ZEMRA TË THYERA

Në përvjetorin e sulmit të Parlamentit, ende nuk dihet nëse ka ndonjë hetim në lidhje me rolin e kryetarit Gjorge Ivanov, apo deri ku është ai proces.

ZEMRA TË THYERA

1 Sa e sikletshme kur i dëgjon të huajt se si e lëvdojnë Zoran Zaevin dhe Qeverinë. Dëgjoj kryetarin e Këshillit Evropian, Donalld Tusk se si ka ndjerë “një dëshirë të vërtetë politike për të nxitur integrimin euroatlantik”. Nuk është diçka për t’u turpëruar, por mua më kaplon frika. Ngaqë, më kujtohet se si e lëvdonin Nikolla Gruevskin me gjithë ekipin e tij në 2006 dhe 2007. Teknokratë të rinj, reformues, të guximshëm…Madje edhe vizita e parë oficiale te Angela Merkel.
Pastaj erdhi prilli i viti 2008. Më pas samiti i NATO-s në Bukuresht. Presidenti amerikan Xhorxh Bush na kishte uruar ftesën për NATO e të nesërmen Greqia na vuri veto. Atë kohë të gjithë që e lëvdonin Gruevskin se u solidarizua me Greqinë. E me anë të inercisë vazhduan ta lëvdojnë deri në vitin 2011. Kurse Gruevski, kur pa se nuk kishte haber nga lëvdatat, pasi BE dhe NATO nuk mund ta realizonin atë që kishin premtuar, kuptoi se mund të bënte ç’të kishte qejf. Kështu, e ktheu shtetin në epokën antike.

Çfarë bëjmë nëse BE dhe NATO, pas gjithë këtyre lëvdatave, përsëri lejojnë Greqinë të na bllokojë?

Eh, prandaj i kam frikë lëvdatat.

2 Në përvjetorin e sulmit të Parlamentit, më 27 prill 2017, e vetmja gjë që dihet është se sulmi ka qenë i organizuar. Por nuk dihet se kush është organizatori.
Eh, kjo është dinamika me të cilën zbatohet drejtësia në Republikën e Maqedonisë. Kjo është dinamika me të cilën lëviz një shtet i tërë.

3 Një ditë pas sulmit të vjetshëm të Parlamentit, më 28 prill, Zoran Zaevi e akuzoi presidentin Ivanov se është një prej organizatorëve.
“Dhuna ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesit legjitimisht të përzgjedhur nga populli, në Parlament ishte e organizuar nga Nikolla Gruevski, Gjorge Ivanov, Mitko Çavkov dhe bashkëpunuesit e tyre, të cilët nuk dëshirojnë të ketë një transfer të qetë të pushtetit. Ajo që ndodhi mbrëmë ishte tentim për vrasje të planifikuar”, deklaroi lideri i LSDM-së dhe në atë kohë deputeti Zaev, në konferencën e shtypit më 28 prill, 2017.

Në përvjetorin e sulmit të Parlamentit, nuk dihet nëse ka ndonjë hetim në lidhje me rolin e kryetarit Gjorge Ivanov, apo deri ku është ai proces. Pas një akuzë të tillë serioze nga ana e një personi i cili tani është kryeministër, me të vërtetë dinamika me të cilën zbatohet drejtësia në Maqedoni nuk është për t’u lëvduar. Është për të pasur frikë. Ivanovi është akoma kryetar.

4 Një ditë para përvjetorit të sulmit të organizuar të Parlamentit, deputetët e VMRO-DPMNE-së mu në Parlament lëshuan muzikë çiçek. E ndryshuan liderin, por sensi i humorit u mbeti po ai.
Kujdestarët u nervozuan ngaqë të punësuarit e firmës që ndërtonte autostradën Demir Kapija – Smokvicë kishin filluar të kërcejnë çiçek në mes të tunelit. U qenkësh dukur si punë VMRO-je. Pastaj vmrovcat u fyen, e që të tregohen të zgjuar, i lëshuan çiçek LSDM-së. Se ata, në darkat e tyre të famshme të komitave, festojnë e kërcejnë vetëm me muzikë operistike dhe baleti.
Ç’kujtojnë ata? Se meqë lëshuan çiçek në Parlament ne do t’ua harrojmë vjedhjet?

Ndërkohë këta të qeverisë, dinë se si ta qëllojnë temën. Në vend që t’u thonë: “Ju i mblodhët paratë, kurse ne muzikantët”, ata mbroheshin. E kështu, lajmi kryesor ishte se Ministria për transport nuk mban përgjegjësi për çiçekun në tunel. Tërë javën shteti merrej me çiçekun dhe jo me faktin se 28 kilometra ndërtoheshin për 6 vjet dhe se një kilometër kushton të paktën 8 milionë euro. Pa i përmendur hetimet evropiane kundër Aktorit mu për këtë seksion të rrugës, provizionet për autostradat, muhabetet e tipit “se mos është shumë”, meseleja mes Mile Janakieskit dhe Nikolla Gruevskit përmes kufirit…Kush e di, ndoshta një pjesë e atyre parave tani janë kthyer e ndodhën në ballin e muzikantëve dhe tupanxhinjve të tunelit.

VMRO-DPMNE lajmëroi se Maqedonisë nuk i duhet muzikë bleh por i duhen investime. “Se mos është shumë” kjo që kërkon VMRO-DPMNE? Mos nevojitet të kthehen pesë përqind?

5 Ç’të keqe ka të luhet çiçek, qoftë edhe në tunel? Pse u dashka të turpërohemi nga të huajt? Nga vjen kjo nevojë, vallë, që të prezantohemi ashtu siç nuk jemi? E nga cilët të huaj të turpërohemi? Nga këta që na i mbledhin mbeturinat?
Në të njëjtën mënyrë, edhe rrugët tona shkëlqejnë vetëm kur kemi ndonjë Super Kupë apo ndonjë samit politik. Që të mos na shohin të huajt. Cilët të huaj do t’i mahnitim? Ambasadorët e Holandës, të SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe, që të enjten mblodhën plot 8 metra kubikë mbeturina në kejin e Vardarit?

Madje edhe Zvicra e dashur, e cila ka harxhuar miliona franka për projekte ekologjike në Maqedoni, nuk arriti të përmbahej. Në profilin e fejsbukut, ambasada e Zvicrës me rastin e Ditës së Tokës publikoi një sërë fotografish me mbeturina nëpër natyrë. Dhe nën galerinë e fotove shkroi: “Maqedonia është shtet i bukur me pejzashe të klasit botëror. Por, ka dhe një anë jo aq të bukur. Këto fotografi na i thyen zemrat dhe duam të punojmë së bashku në mënyrë që deponitë e paligjshme të bëhen diçka e të kaluarës”.

Ue, sa këmbëngulës këta zviceranët. Nuk heqin dorë, jo. Sërish duan që të punojmë së bashku. Pasi atyre u janë thyer zemrat. Nga mbeturinat tona. Ne nuk kemi zemra për të thyer. Zemrat tona janë zemra heroike.

Prandaj e kemi të vështirë që të rregullojmë shtetin. Pasi nuk kemi sens për komunitet. Prandaj interesi i përbashkët përfundon në pragun e shtëpisë. Dhe në sehir. Madje as një ashensor që të gjithë e ndajmë në ndërtesën ku jetojmë, askush nuk e ndjen si të vetin. E le të mos flasim për malet, lumenjtë, parqet, trotuaret, zonat e këmbësorëve, transportin publik…

Siç e shoh unë, paskemi për të thyer edhe shumë zemra të tjera. Mirë që të huajt përpiqen të na ndërtojnë shtetin. Por, u duhet edhe të na e pastrojnë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира