BISHT DEMI

Kush mban përgjegjësi për fshesën? E nëse s’mban askush, përse?

BISHT DEMI

1Fakti se deputeti Pavle Bogoevski është fajtor për shkeljen e ligjit dhe blerjen e substancave të paligjshme nuk është aspak i kontestueshëm. Ai vetë pranoi se duhet të mbajë përgjegjësinë ligjore. Nuk është i kontestueshëm as fakti tjetër, që Pavle, ai aktivisti i flaktë i Revolucionit të larmë luftonte për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve nuk është Pavleja i njëjtë, pasi si deputet në Parlament nuk ka bërë asgjë për të realizuar atë që përfaqësonte si aktivist qytetar. Padyshim, emri i tij, sidomos si kryetar i Komisionit me imunitet mandati të Parlamentit, është luhatur.
Mirëpo, tema e bisedës sonë nuk është Pavleja. Por përgjimet e paligjshme. Tema është se organet e përndjekjes nuk merren me zbulimin e të gjithë atyre që kanë përgjuar në mënyrë të paligjshme.

Ekziston një dallim mes bombave të Zaevit dhe ato të publikuara në rrjetin rus Vkontakte. Zaevi i publikonte bisedat e përgjuara, dhe këtë gjë e bënte publikisht, në konferenca shtypi, për të zbuluar keqpërdorimin skandaloz të të drejtave të njeriut nga ana e shtetit. Ndërsa bombat e reja janë prodhim i përgjimeve të paligjshme nga një përgjues i panjohur dhe nga një porositës i panjohur.

Andaj, në këtë moment është po aq skandaloz fakti se si shteti nuk arrin t’i zbulojë, t’i dënojë ata që përgjojnë dhe ta ndërpresë këtë përgjim të paligjshëm që ndodh madje edhe në një taksi. Pasi, sot bomba i dedikohet një deputeti, për të shpëtuar mandatin e deputetit të Gruevskit, Po nesër, kjo bombë mund të jetë për cilindo nga qytetarët dhe për kush e di se çfarë shantazhi.

Si ia doli, vallë, Zaevi të zbulonte përgjuesit ndërkohë që ishte në opozitë? E tani, kur është në pushtet, nuk ia del?

2E kush t’i zbulojë? Kush mund ta kapë taksistin që poston në Internet bisedat e deputetëve që shoqëron? Mos do ta bëjë Oliver Spasovski? Ai që, siç do të kishin thënë anglezët, nuk mund të zërë as grip në kohë epidemie, e jo më të zbulojë përgjimet.

Kur Stevo Pendarovski në fushatën parazgjedhore u ankua se njerëzit e administratës së shtetit e ndjekin dhe e fotografojnë, ministri për punë të brendshme, Spasovski tha gjatë pyetjeve të deputetëve: “Një gjë e tillë nuk ekziston. Nuk dua më që opinion publik i shtetit të merret me gjëra të tilla si shërbime të huaja dhe furgona të verdhë”.

Ndoshta nuk ka furgona të verdhë. Por, ekzistojnë tabela të verdha ku shkruan “Taksi”, ku na paralajmërojnë se “për shkak të kontrollit të cilësisë, biseda do të incizohet”. E kush e di se cila pajisje e përgjimit është shkatërruar, e cila ka mbetur. Dhe se ku është.

3Deputeti Pavle Bogoevski është kryetar i komisionit parlamentar që duhet të vendosë për marrjen e mandatit nga deputeti Nikolla Gruevski. Edhe incizimi i taksisë u paraqit mu tani. Gjë që do të thotë se do të problematizohet reputacioni dhe integriteti i kryetarit të komisionit me pohimin se deputeti konsumon drogë.
Mua, nga ana tjetër më intereson se çfarë dogrash konsumojnë deputetët që do të votojnë kundër marrjes së mandatit nga Gruevski. Me siguri duhet të jetë ndonjë koktel shkatërrues për trurin, që ta shtrembëron krejtësisht fotografinë mbi realitetin. Përndryshe, me çfarë mendje do të votoje për Gruevskin që të mbetet deputet i arratisur me azil në Budapest.

Mesa duket bëhet fjalë për drogën e njëjtë me të cilën grupi i deputetëve të Kërsto Mukoskit kërkon test për drogëra për të gjithë deputetët. Pasi ata me vetëdije dhe mendje të pastër, më 27 prill 2019 i hapën dyert për sulm të Parlamentit.

4 Zaevit i duhet një fshesë. Por, vetëm fshesa nuk e zgjidh problemin. Duhet të respektohen ligjet. Kështu edhe për fshesën ka ligj.. Pastaj edhe për fshesën ka ligj. E vetmja gjë që duhet bërë, është që ai që shkon në punë, ta kryejë punën e tij. Të fshijë.

Për më tepër, tani ka ligj për çdo gjë. Për parkim në trotuar, për parkim në korsinë e tretë, për vozitje në park, për ndalimin e furnizimit me mall në kohë të caktuar, për hedhjen e mbeturinave, për të pështyrat në rrugë, për ndezjen e zjarrit, për ndalimin e pirjes së duhanit dhe për vendosjen e tarracave verore, ligj për nderimet e paligjshme, për zhurmë dhe për ndotje…

Ja ku kemi shembull Matkën. Te platforma e paligjshme tani kanë vendosur dhe gardh. A nuk ishte platforma për varka?Po turistët si do të hipin në varkë, apo do të kapërcejnë gardhin. Matkën e shpëtuam nga bombardimet e fashistëve në Luftën e dytë botërore. Por nga BDI-ja zor ta shpëtojmë.

Liqeni i Ohrit, ç’nuk ka pësuar. Është i mbrojtur me gjithë qytetin nga UNESKO, por as se si nuk mund të shpëtojë nga mafia. Struga nuk është mbrojtur nga UNESKO, por koalicioni LSDM-BDI është i betonuar, si parapet në vendin e kallamave.

Që kur erdhën në pushtet, dy herë në muaj e lëshojnë autostradën Milladinovski-Shtip. Sa herë kanë lajmëruar se për dhjetë-pesëmbëdhjetë ditë do të lëshohet në përdorim?

Qendra e Shkupit ka një shëtitore të vetme buzë Vardarit. Por është shndërruar në rrugë. Pasi drejtorët e Telekomit u dashkan të kenë qasje me makina. Se gjithandej në Dojçe Telekom nëpër botë nëse zyrat gjenden në zonë këmbësorësh, pushtetet lokale u lejojnë të punësuarve në firma private të ecin mes këmbësorëve.

Sheshi Maqedonia, u shndërrua në një rrugë komunikacioni të dyanshëm. Me gjithë parkingjet. Mbetet vetëm edhe të vendosin një vijë me ndërprerje në mes, që tejkalimi të mos jetë me dënim.

Përmendoret në qendër të Shkupit nuk pastrohen. Se qenkan të VMRO-së. Po atëherë, përse mos t’i shkatërrojmë? Akoma presim se çdo të bëhet me përmendoren e Nënë Terezës, gjithashtu ndërtim i paligjshëm. As shatërvanët nuk i lëshojnë. Gjysma e Majit, ka kaluar dhe është akoma ftohtë.

Qentë e rrugës na hëngrën të gjallë. Kaluan dy vjet dhe akoma nuk e zgjidhim dot problemin e ri. Ndërtuan një ziplajn, por akoma një tel nga Kalaja nuk mund të lëshojnë dot, e këndej thonë se do të ndërtojnë tramvaj. E se do të jetë gati bashkë me sallën universale, për të cilën vjet nënshkruan marrëveshje. Se sivjet do të nënshkruajnë marrëveshje për të filluar rinovimin.

Ka dy vjet që lajmërojnë rinovimin e shtëpisë së oficerëve në Manastir. Vjet në qershor nxorën miratim për sanim. Por deri më tani nuk kanë mundur të mbledhin nënshkrimet nga të gjitha institucionet, duke përfshirë këtu edhe Qeverinë. E tani, që kur u kanë marrë nënshkrimet, le të mos i dërgojnë nëpërmjet rrugës rrethore të Manastirit. Pasi edhe ajo ka dy vjet që është mbyllur.

Për manastirin Kurbinovo, që na e ruan freskon nga shekulli 12, akoma nuk mund të merren vesh se kush është kompetenti. Në fillim ziheshin për para, më vonë për projekt, më pas se sa do të kushtonte projekti, kurse tani zihen se kush do ta rregullojë projektin. Vdiq personi që e udhëhiqte restaurimin…e deri sa të merren vesh Shkupi dhe Manastiri se si të shpëtohet Engjëlli i Kurbinovës, do të rinovohet Notrë Dami i Parisit dhe çelësin e Kurbinovës që akoma e mban një banor lokal, do ta humbin. E pastaj do të zihemi se kush është kompentent të bëjë çelës të ri.

A duhet të numërojmë akoma? Na vjen në majë të hundës me të gjitha justifikimet që shpikin. Çmendesh kur fillojnë të të shpjegojnë se kush dhe për se është kompetent. Dhe për çfarë nuk është.

Para gjashtë muajve dikush e dëmtoi skulpturën e demit në Shkup dhe iu desh një ditë e tërë që ta zbulojnë se kush është kompetent që ta kthejë bishtin. E gjetëm personin kompetent, por ja që demit akoma i mungon bishti.

Kalon gjysmë viti dhe nuk vendosin dot as një bisht demi, e duan të zbulojnë se kush e ka përgjuar ilegalisht Pavlen. Po atë që shqeu bishtin e demit nuk e kërkojnë fare.

Ata edhe për fshesën e Zaevit do të nënshkruajnë tender. Që të ketë ankesa dhe kundërankesa me afate që duhen shtyer. Vetëm e vetëm që të ketë justifikim nëse nuk ka fshesë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира