KAPITALIZËM DHE POPULIZËM

Pse ta vazhdojmë këtë muhabet, kur mendimi i qeverisë është t’i mbysë ata që fitojnë 1.000 euro, në mënyrë që ajo të mund t’i paguajë ushtarët e saj partiakë, të cilët as me lutje nuk duan të shkojnë në punë.

KAPITALIZËM DHE POPULIZËM

1Çështja e diskutimit për tatimin progresiv ka degraduar tërësisht. Jo për arsye se ne nuk dinim për diçka të tillë, pasi tatimi progresiv ishte pjesë e programit zgjedhor të LSDM-së. Por, për arsye se drejtimi i diskutimit shkoi në drejtim të një debati për të përcaktuar se a qenka pasanik ai që në Maqedoni fiton 1.000 euro në muaj dhe si pasojë e kësaj a duhet të paguajë tatim më të madh. Çështja nuk është se sa i madh do të jetë tatimi dhe cila shumë do të duhet të paguhet. Çështja është se në ç’mënyrë do t’i shpenzojë shteti paratë tona të marra nëpërmjet këtij tatimi.

E, këtë punë e pamë po të njëjtën ditë. Në debatin ku merrnin pjesë zëvendëskryeministri Koço Angjushev dhe ministri i financave Dragan Tevdovski u lajmërua tatimi prej 18 përqind i të gjithë atyre që do të fitojnë mbi një mijë euro në muaj. Njëkohësisht, ministri i administratës publike Damjan Mançevski dhe zëvendëskryeministri për zbatimin e Marrëveshjes kornizë Hazbi Lika, u kërkonin falje 1.600 të punësuarve në administratën e shtetit, të cilët me vite të tëra marrin rrogë edhe pse nuk shkojnë në punë. Prandaj i lusnin për herë të dytë që të vijnë në punë, që më në fund të mund t’i fitojnë rrogat e tyre. Ato rroga që i paguajmë ne nga xhepi jonë. Ata u japin dy shanse për të refuzuar vendin e punës. Ndërsa shansin e tretë ua jep BDI duke i kërcënuar se do ta braktisë koalicionin.

Unë e kuptoj logjikën e drejtësisë, që ata që fitojnë më shumë të paguajnë tatime më të larta. Por në bazë të cilave vlerësime reale ministri Tevdovski ka vendosur se ai që fiton 1.000 euro në muaj është pasanik? Mbi cilat vlerësime bazohet kur deklaron se njerëz të tillë përbëjnë vetëm 2 përqind të qytetarëve?

Në mes kapitalizmit dhe populizmit, përkufizimi i pasanikut mbase është kontestues. Por, një çështje edhe më kontestuese është ajo se si shpenzohen paratë nga tatimet. Sidomos duke qenë se jemi dëshmitarë se zyrtarët shtetërorë në krye me funksionarët, ministrat dhe deputetët më të lartë kanë një sistem përpunimi shumë të mirë për përthithjen rrënjësore të parave nga tatimpaguesit dhe transferimin e tyre në llogaritë private. Duke nisur nga tenderët dhe projektet ideore që kurrë nuk do të realizohen, e deri tek drekat, darkat dhe llogaritë fiskale të pagesave rrugore. Gjithsecilit sipas meritave dhe hierarkisë partiake.

2Çështja thelbësore nuk është se sa të lartë do ta kenë tatimin të pasurit, e sa të varfrit. Çështja është se a do të mundet shteti, me një tatim të tillë, të sigurojë shëndetësi dhe arsim cilësor, ajër të pastër që të marrim frymë dhe ujë të pastër për të pirë, trotuare për të gjithë, rrugë të sigurta, hekurudha, transport të mirë publik, administratë publike cilësore, ushtri, polici, mbrojtje të trashëgimive kulturore, krijimtari cilësore…Si për të pasurit ashtu dhe për të varfrit.

Kryeministri Zaev tha se debati publik mbi pragun e tatimit progresiv ka filluar tepër herët. E pse e filluan vetë debatin në radhë të parë dhe pse bëjmë fare muhabet në lidhje me këtë temë, kur deputetët ende nuk mund të bien dakord se kur do të shqyrtojnë ligjin me atë të të cilit duhet të ulen tatimet e pagesave rrugore. Tevdovski rrëfen histori për pasanikë me nga 1.000 euro në muaj, e ndërkohë ka nga ata deputetë që shpenzojnë minimalja 1.000 euro në muaj vetëm për pagesat rrugore, si shtesë e rrogave dhe mëditjeve. As rrogat e as mëditjet e tyre nuk u nënshtrohen tatimeve. Madje njëri prej tyre vetë u ankua se një njeri nuk mund të mbijetojë me 1.000 euro në Shkup. Ndërkohë që ca ministra kanë harxhuar 17.000 euro për 16 muaj nëpër kafene. Me siguri nuk do të kenë ngrënë e pirë aq shumë.

Kjo revoltë nuk është kundër faktit se nevojitet të paguhen tatimet. Por kundër faktit se ata që paguajnë tatim janë të ndershëm dhe të disiplinuar dhe kjo ndershmëri dhe disipline shfrytëzohet nga shteti për t’i pasuruar aparatet e veta partiake. Ngaqë qeveria shqetësohet vetëm për ushtarë partiakë, jo për mirëqenien e qytetarëve.

3Nikolla Gruevski dhe ekipi i tij nuk ranë për shkak se nuk bënte politika e tyre e tatimeve. Por sepse i vidhnin paratë e tatimeve në mënyrë të pamëshirshme. Ndërkaq, ushtria partiake e LSDM-së nuk ishte e mjaftueshme që ta shembte Gruevskin. I erdhën në ndihmë qytetarë të vetëdijësuar, profesionistë, studentë, biznesmenë dhe të rinj që kanë zgjedhur të mbeten në shtet.
Ata nuk janë njerëz që nuk duan të paguajnë tatime, por njerëz që pyesin se ku dhe si shpenzohen paratë që japin dhe presin rezultate nga tatimet. Edhe këta njerëz mund t’i sjellin shtetit zhvillim dhe vende pune. E jo administrata e shtetit, numri i të cilëve është pothuajse 10 përqind nga gjithë popullsia që ende nuk ia ka mbathur nga Maqedonia.

Ata njerëz dolën në pah kur votohej kundër Gruevskit. Nëse kjo prishje e pamasë e parave tona do të vazhdojë, ata njerëz do të dalin në pah edhe atëherë kur do të votohet kundër Zaevit.

4Vë re se si partitë kanë filluar t’i përzënë nga shteti inxhinierët IT, pasi ata nuk janë dakord të paguajnë tatim më të madh, sepse nuk konsiderojnë se janë pasanikë vetëm ngaqë marrin 1.000 euro në muaj. Atyre shteti u thotë: “Nëse nuk jua ka ënda, ikni që këtu!”.

Jo, jo! Ju ikni! Sepse neve, që vendosëm të qëndrojmë këtu, neve që nuk kemi pasaporta bullgare, neve që duam të punojmë ndershmërisht, të fitojmë rrogat tona e të paguajmë tatime, neve na nevojiten inxhinierët e IT, edhe pllakaxhinjtë, edhe hidraulikë, edhe elektricistë, artistë dhe arkitektë…Ndërkohë nuk jam dhe aq i sigurt se sa na nevojitet një administratë publike me 140.000 të punësuar.

Vallë, kë do të përzini? Ore, ikën edhe shoferët e autobusëve publikë. Vetëm gjatë një ndërrimi kanë dhënë dorëheqje 28 shoferë për të ikur në Maltë. Në Institutin Gëte ka tre paralele vetëm me mjekë që mësojnë gjuhën gjermane. Mirë që s’do të ketë kush të na transportojë brenda qytetit, por nuk do të ketë as kush të na mjekojë.

Pse ta vazhdojmë këtë muhabet, kur mendimi i qeverisë është t’i mbysë ata që fitojnë 1.000 euro, në mënyrë që të mund t’i paguajë ushtarët e saj partiakë, të cilët as me lutje nuk duan të shkojnë në punë.

5Prokuroria ngriti akuzë për aktet e dhunës në Parlament më 27 prill, vitin e kaluar. Hetimi zbuloi se sulmi ka qenë i organizuar. Prokuroria i akuzoi organizuesit dhe ekzekutuesit e sulmit. Po porositësit, cilët janë?
Sipas prokurorisë, sulmi ka filluar që në orën 14.30, kur në Vjenë, nga një telefon që paguhet nga paratë tona, ka telefonuar dikush nga sigurimi i liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe ka dhënë urdhër që të fillojë aksioni. Atë ditë në Vjenë ka qenë edhe Gruevski në ndonjë takim partiak me ndonjë të ashtuquajtur Habsburg.

Në mbrëmjen e sulmit të Parlamentit, Gruevski u kthye nga Vjena. Ndërsa të nesërmen në mëngjes tha se gjatë sulmeve kishte folur dy herë me drejtorin e Byrosë për siguri publike, Mitko Çavkov. Po ky Çavkovi, për dy orë të tëra atë ditë ka qenë i padisponueshëm në telefon kur e kërkonte ministri i atëhershëm i punëve të jashtme, Agim Nuhiu. Sikur kjo të mos mjaftonte, Gruevski shtoi: “Të kishte dashur dikush ta vriste Zaevin, do ta kishte vrarë”.
Kaloi pothuajse një vit, kurse mua akoma më zë stomaku kur mendoj se ç’do të na kishte gjetur, nëse do të kishte pasur sukses grusht shteti i atij që as nuk figuron fare në akuzë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира