1 Për emrin dhe për negociatat mbi emrin nuk kam se ç’të them. Gjithçka që doja të them, e thashë në dy kolumnat e kaluara. E pse jo edhe gjatë 25 viteve të shkuara. Ndërsa me emrat, nuk dëshiroj të licitoj. E as të bëj shaka. Sepse, me të vërtetë është shumë e lodhshme që për një çështje aq idioteske dhe irracionale të bisedosh me argumente racionale. Dhe është shumë frustruese kur e di se ky problem që në thelb është shumë budallallesk, për ne paraqet çështje ekzistenciale.
Por, mua më shqetëson diçka tjetër. Çfarë bën pjesa e mbetur e qeverisë ndërkohë që kryeministri Zoran Zaev përpiqet të zgjidhë problemin me Greqinë? Çfarë bëjmë ne në shtëpi? Çfarë bëjmë më bindjen e përgjithshme fanatike se nëse problemi i emrit zgjidhet, do të zgjidhet gjithçka në shtet?
Ndoshta prandaj askush nuk e mban mend se para se të nisnim me zgjidhjen e emrit, qeveria e Zaevit ishte e zënë me një farë plani reformues i quajtur në mënyrë pompoze “3-6-9”. Po me reformat çfarë ndodhi? Deri në ç’numër arritën? Apo humbëm diku në vizat mes numrave.
2Tetë muaj pas formimit të Qeverisë dhe tre muaj pas marrjes së udhëheqjes të komunave, qeveria akoma mbetet te parashtresa “do të”. Do të bëjmë këtë, do të bëjmë atë… Në flasim për reformat e rëndësishme në gjyqësi, ndërsa ata i marrin Vangellovskin dhe Karaxhovskin që t’u bëhen këshilltarë. Do t’i çlironin mediat, ndërsa shërbimi publik MRTV është bastioni i fundit i shtetit të grabitur nga VMRO-DPMNE. “Tvërdokornët” janë lajmet kryesore çdo ditë. Reformat në administratën publike ngecën në mosvazhdimin e marrëveshjeve për punën e edukatoreve në çerdhe dhe mësueseve në shkollat fillore. Drejtorët i ndërrojnë nën presionin e bashkësive në fejsbuk dhe tuiter për “punë të pakujdesshme dhe të pandërgjegjshme”. Ndërsa drejtorët e VMRO-së që rrinë në institucionet e rëndësishme nuk i ndryshojnë. Pasi ata me siguri punojnë “në mënyrë të kujdesshme dhe të ndërgjegjshme”.
Si jo. Një Mercedes nuk arrijnë ta gjejnë për tetë muaj. Deri tani, ta kishin nxjerrë në autopazar- do ta kishin shitur. Ndoshta Gruevski do ta blinte me të vjetër, e do t’ua huazonte për mysafirë të veçantë. Një përmendore, të paktën njërën – atë të Qoses, të kishin arritur ta hiqnin. Miliona takime, komisione dhe elaborate kanë bërë. Akoma Qosja po vë drejtësi. Një ndalesë për makina gjatë fundjavës nuk mund ta zbatojnë. Dhe kjo ishte një masë që u përshëndet nga të gjithë. Që të mos shqetësohen ata që pinë kafe e t’i shohin makinat e parkuara gabimisht në bulevar. Policia u tha rrotullazi se ndoshta do t’i dënojë. Të mos dridhen kur të shohin merimangë. Karuselët me vlerë prej 340.000 euro akoma nuk arrijnë t’i ngarkojnë në kamion, e nga ana tjetër fryjnë gjoksin se do ta demontuakan të gjithë “Shkupin 2014”. E gjithë politika e shtetit për luftë kundër ndotjes u ngërthye në transportin falas dhe pagesën e kartave në mbrëmje. Sepse këtë pasdite fryu erë. Imagjino se e fortë duhet të jetë strategjia që të varen nga era që fryn apo jo. Ndërsa kryetari Petre Shilegov lëvdohet se në vitin 2021, Shkupi do të jetë qytet i gjelbër evropian. Si? Me strategjinë “Petre, fryu era”.
Ide fantastike. Por këta të pushtetit vetëm për Fejsbukun dhe Tuiterin punojnë. Pasi, realizim idesh – nuk ka. Ndërkohë ne akoma u falim. Demek, hajde se janë të rinj, kanë nevojë për kohë. Ndërkohë koha kalon. Ja ku po vjen pranvera. Deri në qershor, ndoshta do ta zgjidhim edhe emrin. Po me jetën, deri ku jemi?
3Pse ne si qytetarë kemi problem me qeverisjen joefikase të LSDM-së? Sepse në mendjet e tyre ata akoma zihen dhe garojnë me populizmin e VMRO-DPMNE-së.
Shembulli më i freskët është që Komisioni rregullator mori vendim që uji të shtrenjtohet sepse një pjesë e parave do të shkojnë për ndërtim dhe mirëmbajtjen e impianteve të pastrimit. Dhe akuzimeve të VMRO-së të tipit “edhe një goditje e rëndë në xhepat e qytetarëve”, kryetarët e LSDM-së zgjodhën që mos e shtrenjtonin ujin. Për Shkupin, shtrenjtimi i parashikuar ishte një denar për një kubik ujë.
Kryetarët e komunave na e shtrenjtuan ujin. Pa marrë parasysh se kështu kishte vendosur Komisoni rregullator. Pa marrë parasysh se përgjegjësia e impianteve të pastrimit është marrë nga BE. Nuk ka problem që kanë vendosur kështu. Por, kryetarët nuk thanë se prej ku do të gjejnë para për impiantet e pastrimit? Nga faturat e ujit, apo nëpërmjet disa faturave të tjera? A do t’i përzënë nga puna ushtarët partiakë të futur në të gjitha ndërmarrjet komunale? Do t’i ndjekin shfrytëzimet e paligjshme të ujit? Do t’i ulin harxhimet e kota të ujit? Do ta zëvendësojnë përdorimin e ndërtesës së barokut nga Ujësjellësi dhe kanalizim për hotel? Do ta shesin qilimin me diellin gjashtëkëndësh? Kur na e hoqën taksën e radiodifuzionit, por na e hipën çmimin e dizelit. Me sa duket, para nuk ka. E nga diku duhet të gjenden.
Sipas studimit nacional për ujë, i mbështetur nga BE, Maqedonia duhet të investojë 1.35 bilion euro në impiante pastrimi, sisteme ujësjellësi dhe kanalizimi në 21 vitet e ardhshme.
Deri më tani, të gjitha impiantet e pastrimit ndërtohen me ndihmë financiare nga fondet e IPA-s. E përkthyer në gjuhën tonë, kjo do të thotë – nëse nuk do të ishte BE, do të mbyteshim në mut.
4Kur po flasim për çështjen e populizmit, e jo për zgjidhjen e problemit, ja dhe një lajm nga Ohri. Kryetari Jovan Stojanoski propozoi rritjen e çmimit për huazim të hapësirave publike për tavolina dhe karrige në kafene. Mirë ama, kafexhinjtë kanë kundërshtuar dhe ai e ka tërhequr vendimin. Nuk u ka shkuar biznesi, ka qenë shumë i shtrenjtë. Epo, ky është Ohri. Është i shtrenjtë. Çfarë duan? Që trashëgiminë kulturore t’ua mbrojë UNESKO, e ata ta uzurpojnë me çmime të ulëta? Nëse dëshiron të kesh një kafene para një kishe apo me pamje nga liqeni, do të paguash. Sidomos nëse sheshin ku duam të vendosim tavolina dhe karrige e kemi ndërtuar të gjithë. Me të gjithë turistët që paguajnë taksë turistike.
Dhe çfarë bën kryetari? E shtyn zgjidhjen e problemit. Për të, interesi i kujt është më i rëndësishëm? Interesi i kafexhinjve, apo interesi i qytetarëve?
Problemet që i la qeveria e VMRO-së nuk zgjidhen me parrulla populsite. Zgjidhen me trimëri, vendosmëri, përgjegjshmëri dhe lidership. Nuk mund të sjellësh masë dhe më pas ta tërheqësh se dikush flet kundër në Fejsbuk. Apo t’i lusësh qytetarët ta respektojnë ligjin. Si drejtoreshën e DAP që i lut qytetarët të paguajnë tatim, dhe kafexhinjtë të japin llogari fiskale. Ndërsa policia i lut vozitësit të mos parkohen në rrugë. Inspeksioni i lut mysafirët të mos pinë cigare në kafene:
Në fund të ditës, LSDM nuk është këtu që të punojë për VMRO-DPMNE-në. Por që të punojë për qytetarët.
5VMRO i ditës kësaj radhe është “has” VMRO. Më saktë, lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, me shoqëruesit Aleksandar Nikollovski dhe Vllatko Gjorçev. Të cilët ishin në Bruksel dhe ministreshës së punëve të jashtme të BE, Federika Mogerini i janë ankuar se në Maqedoni nuk ka reforma të gjyqësisë, arsimit dhe ekonomisë.
Ne do të na duhen dy jetë që të reformohet gjithçka që VMRO-DPMNE ka shkatërruar, kurse Mickoskit i pengon fakti se Vangellovskit dhe Karaxhovski do ta këshillojnë Zaevin për reforma në gjyqësi.
Përktheu: Fjolla Zllatku