1Bashkimi Evropian e filloi fushatën për referendumin mbi emrin e Maqedonisë me titullin “A mund të imagjinosh një të ardhme së bashku?”. Fushata është për ta. Pasi ata pyesin nëse mund ta imagjinojnë të ardhmen bashkë me ne. Të kishte qenë fushata për ne, atëherë pyetja do të duhej të ishte: “A mund të imagjinosh një të ardhme?”. Më saktësisht, a mund të imagjinosh fare një të ardhme, me të gjithë skenarët katastrofikë që na karakterizojnë dhe me instinktin e vetëshkatërrimit që po vazhdojmë së forcuari me shekuj?
Hej, merre me mend, Bashkimi Evropian ka nisur një fushatë për të na bindur se do ta kemi mirë në shoqërimin e tyre. Do të na japin edhe 150 milionë euro që të na e përmirësojmë jetën në vendet ku jetojmë. Ambasadorët në vendet anëtare të BE do të shkojnë qytet më qytet për t’i mësuar kryetarët e komunave se si t’i shfrytëzojnë paratë e BE-së për një jetë më të mirë për qytetarët. E do t’u thonë, ju ndërtuam rrugë lokale, kanalizime, jua pastruam kanalet, jua rinovuam kopshtet, jua restauruam kishat, xhamitë, ju dhamë shtretër për spital, automjete ambulance dhe zjarrfikëse…Edhe mbeturinat jua pastruam se jeni popull i thjeshtë e dembel. Vallë, u dashka edhe t’ju bindim se do ta keni më mirë gjirin e familjes sonë?
Edhe SHBA vazhdon të përsërisë se për 25 vjet kanë qenë miqtë tanë. Aq të ngushtë, sa edhe na pranuan si Republika e Maqedonisë. Dhe vazhdojnë të na bindin se do të jenë miq tanë edhe më tej. Dhe se do të vazhdojnë të na mbështesin edhe në të ardhmen, si Republika e Maqedonisë Veriore. Ata do të vazhdojnë të na i pastrojnë mbeturinat, do të na e rregullojnë gjyqësinë, do të na japin bursa për të rinjtë, do të na e modernizojnë agrikulturën, do të na i rinovojnë spitalet dhe do të blejnë pajisje për ushtrinë dhe policinë e do të na i mbrojnë vendet arkeologjike.
Na u bënë të bezdisshëm me përsëritjen e vazhdueshme se me Marrëveshjen me Greqinë identiteti maqedonas është i pakontestueshëm dhe se gjuha maqedonase pranohet. Për më tepër, se me anëtarësimin në NATO fqinjët jomiqësorë të deritanishëm, Greqia dhe Bullgaria, do të na bëhen aleatë, të cilët do të kenë për detyrim ta mbrojnë edhe sovranitetin dhe integritetin tonë.
Jo, jo. Ne nuk duam të shkojmë në BE dhe NATO. Pse? Sepse Filarmonia e Maqedonisë do të quhet Filarmonia e Maqedonisë Veriore.
2E që kur Bashkimi Evropian na pyet: “A mund të imagjinosh një të ardhme së bashku?”, le t’i parashtrojmë edhe njëherë pyetjet që na krijojnë dilema para se t’i përgjigjemi pyetjes:” A jeni për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë?”.
T’ia fillojmë me radhë.
- A qe çështja e emrit me Greqinë gjë palidhje që nga fillimet e saj? – Po
- A nuk është e vërtetë se mezi arritëm të bëhemi shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe atë, me emrin e përkohshëm FYROM, për shkak të kundërvënies së Greqisë? – Po
- A na pëlqen emri FYROM? – Jo
- A pranoi shteti ynë në vitin 1995 të fillonte negociata me Greqinë nën ombrellën e OKB-së? – Po
- A i pranuam negociatat me qejf? – Jo
- A ishin negociatat për ndryshimin e emrit? – Po
- Nga viti 1995 a nuk kanë negociuar mbi emrin të gjitha qeveritë maqedonase, edhe të VMRO-së edhe të LSDM-së? – Po.
- A duhej që negociatat të mbaronin me ndryshim të emrit? – Po
- A nuk thoshte VMRO-DPMNE gjatë gjithë viteve që qeveritë e saj negociuan për emrin se çfarëdo lloj marrëveshje që arrihet me Greqinë, vendimi i fundit do të shkojnë në referendum? – Po.
Dhe ja, është arritur një lloj vendimi me emrin Republika e Maqedonisë Veriore me gjuhë maqedonase dhe me shtetësi/nacionalitet të Maqedonisë Veriore.
- A ju pëlqen emri Maqedonia Veriore? – Jo
- A ju pëlqen fakti se gjuha do të pranohet si gjuha maqedonase gjithandej? – Po.
- Pjesa ku ne jetojmë, a shtrihet në pjesën veriore të zonës gjeografike që quhet Maqedoni? – Po.
- Gjatë Luftës së Dytë Botërore, populli maqedonas, a ka luftuar vetëm në këtë pjesë të Maqedonisë së madhe për shtetin e vet të pavarur? – Po.
- A është fakt se vetëm në këtë shtet, gjuha që flasin maqedonasit quhet maqedonishte? – Po.
- A mund të fillojmë negociatat për hyrje në BE pa ndryshimin e emrit? – Jo.
- A mund të bëhemi shtet anëtar i NATO-s pa ndryshmin e emrit? – Jo.
- A doni të hyni në BE? – Po. Apo ndoshta, jo.
- A doni të hyni në NATO? – Po. Apo ndoshta, jo.
- A mund të hymë në BE dhe NATO me emrin FYROM? – Jo.
- A mund të hymë në BE dhe NATO me emrin Republika e Maqedonisë? – Jo.
- A doni të jetoni në izolim? – Jo.
- A doni të jetoni më të pasur? – Po.
- A doni të jetoni më sigurtë? E njëherë e përgjithmonë të mbyllet historia e “Ndajeni, coptojeni…(“Delete ja, parçete ja…” ) – Po.
- A dëshironi ndarje të shtetit ose kufi mes shqiptarëve dhe maqedonasve? – Jo.
- A jeni të gatshëm për luftë me komshinjtë dhe miqtë? – Jo. Apo ndoshta, po.
E nëse të gjitha këtyre pyetjeve u përgjigjeni me “disa pyetje nuk meritojnë përgjigje”, ja ku keni edhe disa të tjera:
- A dëshironi që ata që për 11 vjet kanë vjedhur të mos shkojnë në burg? – Jo. Apo, ndoshta po?
- A dëshironi që ata që për 11 vjet ju kanë vjedhur dhe ju kanë përgjuar të vazhdojnë të vjedhin dhe të përgjojnë? – Jo. Apo, ndoshta po.
- A dëshironi që parimi i mosdënimit të elitës qeverisëse të vazhdojë edhe në të ardhmen, e kështu çdo qeveri e re të mund të vjedhë e të mos mbajë përgjegjësi për vjedhjen? – Jo.
- Nëse nuk ju pëlqen emri Maqedonia Veriore, me cilin emër do t’ju pëlqente të hynim në BE dhe NATO?
- Nëse nuk dëshironi që NATO t’ju garantojë sigurinë, kush tjetër do të dëshironit ta bënte?
- Nëse nuk ju pëlqejnë BE dhe NATO, çfarë ju pëlqen? – Zvicra.
Kur thoni se mund të jemi si Zvicra, pa BE dhe NATO, a e dini se edhe zviceranët na i pastrojnë mbeturinat sepse ne jemi të paaftë ta bëjmë? Po. Ju flas për mbeturinat, e jo për milionë frankat që çdo vit hynë në Maqedoni si ndihmë për shtetet e pazhvilluara, duke nisur nga agrikultura e deri te turizmi dhe përforcimi i institucioneve shtetërore.
- A e dini se Zvicra në referendum vendos madje edhe për çadrat që do të mbajnë nëse të nesërmen bie shi? Dhe kjo gjë duhet të jetë pranuar me konsensus? – Jo.
- A e dini se Zvicra përbëhet prej 26 kantonesh dhe se brenda shtetit janë pranuar katër gjuhë zyrtare? – Jo. Ose, ndoshta, por kjo gjë nuk na konvenon.
3E kuptoj se përse VMRO-DPMNE mbështet bojkotimin e referendumit, edhe pse gojët e tyre janë përplot me BE dhe NATO. Pasi hyrja në BE dhe NATO me siguri nuk do t’i shpëtojë Gruevskin dhe shoqërinë e tij nga burgu. Por, nuk mund t’i kuptoj ata që bëjnë thirrje për bojkot për inat të Zaevit. Këto nuk janë zgjedhje që të duhet të dënohet LSDM apo të shpërblehet VMRO-DPMNE. Bojkot për inat të BE-së, për inat të SHBA-ve, për inat të Greqisë. Për inat të Angjushevit. Për inat të Ali Ahmetit. Për inat të gazpërçuesit në Vodno. Për inat të mushkonjave. Jo more. Ju bojkotoni për inatin e vetes tuaj, ja pse bojkotoni.
4Edhe një pyetje të fundit.
A dëshiron një herë e përgjithmonë ta mbyllësh çështjen mbi ekzistencën tënde? Po? Apo ndoshta jo.
Vallë, mendoni se VMRO-DPMNE, me të ardhë në pushtet, do të mund të fillojë negocime të reja me Greqinë, e me ndihmë të BE dhe SHBA ta ngrejë mekanizmin e Kombeve të Bashkuara? Se Këshilli i sigurisë së OKB-së do të merret prapë me Maqedoninë. VMRO ishte në pushtet deri vjet e nuk bëri asnjë marrëveshje.
Çfarë mendoni, ç’marrëveshje do të jetë ajo nëse përsëri do të duhet të aktivizohet e gjithë makineria e BE, NATO-s, SHBA, Britanisë së madhe, Gjermanisë…Për emrin? Apo për ndarjen e shtetit?
Përktheu: Fjolla Zllatku