EUROPA ZDAJ

Në qoftë se edhe pas këtij demonstrimi nga Ivanovi në ditën e Ilindenit, nuk e keni të qartë se drejt çfarë të ardhmeje po ju çon ai dhe ata që duhet t’i shpëtojë nga burgu, bojkotoni. Ktheni Gruevskin.

EUROPA ZDAJ

1Të thërrasësh grupe tifozësh për shënimin e 115 vjetorit të kryengritjes së Ilindenit që të duartrokasin në shenjë mbështetjeje duke bërtitur “Mërtov shiptar e dobar shiptar”, nuk do të thotë se je budalla, ashtu siç mendojnë shumica për Gjorge Ivanovin. Do të thotë se je një manipulues i lig që është i gatshëm ta shkelë edhe veprën e Ilindenasve, në të cilën betohet partia që të solli në pushtet, vetëm që të shpëtosh sponsorët e tu nga burgu. Madje Ivanovi tentoi të shfrytëzojë Kiro Gligorovin për promovimin e tij, ndërkohë që mbështetësit e tij e shanin Gligorovin, si deri sa jetonte ashtu edhe pas vdekjes.

Gjorge Ivanovi atë ditë në Meçkin Kamen nuk i fëlliqi vetëm varret e Ilindenasve. E poshtëroi manifestin e Krushevës, përqeshi bashkimin – themel i republikës së Krushevës, e përbuzi shtetin bashkëkohor maqedonas, i paimagjinueshëm pa bashkëjetesë.
Ivanovi na mban akoma të gjithëve peng për shkak të krimeve të Gruevskit, e me sa duket edhe që të shpëtojë veten e vet nga padrejtësitë që bëri, duke nisur nga falja e kriminelëve, sulmi në Parlament më 27 prill e deri më sot.
E, ashtu siç ata që dëshiron t’i shpëtojë nga burgu, e mbajtën shtetin edhe partinë nën robëri për 11 vjet, ashtu edhe ai ia doli ta rrëmbente festën e Ilindenit.

E nëse edhe pas kësaj ndodhie në Meçkin Kamen akoma nuk ju pëlqen Marrëveshja e Prespës, nëse akoma mbani inat ndaj faktit se emri Maqedonia e Veriut është më ofendues se sa FYROM, nëse akoma gjeni arsyetime për të mos mbajtur anë sepse thoni se nuk ju intereson politika dhe të “gjithë janë të njëjtë”, e për më tepër nëse akoma thoni se për inat, apo kush e di se për çfarë arsye, nuk do të dilni në referendum, e nëse filozofoni në paska qenë konsultativ apo i detyrueshëm e nëse pyetja paska qenë e dykuptimtë, e trekuptimtë apo kush e di se e sakuptimtë, e nëse jeni për BE, por jo për NATO-n apo anasjelltas, vazhdoni me filozofinë tuaj. Në qoftë se edhe pas këtij demonstrimi praktik nga Ivanovi në ditën e Ilindenit, nuk e keni të qartë se drejt çfarë të ardhmeje po ju çon ai dhe ata që duhet t’i shpëtojë nga burgu, bojkotoni. Ktheni Gruevskin. Ai do t’ju pyesë se çfarë mendoni, ai do t’ju shpikë pyetje më të bukur për referendum, ajo do t’ju çojë edhe në BE dhe në NATO.
Ndërsa ne që kemi mbetur akoma pa pasaporta bullgare, le të kapim radhën.

2Ku jeni o popull? Po vjen referendumi dhe duhet të vendosni për të ardhmen tuaj e ju prapë po tregoheni burracakë. U frikësuat nga mendimi se pas 30 shtatorit do të hapet një perspektivë e re për të mirën e shtetit.
Imagjinoni se në 1 tetor do të duket një dritë në fund të tunelit. Dhe se pas 27 vjet udhëtimi në atë tunel, papritmas do të keni mundësinë të dilni nga errësira. Por frika është e madhe. Sidomos nëse je maqedonas i vërtetë dhe ndjen kënaqësi nga të jetuarit në agoni. Me ankesat e tua se sa i përvuajtur je. Me këngët e tua melankolike. I bindur se je qendra e botës, por për fat të keq, të gjithë janë kthyer kundër teje. Gjithmonë dikush tjetër ta ka fajin për fatin e rëndë. Herë “delete ja, parçete ja” (ndani, copëtoni) “herë turku, herë serbi, herë bullgari, herë grekët e mallkuar, herë BE është kurvë, herë NATO janë terroristë, herë “të gjithë janë të njëjtë” Madje edhe vallja është tre hapa para një hap mbrapa, se mos t’i vejë mendja dikujt të shkojë tepër para.
Eh, këtij populli burracak edhe në vitin 1991 i duhej shpikur një pyetje e çuditshme referendumi, nëse dëshiron të bëhet shtet i pavarur, por jo dhe aq i pavarur. Se mos mbetemi vetëm, e të na hidhërohen serbët, e të mos mund të ushqehemi e të mbrohemi. Ndërkohë që sllovenët që në vitin 1989 thërrisnin “Europa zdaj”, ca këtej akoma e admironin Millosheviqin. Ja tani, shiko ku është Sllovenia e ku jemi ne. Ne ende mendohemi a jemi për Evropë apo jo. Debatojmë nëse BE do të falimentojë apo do të shpërbëhet.
Mos kini frikë. Ata që ju frikësojnë duke ju thënë se emri shekullor do të vdesë vetëm ju manipulojnë, pasi luajnë me kartën që është frika juaj. Emri shekullor nuk ka vdekur as atëherë kur nuk kemi pasur shtet. As gjuha maqedonase nuk ka vdekur. Kemi qenë maqedonas dhe kemi folur maqedonisht si nën turqit, ashtu edhe nën serbët e bullgarët. E shtetin nuk e kemi të vjetër prej shekujsh. Për herë të parë gjyshërit tanë arritën të kenë një shtet të maqedonasve në 1945. Dhe kanë krijuar një shtet në një pjesë të territorit që gjeografikisht shenjohet si Maqedoni. Pjesa e vetme ku pranohet gjuha maqedonase.
Kështu pra, në 30 shtator mund ta rregullojmë vetë problemin tonë më të madh, që nuk është se na mundon vetëm këto 27 muajt e fundit, por për shekuj të tërë. T’i mundësojmë shtetit një të ardhme të sigurt ku garantohet ekzistimi i maqedonasve dhe gjuhës maqedonase. Madje edhe nëse shteti quhet Republika e Maqedonisë së Veriut, në vend të FYROM. Ky emër është një zgjidhje shumë më pak e dhimbshme se sa ta quanim Krahina e jugut apo Bullgaria perëndimore, siç ka qenë para 1945.
Më mirë them të mos flasim më për këtë temë. Kërkoni çertifikatat e lindjes dhe dëftesat e gjyshërve tuaj. Në ç’gjuhë janë shkruar? Në serbisht? Në bullgarisht? Në ç’gjuhë janë shkruar dëftesat e maqedonasve në Bullgari apo në Greqi?
E në ç’gjuhë janë shkruar dëftesat tona nga vitin 1945 e tutje?

3Meqë po flasim për trimëri, ja një rekomandim nga ambasadorja e Zvicrës, Sibil Zuter Tehada, shtet i cili nuk është as në NATO, as në BE, por njihet për numrin më të madh të referendumeve në botë, ngaqë ky është instrumenti demokratik që përdor më së tepërmi për konsultime me qytetarët. Në fjalimin me rastin e festës kombëtare të Zvicrës, ajo tha: “Për një referendum të suksesshëm nevojiten diskutime të mirëmenduara mes politikanëve dhe komunikim i sinqertë me qytetarët. Përparim mund të ketë vetëm me anë të shkëmbimit të vizioneve, planeve dhe bashkëpunimit, jo me konfrontim. Dhe – ndonjëherë – ndryshimet duhen pranuar me trimëri jo vetëm të kritikohen apo të kihen frikë”.

4Besa, ne kemi fat që për të ardhmen tonë kësaj here nuk vendosin fqinjët. Duhet të ketë ndonjë interes që të ekzistojë një shtet i pavarur maqedonas, qoftë edhe kështu i varfër, pa dalje në det dhe pa dhe rrugë me gjithë Ivanovin dhe me gjithë bagazhin e VMRO-DPMNE-së, nëse tre ditë në mesin e kësaj vape në Departamentin e shtetit të SHBA ekziston një person i tretë përgjegjës për Evropën dhe Euroazinë. E madje edhe në Krushevë në festën më të madhe të shtetit, doli të dëshmojë për turpin që presidenti i shtetit ia bëri shtetit të vet. Doli aty që ta godasin me shishe barbarët e autobusëve, duartrokitësit e Ivanovit.

N.p. Zëvendës-ndihmës i sekretarit të shtetit të SHBA, Methju Pallmer i tha opozitës: “Punët duhen parë në mënyrë strategjike, duhet menduar se cila është e ardhmja më e mirë për qytetarët e Maqedonisë, sidomos për të rinjtë dhe duhen menduar seriozisht gjërat që ofron marrëveshja e Prespës siç është e ardhmja evropiane për Maqedoninë”.

Me një theks të veçantë te – “të rinjtë”. Duke i përfshirë edhe ata të përzgjedhurit e presidentit që për pak sa nuk e rrahën Pallmerin në Krushevë.

5Ç’të keqe kaq të madhe i bënë familjarët e atyre të diasporës, që bëjnë më shumë zhurmë nga të gjithë në thirrjet për bojkotim të referendumit, e nuk duan që të afërmit e tyre të jetojnë bukur e mirë siç jetojnë ata vetë? Duket sikur u vjen inat se ne mund të jetojmë mirë në BE dhe NATO, e prandaj duan të na mashtrojnë. Ata që nga larg, aty ku janë rehat e sigurt, na nxisin të bojkotojmë, e bojkotuan Maqedoninë që nga momenti kur vendosën të largohen. Prandaj, s’më bëhet fare vonë se ç’mendojnë ata për referendumin. Ne që mbetëm këtu dhe çdo ditë përpiqemi dhe paguajmë tatime që të ndërtojmë këtë shtet dhe jo një tjetër, nuk kemi kohë të merremi me mendimin e tyre.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира