2 MILIONË MILIMETRA

Në dokumentarin e ardhëm që “do të paraqesë Maqedoninë në dritën e vërtetë”, personazhi kryesor do të jetë një nënë që lufton për të drejtën e fëmijës së saj që në çertifikatën e lindjes t’i shënohet Shkup në vend të fshatit Zllokuqanë.

2 MILIONË MILIMETRA

1Bashkëregjisorja e filmit “Toka e mjaltit” (Медена земја) Tamara Kotevska është 26 vjeçe dhe ka dy nominime për Oskar për filmin e saj të parë. Ç’do t’i duhej asaj të dinte se ç’kanë për të thënë ekspertët e fejsbukut mbi filmit e saj? Ç’do t’i duhej të dinte se ç’kanë për të thënë për veprën e saj ata që nuk e kanë parë filmin, e megjithatë mbajnë një qëndrim të caktuar në lidhje me të? Përse do t’i duhej të debatonte me njerëz të cilët me “mendjemprehtësi” dhe “profesionalizëm” kanë vënë re se “filmi nuk e paraqet Maqedoninë në dritën e vërtetë” dhe se “Hatixhja nuk është personazhi përfaqësues i Maqedonisë”?
Atyre që shqetësohen se “si do të na shohin të huajt” nuk u pengon fakti se si jetojnë në mesin e mbeturinave, por ofendohen shumë atëherë kur ambasadorë të huaj i mbledhin ato kohë pas kohe. Shqetësohen se bota do të na identifikojë me Hatixhen, jeta e së cilës qenka krejtësisht primitive në fshat, e nuk qenka primitive të qenët i gatshëm të nënçmohesh në parti që të fitosh punë shteti, në qytet.
E mos të përmendim faktin se si nuk kanë as respektin minimal që të gëzohen për një sukses të tillë botëror të një bashkatdhetari të tyre. Nuk kemi të bëjmë më me njerëz të thjeshtë, jo…por me njerëz të këqij.

2VMRO-DPMNE po integron një praktikë të mirë me sëmundjet psikiatrike me anë të të cilave po shtyhen proceset gjyqësore të funksionarëve të kaluar të akuzuar për korrupsion të lartë, ashtu siç u shty afati i gjykimit të kryetarit të Gazi Babës Toni Trajanovski, i cili me kërkesë të Nikolla Gruevskit për t’u hakmarrë, rrënonte objektin “Kosmos” të Fiat Canoskit. Është mirë që kjo praktikë të vazhdojë edhe jashtë sallave të gjykimit. E partia të kërkojë ekspertizë psikiatrike të kandidatëve për funksione edhe para se t’i propozojë, që të mos përballen pas të vjelash me “ndjenjën e sikletit”, “turpin nga njerëzit e tyre” apo “ëndrrat e këqija dhe mendimet e errëta”.

Çfarë do ta pyesë gjykatësja mjeken e të akuzuarit Trajanovski për të vlerësuar nëse marrja e pushimit është në baza të logjikshme? Nëse gjendja psikike e të gjykuarit është përkeqësuar pas rrahjes apo nëse ka pasur problemi edhe para saj? Nëse është përballur me probleme të ngjashme gjatë kohës në funksion të kryetarit të komunës? Nëse, për shembull, i janë djersitur duart ndërkohë që ka telefonuar Nikolla Gruevski? Mbase sëmundja ka nisur që atëherë? E pastaj gjykatësja mund të thërrasë edhe psikiatër të tjerë që të japin edhe ata një mendim për Trajkovskin. E mes tyre sigurisht që do të ketë ndonjë psikiatër shqiptar. E ky nuk do të mund t’ia thotë drejtpërdrejtë avokatit të bashkëpunëtores së akuzuar të Trajanovskit se çfarë thuhet në diagnozën psikiatrike, pasi nuk e kupton maqedonishten. Dhe kështu – procesi gjyqësor, i cili nisi nga fillimi pasi pas tri vjetësh shtyrje afatesh- skadoi, tani do të nisë të përshpejtohet në këtë mënyrë.
Avokatët e të gjykuarve atë punë kanë – t’i mbrojnë. Prandaj edhe mbrojtja quhet po kështu – mbrojtje. Dhe do t’i përdorin të gjitha mënyrat. Pa diskutim që ata dinë çdo lloj mashtrimi avokatie. Problemi është se si ato kalojnë në gjykatë. Këto mashtrime kalojnë lehtësisht nëpërmjet gjykatës atëherë kur edhe vetë gjykatësit presin që të shohin se kush do t’i fitojë zgjedhjet. Se më parë për tri vjet prisnin që të kthehej VMRO-DPMNE-ja.

3Zëvendës kryeministri Bujar Osmani, ministri për transport dhe lidhje Goran Sugareski dhe drejtori i Rrugëve shtetërore Zoran Kitanov nënshkruan marrëveshje me “Granitin” për ndërtimin e 2 kilometrave të parë nga autostrada Shkup-Bllacë. A e dini se çfarë do të thotë 2 kilometra? 2.000 metra. 200.000 centimetra rrugë. 2 milionë milimetra. Dhe atë jo në çfarëdolloj drejtimi, por në drejtim për Kosovë.
Për një gjatësi të tillë të madhe të autostradës e cila tek tani do të fillojë të ndërtohet, prezenca e Bujar Osmanit është normale, pasi pa të nuk mund të imagjinohet asgjë që ka së paku një lloj lidhje me shqiptarët. Po të mos shfaqej ai, votuesit e BDI-së nuk do t’ia kishin falur këtë gjë asnjëherë. Kirurgu Bujar Osmani, përveç faktit se është zëvendës kryeministër për eurointegrime dhe inspektor i vetëshpallur i tabelave dygjuhësore, tani ka marrë leje nga Qeveria për të qenë dhe koordinator i ndërtimit të autostradës drejt Kosovës.

“I bëj të gjitha unë, ç’ke ti?! Mjek humanist, politikan, evropian, linguist, inspektor e koordinator.

Megjithatë, jam i shokuar nga joefikasiteti i koordinator-inspektorit Osmani, sepse nënshkroi marrëveshje për ndërtim, por në terren ende nuk ka asnjë tabelë që tregon se këtu do të ketë një autostradë. Mbase autostradë nuk do të ketë, por tabelë dygjuhësore duhet të ketë patjetër.

4Deputeti Vllatko Gjorçev u lëvdua se VMRO-DPMNE kishte bllokuar qëllimisht dy ligje në Parlament. Shkroi në Tuiter: Sot penguam dy ligje të dëmshme. Ligjin për drogën (ligj shumë i rrezikshëm. Lustrimin e viktimave të regjimit 50-vjeçar”.
Kur në shkurt të 2016, Vllakto Gjorçevi, si deputet i VMRO-DPMNE-së, partisë në pushtet, votoi për Ligjin për kontroll të drogave narkotike dhe dhe substancave psikotropike, të propozuar nga ministri i atëhershëm i shëndetësisë Nikolla Todorov, me anë të të cilit u legalizuaa përdorimi i marihuanës mjekësore, ligji iu duk fare i rrezikshëm. Se aso kohe, kështu e kërkonte partia. E tani partia kërkon ndalimin e të gjitha ligjeve dhe sigurisht që Vllatko është i gatshëm të gjejë një justifikim.
Ndërsa sa i përket ndalimit të “lustrimit të viktimave”, Vllatko, le që nuk kupton se çfarë ligji ka bllokuar, por nuk kupton as fjalën lustrim, ndonëse për të ka votuar në vitin 2012. Lustrim mund të ketë vetëm për ata që kanë shkaktuar viktima. Nuk mund të ekzistojë një “lustrim i viktimave”, siç shprehet ai.
Me rëndësi Parlamenti solli ligjin me anë të të cilit po rregullohet padrejtësia shumëvjeçare në lidhje me fëmijët të lindur në muajt e parë të hapjes së spitalit privat “Sistina” në 2010, që në çertifikatën e tyre të mos shënohet se kanë lindur në fshatin Zllokuqanë, por se kanë lindur në Shkup. Këtë ligj Gjorçevi nuk e bllokoi.

5Ja një temë interesante për një dokumentar që do ta paraqesë Maqedoninë në dritën e saj të vërtetë. Personazhi kryesor do të jetë një nënë që lufton për të drejtën e fëmijës që në çertifikatën e lindjes t’i shënohet Shkup në vend të fshatit Zllokuqanë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари