MALLKIM MAQEDONAS

Do të kishte shkuar fort mirë me frymën e traditës maqedonase nëse më 30 shtator vendosim që të gjuajmë në kokë, për inat të pushtetarëve që gjuajnë në këmbë.

MALLKIM MAQEDONAS

1 Me ç’mendim zgjohen pushtetarët çdo mëngjes? Dhe kur them pushtetarë nënkuptoj të gjithë – nga deputetët e shumicës, e deri te ministrat, drejtorët, kryetarët e komunave, këshilltarët e shumicës, zyrtarët në pushtetet lokale…Thonë me vete: “Në cilën këmbë të gjuajmë sot?”

Kurse kryeministri Zoran Zaev do të ishte shumë i lumtur nëse do të kishte mundur t’i mblidhte të gjithë njerëzit e tij dhe t’u thoshte: “Dëgjoni, mos u tallni, pasi brekët ikën”. Sikur të mundej t’u jepte dhe urdhrin që “t’i ngrinin të gjitha aktivitetet deri në ditën e referendumit!”. E t’i luste që, në rast se i kanë vënë në përdorim personal xhipat zyrtarë për t’i çuar familjet e tyre nëpër plazhet e Greqisë, të durojnë edhe pak deri më 1 tetor. Dhe se fundmi, nëse do të mundej që deri më 30 shtator, të mos qeverisin, pasi te ne, fjala qeverisje nënkupton qeverisjen e keqe.

2 Ndërsa sa për histerinë rreth mushkonjave në Shkup, dëshiroj të ndaj këndvështrimin personal në lidhje me sjelljen e pushteti ndaj publikut. Shfaqet një zëdhënës i Qytetit të Shkupit dhe thotë se në Shkup janë bërë spërkatje kundër mushkonjave, por qytetarët nuk e kanë dëgjuar nga shkaku se avionët kanë qenë të qetë. Mirë. Mbase edhe kanë qenë të qetë. Por, ndaj pyetjes se me cilin lloj avionësh është kryer spërkatja, zëdhënësi thotë se nuk e di. “Pyesni firmën që ka spërkatur”, tha ai. Po kush e ka angazhuar firmën me paratë tona? Dhe, nga e dini se avionët janë të qetë, kur nuk e dini se ç’firme i takojnë?

Kështu, në redaksinë tonë iu përveshëm hetimit. Krahasonim tabelat e regjistrimit të avionëve nga foto të ndryshme, i krahasonim me listat në regjistrin e automjeteve ajrore, që të arrinim në konkluzionin se me të vërtetë bëhet fjalë për avionë katër herë më të qetë nga ata me të cilët është spërkatur vjet.

Pse bëmë këtë? Që ta hetonim deklaratën e Kabinetit të kryetarit Petre Shilegov, të cilën as vetë Kabineti nuk e mbështeti dot me fakte. Pasi, erdhën të papërgatitur në konferencë të shtypit. E për hir të së vërtetës, edhe gazetarët nuk janë aq të përgatitur për të kërkuar fakte. Por, le t’u kthehemi zyrtarëve, që paguhen nga xhepat tanë për të dhënë informacionin e duhur, e që në vend që të siguronin të dhënat e sakta, filluan të ziheshin me të gjithë që komentonin rreth avionëve të qetë. Nuk keni pse të pyesni, ju duhet vetëm të besoni.

Kjo është arroganca dhe përqeshja drejtuar secilit që parashtron një pyetje, që krijon tension të panevojshëm, e kështu një spërkatje e thjeshtë kundër mushkonjave shndërrohet në një problem global politik me pasoja të mëdha gjeostrategjike.

3 50 ditë para referendumit, nga i cili varet e ardhmja e shtetit, me këtë qeverisje të çorientuar, e thënë në mënyrën më të sjellshme, në një atmosferë të tensionuar, është gjë normale që edhe mushkonjat t’i thellojnë ndasitë.

Është gjë e mrekullueshme që në mesin e verës dhe pushimeve verore, mushkonjat janë lajm kryesor tashmë për tre ditë radhazi. Është e mrekullueshme që u ngritën në këmbë aq shumë për xhipin zyrtar me të cilin funksionari i lartë policor kishte çuar vajzën me shoqet e veta për pushime në Greqi. Në një shtet normal, është gjë normale që qytetarët të kërkojnë përgjegjshmëri dhe transparencë për shpenzimin e parave të tyre nga ana e politikanëve dhe funksionarëve të përzgjedhur. Ashtu sikurse është gjë normale që edhe politikanët dhe zyrtarët që marrin rrogë nga buxheti, të japin informatë të detajuar rreth shpenzimit të parave dhe të mbajnë përgjegjësi për gjënë që do të bëjnë dhe atë që do të thonë.

Ne kemi mundësinë që të bëhemi një ditë një shtet i tillë normal. Pasi temat e debatit publik në një shtet normal janë përgjegjësia, transparenca dhe qeverisja e mirë. Për këtë do të flasim më 1 tetor. Në qoftë se më 30 shtator nuk vendosim të gjuajmë në kokë, për inat të pushtetarëve që gjuajnë në këmbë.

4 Andaj më duken të kota të gjitha thirrjet drejt Zaevit dhe njerëzve të tij: “Hellooo, thirrni mendjes ose do t’ju dështojë referendumi”. Si mendoni “Do T’JU dështojë?” Kujt do t’i dështojë? Zaevit? Apo Ali Ahmetit? Apo Shilegovit, apo atij kryetarit nga Novo Sella që bënte kontrabandë me cigare, apo ministrit Venko Filipçe me tender prej 35 milionë eurosh, apo drejtorit për siguri publike në MPB…Jo, more. Neve do të NA dështojë. Neve, që kemi vendosur të jetojmë këtu dhe me përpjekje mbinjerëzore po luftojmë që të krijojmë një shtet ku përgjegjshmëria, transparenca dhe qeverisja e mirë nuk do të jenë tema jashtëtokësore. E ku askush nuk do të ta shajë nëse ti pyet se me çfarë lloj avionësh është bërë spërkatja kundër mushkonjave. Përfundimisht, një shtet në të cilin hyrja në BE dhe NATO nuk do të varet nga thumbimet e mushkonjave.

Eh, mër popull. Më 30 shtator nuk votohet për VMRO-DPMNE ose për LSDM. Për ta do të votojmë në zgjedhje të tjera. Më 30 shtator do të votojmë për vete. E nëse mbetemi shtet jonormal, jeta me siguri nuk do të na përmirësohet. Ja, edhe raporti i fundit i Këshillit të Evropës tregon se është për t’u zhgënjyer se si nuk kemi bërë asgjë në lidhje me parandalimin e korrupsionit. Për më tepër që bëhet fjalë për korrupsionin te deputetët, gjykatësit dhe prokurorët.

Kështu që nëse nuk ka sukses referendumi, do të mund të vazhdojmë të jetojmë në baltën e njëjtë, siç kemi bërë për 27 vjet. E problemet do t’i zgjidhim siç e kemi bërë deri tani. Me mallkime.

5 Këndshëm u habita kur zbulova se kjo gjë për të cilën kam shkruar muajt e fundit, dhe shpesh herë e kam përmendur që nga 1991 e deri më tani, paska një përkufizim shkencor.

Neuropsikologu i mirënjohur maqedonas, dr. Metodi Çepreganov në lajmet e TV 24 dha një përshkrim profesional të gjendjes shpirtërore të shoqërisë së Maqedonisë:

“Në qoftë se dikush është kundër së ardhmes së shtetit të vet, kemi të bëjmë me një karakter destruktiv. Unë shikoj shumë njerëz që kanë destruksion të madh, ndërsa destruksion do të thotë ndryshime në karakter. Kurse ndryshimet në karakter nënkuptojnë: gjuhë të urrejtjes, varësi nga zilia, paranoja, etj…Kjo është gjëja, me të cilën për fat të keq po ushqehet populli maqedonas…Evropa, me një fjali, është objektive, reale dhe nuk ka improvizime e as emocione. Ne jemi jorealë, joobjektivë, me shumë emocione që na e ngushtojnë vetëdijen dhe mendimin logjik dhe si përfundim, improvizojmë te gjithçka që bëjmë. Çdo gjë që ne bëjmë është improvizim. Kjo është e pashmangshme…Mendoj se diskutimi për referendum nuk duhet bërë. Ky popull vetë ia pret vetes degën që e ndihmon që të shkojë para. Neve na duhet nјë fletë pronësie, por nuk e kemi”.

Ashtu që, edhe po mos të hymë në NATO, NATO-s mund t’ia shesim një helm të ri lufte – mallkimin maqedonas.

Ja na thoni cili shtet tjetër në NATO ka privilegjin të ketë një fjalë të urtë si kjo: “Shumë mirë nuk është mirë”. Vetëm një popull që ndjen kënaqësi në të qenët keq, duke theksuar se të gjithë të tjerët ia kanë fajin për këtë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

 

 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира