1 Nuk është dhe aq e këndshme të dëgjohet incizimi ku spikeri Talat Xhaferi i drejtohet në mënyrë të ashpër dhe vulgare disa zyrtarëve qeveritarë. Fjalia “Ik, ik atje”” ishte me një ton komandues a thua se ishte kthyer në rini. Kjo fyerje nuk i ngjan as funksionit, e as moshës së tij. Prandaj nuk mund t’i gjendet as një arsyetim, sado që të ketë pasur arsye për një reagim kaq gjaknxehtë.
Mirëpo edhe në atë fjali të pasuruar me një ofendim të këtillë ekziston një këndvështrim preciz i problemit sistemik me administratën joefikase, kur Talati thotë: “Të gjithë ju që jeni me rrogë dhe vazhdoni të talleni. Ik, ik atje”
Save prej nesh kush e di se sa herë na ka ardhur që të shajmë ndonjë punonjës partiak në sportel kur jemi përballur me paaftësinë e tyre, si në nivel komunal, shtetëror, kur ata është dashur të na kryejnë punën që bëjnë për rrogën që marrin? Sa herë jemi ndier të pafuqishëm kur dikush me fuqinë e partisë, te e cila është lyer për të zënë atë vend, do të të thotë: “prisni, nëse vjen në 8.30”, ose “është ende në pauzë”, “shkoi deri në pazar, tani do të kthehet”, “ore, një cigare nuk mund ta pijë dikush rehat”, e si kapak i gjithë kësaj pune, “po tani ç’të bëj, kështu është”…Ndërsa ti nuk ke forcën për t’iu përgjigjur me “Ik! Ik atje!” po sillesh edhe më mirë sepse e di se nesër përsëri mund të tallen me ty e askush nuk mund të bëjë asgjë për këtë.
2 Para dy vjetësh, pikërisht kur na zuri kovidi, u harxhuan fletoret e pasaportave. Ndonjëri prej shërbimeve shtetërore nuk i kishte porositur në kohë. Vitin e kaluar u harxhuan tabelat e regjistrimit të makinave. Po ndërrohej prodhuesi e ndonjë shërbim shtetëror e kish vonuar tenderin. Sivjet janë harxhuar librezat e komunikacionit.
Në MPB thonë se nuk ka libreza. Edhe vjet thoshin se nuk ka tabela regjistrimi. Por është fakt se – kishte për ata të cilëve nuk u duheshin. Nëse nuk të duhen, as nuk i kërkon. Por, misteri është se si harxhohen mu atëherë kur të nevojiten – pasaportat dhe tabelat dhe librezat.
Mirë, për tabelat e regjistrimit mund të themi se nuk mund të parashikohen se sa makina të reja apo të vjetra do të blihen gjatë një kovid krize. Por vjet u harxhuan edhe dëftesat. Vallë, nuk e dinin se sa fëmijë ishin të regjistruar në shkollë? Sivjet mbetet edhe më pak se një muaj deri në fund të vitit shkollor, kështu që së shpejti do të kuptojmë nëse e kanë bërë llogarinë e saktë.
E çfarë kemi mësuar pas çdo viti të këtyre krizave të shkaktuara nga shpërfillja nga ana e zyrtarëve të shtetit? Asgjë. Çdo vit është e njëjta gjë. Askush nuk mund t’u kundërvihet.
3 Në konferencën e shtypit në Tiranë ka pasur dy funksionarë – ministresha e Shqipërisë dhe ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi nga Maqedonia. Një gazetare shqiptare ka pasur pyetje për mysafirin e Maqedonisë: “Kam një pyetje për ministrin maqedonas…” Nga se, vallë, u frikësuar Bekteshi që kur iu desh të shpjegojë: “Më falni po, unë jam ministër i Maqedonisë së Veriut, nuk jam maqedonas…”? Të mendosh se, është humbur gjatë përkthimit e është bërë konfuz me mbiemrat, nuk është e vërtetë, sepse pyetje ishte parashtruar në gjuhën shqipe. Vallë, kaq i ndjeshëm të jetë ndaj fjalës “maqedonas”, e mos dhashtë zoti që në Shqipëri të mendojnë se Bekteshi është maqedonas?
Ministri i ekonomisë në Shqipëri ishte si përfaqësues i shtetit apo si përfaqësues i etnisë? Gazetarja nuk e pyeti që ai të përgjigjej si shqiptar, por si një ministër maqedonas. Mos vallë dha dorëheqje nga qeveria maqedonase në mes të Tiranës? Sigurisht që nuk është ministër i Shqipërisë. Për më tepër, edhe rrogën e merr në denarë si ministër i Maqedonisë, e jo si shqiptar në qeveri.
Si nuk filloi t’i shpjegonte gazetares edhe se sa përqind janë shqiptarët në Maqedoni? E që të mos ketë asnjë lloj dileme në përketësinë e tij etnike, nëse në Shqipëri i bëhet vonë dikujt, duhej të shkulte një fije floku, e t’ia japë si material publikut shqiptar për një DNK analizë. Herën tjetër kur të shkojë jashtë shtetit për të përfaqësuar Maqedoninë, le të marrë me vete shkopa për mostra, që të mundet në çdo konferencë shtypi të japë materiale për analizë. Super i përgatitur për pyetje gazetareske.
4 Presidenti francez Emanuel Makron propozoi që të formohet një bashkësi paralele europiane. Ai tha “në vend që të ulen kriteret e anëtarësimit, është më mirë të krijohet një bashkësi paralele, e cila do të mund të jetë tërheqëse për shtetet që duan t’i bashkangjiten BE-së, por edhe për shtetet që e kanë braktisur atë”. Ai fliste për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, por këtu jemi edhe ne të Ballkanit Perëndmor, në krye me ne – pritësit më të dedikuar nga Maqedonia.
Domethënë Makroni propozon të kemi dy Bashkime Evropiane – Një BE të vërtetë dhe një BE nga Ali Ekspresi.
Pse, vallë, 27 shtete harxhojnë kohën e tyre në debate për të ardhmen e BE-së për ata që duan të hyjnë në BE? Dhe pse do të debatonin për shtete që e kanë lënë BE-në? A thua vallë, Britanisë së Madhe i duhet BE-ja nga Ali Ekspresi, kur ishte vetë ajo që doli nga BE-ja e vërtetë. Përse anëtarët e BE-së të mos e përdorin modelin për përzgjedhje të këngës në Eurovizion? Mund ta integrojnë në politikën e tyre të jashtme për zgjerim të BE-së. Pesë shtete, themeluese të BE-së, pavarësisht se sa muzikë të keqe bëjnë, shkojnë drejt në finale. Kurse ne të tjerët, do të hiqemi si budallenj nëpër gjysmëfinalet, duke valëvitur flamujt e duke thërritur “thenkju Jurop, aj llav ju oll” dhe do të gëzohemi nëse eventualisht hyjmë në finale.
Që tani dihet se si do të votojë Bullgaria.
Albani, duz pua. Maseduan dy Nord, zero pua. Mersi.
5 Koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski deklaroi: “Vendosëm për një bllokadë aktive sepse shteti ndodhet në një gjendje serioze krize me katër kriza aktive”.
E çfarë bën VMRO-DPMNE-ja si opozitë e përgjegjshme që shteti të përballojë këto katër kriza aktive? Bën një krizë të pestë.
Përktheu: Fjolla Zllatku