1Jemi ulur nëpër firmat tona duke bërë biznes plane. I themi vetes, mjaft më me pranimin e të aftëve, të marrim ca të paaftë. Do t’u japim madje dhe rrogë më të lartë. Pas dy vjet e gjysmë kjo ishte ideja gjeniale që iu tek ministrit Damjan Mançevski për reformën e administratës publike. Të paaftët dhe dembelët të transferohen në kompanitë private. E këtë gjë e paguajmë të gjithë ne të Buxhetit. Dy vjet e gjysmë lusnin 1.700 administratorë që të marrin rrogë e të fillojnë të vijnë në punë. E kur panë se lutjet nuk bënin gjë, filluan të thonë: “Po sikur t’ju vendosim ju në firmë private për rrogë më të lartë?” Për dy vjet e gjysmë, jo vetëm që nuk zvogëlojnë numrin e administratës publike, por madje e zmadhojnë atë. Më e keqja është se ky është vetëm fillimi i kësaj rritjeje, pasi brenda një viti do të kemi zgjedhje të tjera.
Pa provoni njëherë ta thoni këtë gjë para pasqyrës:
“Do të ofrojmë tri paqete kryesore. Si fillim, një rrogë më të larë në sektorin privat dhe subvencione nga shteti në pjesën e kontributeve që firmat dhe punëtorët të jenë të motivuar, firma të do të paguajë më pak rrogë bruto pasi shteti do të jetë ai që do t’i paguajë kontributet, shteti do të paguajë më pak bruto rrogë pasi do të ketë më pak administratorë. Ky është koncepti i parë, ndërsa i dyti është ajo që u kërkua nga odat ekonomike e kjo është që shteti të paguajë për kualifikimet e tyre përderisa nuk kanë kualifikime të duhura të cilat kërkohen në sektorin privat”.
Dhe? Si ju duket? A nuk ju erdhi për të qeshur?
Deri më tani ne e dinim se administrata publike është një klasë e privilegjuar. Por, që tani do të jetë akoma më e privilegjuar. Mirë që nuk mund të pushohet askush nga puna, por për më tepër do të marrin dhe rrogë më të lartë. Deri tani ua paguajmë rrogën. Tani e tutje do t’i paguajmë edhe rrogë dhe rikualifikim dhe rrogë të rritur. Ç’na paska qenë – administrata e biznesit. Ore këta të paaftët do të na kushtojnë një dreq e gjysmë.
2Gjëja më e përshtatshme do të ishte që kjo reformë të fillojë të zbatohet fillimisht në firmat e kryeministrit Zoran Zaev dhe të zëvendës kryeministrit Koço Angjushev. Ministri Damjan Mançevski do t’u përgatisë marrëveshje për marrjen e punëtorëve me tri paqete kryesore. Me gjithë aneksin e marrëveshjes se punëtori vendos vetë nëse do të duhet të vijë në punë apo do t’i paguhen kontributet për rritjen e rrogës për të mos ardhur në punë.
Me reformën e lajmëruar, tani edhe firmat private në vend të aftëve dhe të vyshme do të punësojnë edhe të paaftë dhe dembelë. Ndërsa ne do ta paguajmë këtë gjë, ashtu siç i kemi ushqyer deri më tani. Ndoshta nuk janë më të mirë për punë, ama na paskan qenë më të mirë për partinë. E kështu e kanë fituar dhe punën e shtetit. Me aftësinë e vetme që partia vlerëson. Kanë ngjitur postera, kanë kërcyer nëpër mbrëmjje komitash, kanë bërë statuse Fejsbuku me urdhër, kanë shkuar nëpër tubime, kanë pastruar përmendoret, kanë bërë lista, kanë dërguar sms mesazhe….
Çuditem veçse për këtë ndjenjë unike për të bërë biznes që tregojnë kryeministri dhe zëvendës kryeministri, të cilët janë vetë nga bizneset e mëdha?
Ashtu siç partitë kanë robëruar shtetin deri më tani, ashtu dhe do të vazhdojnë t’i robërojnë dhe kompanitë private. Me paqetën reformuese të Qeverisë do të shkaktohet një virus partiak i cili do të shkatërrojë organizmin e firmave.
E habitshme se sa shumë përkujdesje shfaq Qeveria ndaj administratorëve dembelë dhe të paaftëve. Disa ministri me vite të tëra bëjnë strategji se si të mos i pushojnë nga puna ata që marrin rrogë, por që nuk punojnë siç duhet apo që nuk vijnë fare në punë në administratën publike. Paramendoni nëse do të përkujdeseshin po njëlloj për të vyerit dhe të aftët.
3Kaq për reformën e administratës publike. Të kthehemi tani te reformat e gjyqësisë. Reformës së sundimit të drejtësisë.
Një nga vërejtjet kryesore të një sistemi joefikas gjyqësor është tejzgjatja e paarsyeshme e proceseve gjyqësore dhe e rasteve, që çon drejt mosdënimit.
Mirë ama, për Këshillin gjyqësor qenka problem edhe gjykimi i shpejtë dhe efikas. E thërritën në marrje në pyetje gjykatësën Dobilla Kacarska. Gjykatësen e vetme që ka përfunduar dy procese të rëndësishme e cila duhet të arsyetohej se ka gjykuar në mënyrë të shpejtë dhe efikase. E ka gjykuar ish kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ministren e atëhershme për punë të brendshme Gordana Jankullovskën për blerjen e mercedesit luksoz në rastin e PSP-së të quajtur “Tenk”. Dhe se e gjykoi sulmuesin në sulmin e organizuar të Parlamentit në 27 prill të vitit 2017 në një proces me 33 të akuzuar.
Parashtresa kundër Kacarskës me anë të një procedure të shpejtë u procesua nga i njëjti Këshill gjyqësor i cili për dy vjet e gjysmë e shtynte çështjen mbi heqjen nga puna të kryetarit të Gjykatës supreme Jovo Vangellovski.
Kuptimi për një sundim efikas të drejtësisë nga Këshillli gjyqësor është pak a shumë në një vijë me kuptimin e Qeverisë për një administratë efikase publike.
Për fat të mirë Merkeli insiston që të na futë në BE, e me siguri e ka bindur edhe Makronin, kurse hollandezët që paguajnë për të dyja reformat qe njëzet vjet tashmë u penduan për paratë që dhanë. E me këtë sebep, fitimi i datës për fillim të negociatave është i caktuar. Të huajt nuk mund të shpenzojnë aq shumë para për reformat tona, sa mund të bëjnë rezistencë gjykata dhe administrata publike për to.
4Gjëja më e trishtueshme e gjithë kësaj historie është që vetëm VMRO-DPMNE-ja nuk gëzohet kur Bundestagu gjerman votoi se Maqedonia Veriore duhet të fillojë me negociata për hyrje në BE. Ç’të duhet BE-ja, nëse VMRO-DPMNE-ja nuk është në pushtet.
Nga ana tjetër, edhe mund t’i kuptoj. Nuk kanë kohë për gëzim. U mbytën së punuari si të mos ishin duke shkuar në burg.
Përktheu: Fjolla Zllatku