OPTIMIZËM CINIK

Logjika e Zaevit si biznesmen dhe logjika e Zaevit si lider i partisë janë në kundërshti me njëra tjetrën. Pasi nga tatimet e firmës së tij paguhen ushtarët partiakë.

OPTIMIZËM CINIK

1Takimi i kryeministrave të Greqisë dhe Maqedonisë, Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev dukej shumë i bukur. Nuk kemi parë ndonjëherë një ton të këtillë në takimet e politikanëve nga Maqedonia dhe Greqia. Të qeshur, pa konflikt, të gatshëm për bashkëpunim…Dhe gjithçka në frymën e autostradës “Miqësia”.
Ama, nuk e di se pse akoma kam frikë. Çfarë nëse kjo përpjekje për zgjidhje të çështjes së emrit nuk ka sukses?

Ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov thotë se është një optimist i shqetësuar. Ndonjëherë e përdor termin “optimist i kujdesshëm”. Unë nuk dua të jem pesimist, sepse ndjehem i lodhur së prituri dhe thjesht nuk dëshiroj të mendoj se nuk do të bëhet më mirë.

Unë jam një optimist cinik. Cinizmi ekziston pasi nëse nuk mbyllen negociatat tani, ne do të duhet t’ia nisim nga fillimi. E kur më kujtohet se çfarë fillimesh do të mund të na prisnin më vine ndër mend Palestina, Kurdistani…Bosnja.

Në njërën nga fotografitë kemi Zaevin dhe Cipras, fytyra të reja, politikanë të ri, të buzëqeshur dhe me humor të mirë. Në fotografinë tjetër i shohim grekët, të mbledhur me mijëra në sheshin e Selanikut, duke thërritur “Nuk e japim emrin”. Në njërën nga fotografitë shfaqet lajmërimi për relaksim të marrëdhënieve. Në tjetrën një lajmërim për tubim të ri në Athinë, pasi “po kërcënohet integriteti territorial”.

Ata nuk e japin emrin. E kërcënimi qenkemi ne. Ne, me 9.000 ushtarë e kërcënojmë Greqinë, që ka 90.000 ushtarë. Ne, me çizmet e ushtrisë dhuratë nga Sllovakia me afat skadence dhe me qebet në të cilat akoma mbahen inicialet “JNA”. Tanket dhe avionët, më mirë mos t’i numërojmë fare. Apo tre anijet në qendër të Shkupit, që në realitet janë shumë të rrezikshme atëherë kur bllokohen në derdhjen e Vardarit në detin Egje. Bashkë me gjinjtë e nënës së Aleksandrit, nga statuja në shatërvanin e sheshit që mban emrin e babait të Luftëtarit mbi kalë.

Pyes veten, kush janë ata njerëz që mblidhen nëpër sheshet e qyteteve greke e që na urrejnë kaq shumë? Mos janë po ata që na japin dhoma me qira në Halkidiki, ata në tavernat e të cilëve hamë, e te të cilët bëjmë pazarin në dyqanet e Selanikut dhe Florinës?

Mirë. Nuk janë në numër aq të madh krahasuar me vitin 1992 kur në Selanik u mblodhën miliona njerëz në protestë kundër Maqedonisë. Por gjithsesi…Veç kur më kujtohet se atëherë na vunë embargo. Mu atëherë kur e kishim punën pisk. Kur në veri të shtetit shpërthenin luftëra. Donin të na vdisnin.

Sa i keq duhet të jesh, sa i mallkuar, që të dëshirosh të vdesë fqinji yt?
Amerikanët e tejkaluan bllokadën. Na dërguan anije me grurë nga porti i Selanikut. Grurë. Që të kishim bukë.

Ç’do të bëjmë nëse ata njerëz bëhen përsëri faktor për marrje vendimesh në Greqi?

2Ndërkohë që kryeministri Zaev ndërton miqësi me Greqinë në Davos, e përqafohet me Bullgarinë, në Maqedoni nuk po ndodh asgjë e re. Vazhdon shpikja e vendeve të reja të punës për kuadrot partiake për të cilat paguajmë të gjithë ne.
Kur shikon shpallje në MEPSO, ku kërkohet një kopjues me rrogë prej 25.000 denarëve, pyet vete: Po mirë, ne që krijojmë firma private, mos jemi budallenj? E do të të dërgojnë inspeksione, do të të shpikin tatime të reja, do të të dënojnë me lloj lloj pretekstesh…

Të pasur janë ata që gjithsej në vit kanë përfituar 16.000 euro. Aq sa dhe shpenzimet vjetore të rrugës së një deputeti. Shteti numëron 1 përqind njerëz të pasur, bashkë me oligarkët. Dhe do t’ua rrisë tatimet, që të ketë para për të paguar kopjuesit.

Kopjuesi kopjon për 25.000 denarë në muaj. Edhe parkuesi i makinave në Komisionin rregullator parkon makina për 30.000 denarë. Edhe punonjësja për protokoll në ELEM ka një punë, për 30.000 denarë. I mirëpret mysafirët dhe i përcjell nga hyrja te ashensori dhe anasjelltas.

Pra, të gjithë që aspirojnë të përfitojnë më shumë se një milion denarë honorar, ta dinë se tatimi më i lartë do t’u shkojë atyre që merren me punë të këtilla tejet të rëndësishme dhe fisnike në firmat shtetërore.

Në ato vende nuk pranohen njerëz sipas cilësisë, aftësive apo dijes. Në ato vende nuk mund të ketë qasje gjithkush. Deri te kopjuesi dhe portieri arrihet vetëm nëpërmes privilegjit partiak. Që kur janë përcaktuar zgjedhjet, ka qenë e qartë se kush do të punësohet si kopjues në firmë shtetërore nëse fitojmë.

Si e duron Zaevi këtë gjë? Si e duron zëvendës kryeministri Koço Angjushev? Të dy vijnë nga biznesi. A ekziston në firma punonjës protokolli dhe kopjues? Dhe atë, me një rrogë kaq të lartë? A do të kishin shpikur vende pune të këtilla, vetëm për t’i punësuar fëmijët e tyre? Apo fëmijët e kushërinjve?

Logjika e Zaevit si biznesmen dhe logjika e Zaevit si lider i partisë janë në kundërshti me njëra tjetrën. Pasi nga tatimet e firmës së tij paguhen ushtarët partiakë.

3 E kur majtisti Branimir Jovanoviq, i cili punon në Ministrinë e financave, do të na qortojë: “Doni shëndetësi dhe arsim cilësor, por nuk doni të paguani tatim”, përgjigja është kjo: “Shikoje njëherë shpalljen në MEPSO. Dhe shiko se sa argëtues është sistematizimi i vendeve të punës në institucionet publike dhe ndërmarrjes shtetërore”.
Kur paguajmë tatime, ne nuk e dime nëse paratë tona do të përfundojnë te kopjuesi, te parkuesi, te punonjësja e protokollt, apo te deputetët për shpenzime udhëtimesh. Siç e shoh unë, deri më tani duket se paratë kanë shkuar te kopjuesi. Meqë në shëndetësi, nuk kam parë ndonjë ndryshim. As në arsim. Rroga e specializantëve të shëndetit publik është 23.000 denarë. Ndërsa rroga nismëtare e arsimtarëve është 19.000 denarë.

Ne nuk paguajmë për të mirën e përgjithshme. Ne paguajmë për kuadrot partiake, pa marrë parasysh se si quhet partia në pushtet.

Dhe, po. Unë nuk dua që VMRO-DPMNE të kthehet në pushet.

4Kur veçmë kemi hapur temën e parkuesit në Komisionin rregullativ, të rikutojmë se ai komision rregullativ ka llogaritur se në faturat e reja të ujit do të duhet të paguhet edhe përqindje për impiantet e pastrimit. Bëhet fjalë për ato impiante pastrimi që i ndërtojmë me paratë e të huajve. Pasi ne paratë tona i harxhojmë për rrogat e parkuesve.
Përndryshe, po ai Komision rregullativ ka llogaritur se çmimi i ujit duhet të ulet. Por faturat do të jenë më të larta. Domethënë, do të pimë ujë më të lirë, por do ta paguajmë më shtrenjtë.

Kësaj pune i thonë – gropë në ujë.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира