë i ka rënë rrotull botës duke udhëtuar nga Shkupi nderi në Strumicë. Këta të rinjtë shumë shpejtë po e bëjnë rrethin e parë.

Tingëllon kot, por funksionon tashmë për 26 vjet. Sepse ashtu ishte ligji. Dhe këtë gjë e thonë deputetët që i ndryshojnë ligjet dhe që mund ta ndryshojnë dhe Kushtetutën. Madje edhe emrin e shtetit.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира