FANTAZI CIKLIKE

E di çfarë ka të re? Që çdo kthimi nga fillimi, ne i gëzohemi sikur të ishte hera e parë.

FANTAZI CIKLIKE

1“Marrëveshja e sotme hap një portë të re mundësish, hap mundësi për bashkëpunim të ri me Evropën dhe brenda saj, megjithatë tani vjen puna e vështirë. Ne jemi këtu që të ndihmojmë te përpjekjet tuaja, e ardhmja është në duart tuaja dhe në duart e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Mirësevini në familjen tonë të zgjeruar”.
Ky nuk është një fragment nga deklarata e përfaqësueses së lartë të BE-së për siguri dhe politikë të jashtme, Federika Mogerini në Parlamentin e Maqedonisë më 19 prill, 2018. Kjo deklaratë daton plot 17 vjet më parë, nga 9 prilli i vitit 2001, deklaratë e ministres suedeze për punë të jashtme, Ana Lind. Si përfaqësuese e Suedisë, e cila atëherë ishte kryesuese e BE me Unionin, e nënshkroi Marrëveshjen për asociacion dhe stabilizim me kryeministrin e atëhershëm të Maqedonisë, Ljubço Georgievski në Luksemburg. Atëherë kur kryeministri i Luksemburgut ishte Zhan Klod Junker, kryetari aktual i Komisionit Evropian.

Stabilizimi vazhdon akoma. Ndërsa asociacioni akoma nuk ka nisur.

Shikoni, edhe e ndjera Ana Lind, ashtu si Mogerini tani, na paska thënë se tek tani na vjen punë e vështirë. E ka thënë, e shkreta, po askush s’e bëri hesap.

Eh, sa histori të bukur na kishin përgatitur që në vitin 2001, kur Ana Lind dhe Ljubço Georgievski fotografoheshin me gota shampanje në Luksenburg. Me demek, do të shkojmë në BE, do të na pranojnë në NATO, do të jemi shembull për raporte të mirëfillta ndëretnike, do të ndërtojmë ekonomi të një demokracie të tipit perëndimor…

Në nënshkrimin e asaj marrëveshjeje, përveç Lind, kanë marrë pjesë edhe eurokomesari i atëhershëm për politikë të jashtme, Kris Paten dhe përfaqësuesi i lartë i atëhershëm për siguri dhe politikë të jashtme të BE, Havier Sollana. Treshja evropiane deklaroi atë kohë: “Maqedonia është model që duhet ta ndjekin edhe shtetet e tjera të rajonit, njerëzit në Maqedoni e dinë se kanë ardhmëri për të cilën ia vlen të luftohet.”.

Dhe kjo gjë është fakt. Për shembull, Kroacia e ndoqi shembullin e Maqedonisë. Marrëveshjen për asociacion dhe stabilizim e nënshkroi pas nesh. Ndërsa hyri në BE në vitin 2013. Ndërkohë, qytetarët e Maqedonisë, ngaqë dinin aq shumë të luftonin për të ardhmen, për plot 11 vjet e votuan Gruevskin.

Dhe nuk janë vetëm deklaratat e burokratëve të BE-së ato që kanë mbetur po të njëjtat prej para 17 vjetësh. Ja një deklaratë të një kryeministri të Maqedonisë: “Ne e kuptojmë marrëveshjen si një premtim për më shumë demokraci, më shumë reforma dhe më shumë zhvillim multietnik. Marrëveshja është sfidë e madhe dhe për pak kohë do të  arrijmë shumë rezultate”.

Kjo deklaratë nuk është deklaratë e Zoran Zaevit e dhënë dje. Kjo është deklaratë e Ljubço Georgievskit e dhënë më 9 prill të vitit 2001.

2Fëmijët e lindur më prill të vitit 2001, kur Ana Lind dha deklaratën mbi përparimin e Maqedonisë, në prill të 2019 do të mbushin 18 vjet dhe do të votojnë në zgjedhjet presidenciale.
Më 19 prill të vitit 2017, Federika Mogerini iu drejtua po kësaj gjenerate që është në prag të së drejtës për të votuar. Siç tha, e frymëzuar nga vajza e tij tinejxhere, rrugën e Maqedonisë drejt BE-së e krahasoi me një video lojë. “Kur të keni përfunduar një nivel, kaloni në nivel të ri, por merrni bonus.” Qëllimi i vërtetë nuk janë institucionet, por përmirësimi i standardeve të qytetarëve”, tha Mogerini.

Loja quhet “Fantazi ciklike”. Vjen deri në një nivel dhe fiton bonus. Më pas, në nivelin tjetër të marrin dy bonuse. Dhe përsëri fillon nga fillimi, por nga një nivel akoma më të ulët. Megjithatë, ti përsëri gëzohesh. Pasi, të kanë dhënë mundësi për të filluar nga e para. Dhe për më tepër, është e rëndësishme të jesh në lojë. Gjegjësisht – është e rëndësishme të luajnë me ty.

Kështu, pra na vijnë gjeneratat e reja të votuesve.

3Dje në Maqedoni në erdhi Ramush Haradinaj, për të cilin shërbimet e huaja thonë se është komandant i UÇK-së. U takua me Kolin Pauellin dhe bashkë pinin kafe në Aleksandar Pallas. Nuk është për t’u çuditur. UÇK në një nga “komunikatat” e saj, na porositi që të mos i kërkonim nëpër male, se ata do të vinin në qytet”.
Ky lajm nuk është nga kjo e enjte, 19 prill. Ky është fragment nga kolumna “Sakam Da Kazham” e publikuar më 14 prill të vitit 2001.

Pas 17 vjetësh, komandantët e UÇK-së kanë përparuar. Ata tani as me shkop nuk mund t’i detyrosh të shkojnë në mal, madje as për piknik. Aq rehat e kanë nëpër ministritë dhe vendet e drejtorëve.

Ne i gëzohemi edhe këtij fakti.

4Ç’nuk ka ndodhur, ç’nuk ka kaluar, ç’nuk kemi parë…Por, e dini se çfarë është e re? Që çdo kthimi nga fillimi i gëzohemi sikur të ishte hera e parë.

Kush e di se pse është mirë kjo?

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира