Për një borxh prej 122 denarësh të një fature për nxehje qendrore të Ballkan Enerxhi Grup (BEG), një shkupjani i ka ardhur faturë prej 10.200 denarësh. Ky qytetar ka dërguar parashtresë para tre javësh mbi këtë çështje te Avokati i Popullit, pasi, siç u shpreh edhe për SAKAMDAKAZAM.MK, letra e përmbaruesit për borxhin prej 112 denarësh e muajit korrik 2015, i ka ardhur në adresën e shtëpisë në 18 gusht 2018, ndërkohë që nuk ka qenë i lajmëruar paraprakisht se ka ndonjë borxh. Veç kësaj, borxhi për të cilën ai nuk dinte se ishte i paditur është shlyer me 9 nëntor 2015.
“Sipas dokumentimit që mora nga përmbaruesi, padinë BEG-u e ka ngritur më 9 nëntor të vitit 2015, ndërsa unë borxhin e kam shlyer në 17 nëntor. Përveç kësaj, gjatë gjithë këtyre viteve asnjëherë nuk kam marrë ndonjë lajmërim apo vërejtje nga ana e tyre mbi këtë çështje, As tek faturat mujore që merrja gjatë asaj periudhe, ku ngjitur me shumën totale, qëndronte shuma e interesit për pagesë të vonuar, e cila shlyhej gjithmonë rregullisht. Në asnjë moment nuk më ka shkuar në mend se përveç atij interesi, ekziston edhe ndonjë tjetër”, thotë qytetari i paditur.
Në dokumentin që ai kishte marrë nga përmbaruesi këtij qytetari i janë shënuar harxhime që arrijnë shumën prej 10.200 den, gjegjësisht harxhimet për përmbaruesin 4.369 den, për përfaqësimin e kreditorit nga avokati prej 1534 den, harxhime të caktuara për dokument ekzekutiv prej 4.208 den, dhe 112 në emër të borxhit kryesor. Vendimi për zbatimin e vendimit është sjellë në 15 janar të këtij viti, ndërsa shkresën e ka marrë më 18 gusht.
“Shuma totale është pothuajse një qind herë më e madhe se sa shuma e borxhit kryesor. Ndërkohë në fillim të vitit 2016, kur kryhet shlyerja, unë mora lajmërim nga BEG- se kam bërë parapagesë, e kështu ajo shumë u mor parasysh në një faturë tjetër. Përse gjatë shlyerjes nuk është hequr edhe ky borxh? Më 20 gusht, dy ditë pasi mora vendimin nga përmbaruesi, kërkova një shpjegim nga ana e tyre. Më thanë se atyre nuk u intereson se çfarë kam për të thënë mbi rastin, ata mund të më ndihmojnë vetëm duke më mundësuar pagesë në këste. Unë u thashë se deri më tani nuk kam marrë asnjëherë dokument as na noteri, as nga BEG-u mbi borxhin, ndërkohë ata më thanë se shkresat me siguri më kanë mbërritur, ndërsa në rast se nuk kam mundur t’i marr, kanë qenë të shkruara në tabelën e shpalljeve, që do të thotë se kanë qenë të vlefshme”, thotë përdoruesi i të paditurit nga BEG-u.
Nga kompania Ballkan Enerxhi Grup (BEG) thonë se të gjithë shfrytëzuesit informohen në kohë për gjendjen e tyre, gjegjësisht për faturat e papaguara dhe kur lënda mbërrin te procesi i padisë, shfrytëzuesi merr lajmërim nga noteri sipas rregullores.
“Të gjithë përdoruesit nga viti 2014, e deri më tani, marrin lajmërime të rregullta sa u përket borxheve të mbetura pas kalimit të afatit për pagesë. Lajmërimi theksohet në çdo faturë, ndërsa për informim më të mirë kemi vendosur ngjyrë të ndryshme për faturat, në varësi nëse bëhet fjalë për borxhe të papaguara ose jo. Këto lajmërime arrijnë deri aty ku borxhet nuk paditen. Para padisë, përdoruesi merr lajmërime ku informohet mbi gjendjen dhe të drejtat dhe detyrimet e tij. 20 ditë para ngritjes së padisë, përdoruesi merr një vërejtje të fundit që mundëson shlyerjen e borxhit pa ardhur në procesin e gjyqit. Përveç kësaj praktike të informimit me anë të shkrimit, të gjithë përdoruesit që kanë të dhëna të përditësuara, informohen në mënyrë direkte edhe me telefonatë”, thonë nga BEG-u.
Nga kompania thonë se padia tërhiqet në rastet kur përdoruesi do të paguajë faturën e padisë bashkë me harxhimet e tjera reale të bëra deri në atë ditë për avokat, noter, gjyq dhe të tjera.
“Në rastin kur përdoruesi paguan vetëm borxhin kryesor të faturës, padia është akoma aktive pasi nuk janë paguar shpenzimet të cilat gjenerohen në procesin e padisë. Lënda vazhdon, në përputhje me tarifat e avokatëve, noterëve dhe përmbaruesve, duke e përfshirë dhe interesin e dënimit. Në këtë rast, procesin e vazhdojnë avokatët, noterët dhe përmbaruesit, deri në momentin e shlyerjes së të gjithë shumës”, thonë nga BEG-u.
A. ANTEVSKA