25 PIKË

Le të diskutojmë për diçka më konkrete. Për shembull për para. Inspektor Osmanit t’i japim për detyrë të kontrollojë se si mbushet buxheti në Maqedoninë dygjuhësore.

25 PIKË

1Komikët morën konkurrencë serioze me zëvendëskryeministrin për eurointegrime Bujar Osmani. Qëkur me Parisin dhe Berlinin e bëri punën që të marrim datë për fillim të negociatave me BE-në, ai incizoi një film në të cilin është duke vozitur një makinë duke kontrolluar nëse tabelat e institucioneve shtetërore janë dygjuhësore. E vendosi vetë këtë gjë në Fesjbuk, që ta shikojmë dhe ne se si iu paraqitet drejtorëve që akoma nuk kanë vendosur tabela të reja dygjuhësore, për t’i qortuar. Kjo është një stendap komedi shumë serioze, sipas standardeve evropiane. Me gjithë muzikën brenda filmit.

Komedia ka dhe vazhdimësi për të argëtuar publikun. Përfshihet edhe ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski. Si një personalitet epizodik por shumë i rëndësishëm për eurointegrimet. Policia e ka dënuar Bujarin sepse ka qenë duke folur në telefon ndërkohë që ka vozitur, duke cënuar kështu sigurinë e komunikacionit në përpjekje të tepërt për t’u përkujdesur për eurointegrimin. Po flijonte shumë gjatë betejës për tabelat dygjuhësore. Kishte plot 25 pikë dënimi në librezën e tij të shkeljeve në komunikacion.

E në vend që Bujarit t’i ndahet një mirënjohje për multifunksionalitetin e tij – si një mjek, eurointegrues, vozitës, inspektor, komik, por edhe një qytetar i vetëdijshëm që paguan dënimet e tij të komunikacionit – njerëzit filluan t’i gjejnë huqe. Pse nuk paska shkuar në Reçicë të vogël që të shohë se në selinë e BDI-së nuk ka një flamur maqedonas. E sulmojnë te ndjenjat kombëtare.

E pastaj vazhdojnë ta sfidojnë. Për dy-tri javë, kur do të festojmë 11 tetorin, duheshka të shkojë në Tetovë, në Strugë dhe në Gostivar që të bëjë inspektim në lidhje me faktin se pse nuk ka flamuj maqedonas. Çfarë gjepurash! A nuk e shohin se Bujar Osmani është njeri i së ardhmes. E meqë është kaq i fokusuar drejt Evropës, as nuk i vë re fare pengesat e së tashmes.

2Por, meqë e promovoi kaq shumë vetes si një inspektor efikas, do të kishte mundur të shkonte edhe deri në Matkë. Le t’i kontrollojë pak varkat e të shohë se si përparojnë lulet e gardheve të kafeneve të paligjshme në platformat mbi liqen. Aty nuk do ta dënojnë, pasi Oliver Spasovski nuk guxon ta cënojë autonominë e Komunës së Sarajit. Kryetari Blerim Bexheti u kërcënua se nëse vijnë inspektorë ndërtimorë dhe ekologjikë do të organizojë referendum, prandaj gjëja më e duhur për t’u bërë është që inspeksioni të kryhet nga eurointegruesi i partisë së tij Bujar Osmani. Të matë nëse ka përfaqësim të barabartë sipas etnive dhe feve të qytetarëve të helmuar nga djegia e kashtës sipas standardeve evropiane. Besa, BDI-ja i ka boxh Bexhetit që nga koha kur ishte ministër i drejtësisë në Qeverinë e Nikolla Gruevskit. Kur Gordana Jankulloska e luste që të nënshkruajë kërkesë për ekstradim nga Kosova për Alil Demirin dhe Afrim Ismailloviqin, të dënuar për vrasjen në Liqenin e Smillkovës. Dukshëm, deri më tani ekstradimi nuk është porositur me sukses.

3Ky lloj ankimi nuk është në nivelin e eurointegruesit Bujar Osmani. Le të diskutojmë për diçka më konkrete. Për shembull, për para. T’i japim inspektorit Osmani një detyrë që të kontrollojë se si mbushet buxheti i Maqedonisë dygjuhësore. Ja, për shembull, le të zbulojë se si është e mundur që në pagesën totale nga të ardhurat personale në buxhetin shtetëror, përveç Shkupit, para Tetovës të jenë Shtipi, Manastiri dhe Prilepi. Me tatim mbi të ardhurat, pjesëmarrje më të madhe kanë Shtipi, Manastiri dhe Strumica në veçanti, sesa Tetova. TVSH merren më shumë në Manastir se sa në Tetovë. Me bemvetë dhe mercedesat e tyre të parkuar në dy korsitë e rrugëve të Tetovës, i kanë harxhuar të gjitha paratë e tyre për makina, e s’ju ka mbetur gjë për jetesë. Le të përpiqet inspektori Osmani t’i kontrollojë arkat fiskale të Tetovës, ashtu siç i kontrollonte tabelat. Le ta bëjë edhe këtë flijim. Nuk do të kalojë vetëm me 25 pikë dënim, por mund të dalë edhe me kokë të thyer.

E kur tashmë është nisur për në Perëndim, le të bëjë një xhiro edhe deri në Strugë. Si inspektor arsimi, le t’i vizitojë shkollat e bashkëpartiakut Ramiz Merko, i cili bleu një “audi” zyrtare për 70.000 euro nga paratë që ia dhamë të gjithë ne për mbulimin e borxheve të Komunës. E nuk mbetën para për rinovimin e tualeteve shkollore. Nuk ka dollape të hajrit për fëmijët. Por ama e rëndësishmja është se ka tabela dygjuhësore.

Besa, tabelat në Strugë janë dygjuhësore që nga koha e Titos. Por, pastaj erdhën njerëz të tipit të Bujarit duke shpikur probleme aty ku nuk kishte. Me të vërtetë nuk mund të kuptoj se cili është qëllimi i Bujar Osmanit me këto komedi? Të bëjë problem aty ku nuk ka. Të bëhen nacionalistë edhe ata që nuk janë.

4Inspektori që ishte shumë i zënë nuk mundeshte të vijë në protestën e mjekëve. Afishja për protestën ishte dygjuhësore, por nuk kishte nevojë nga intervenimi i tij mjekësore. Mjaftonte protestimi i ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe. Kërkonte nga shteti të mbrohen mjekët. Dhe të bëjë një sistem i cili do t’i parandalojë largimin e mjekëve nga shteti. Sipas ligjit, një sulm ndaj një mjeku dënohet po njëlloj si një sulm ndaj një personaliteti zyrtar shtetëror. Prandaj, në shenjë solidaritet, ministri Filipçe duhet t’i ishte bashkëngjitur ministrit për punë të brendshme Oliver Spasovski. Filipçe të kërkonte mbrojtje nga shteti si një mjek i sulmuar, ndërsa Spasovski si një polic i sulmuar.

Fakti se qeveria proteston kundër vetes nuk është asgjë e re. Kjo gjë filloi para dy vjetësh, kur ministrat dhe kryetarët e komunave marshonin kundër ajrit të ndotur në Shkup. Kërkonin dënime për ndotësit. Protestonte edhe ministri Robert Popovski me gjithë njësinë qeveritare për marrëdhënie me publikun, bashkë me gazetarët të cilët kërkonin dënime nga sulmuesit e gazetarëve.

Ministrat i dhanë vetë mbështetje vetes së tyre që të merren me punën e tyre. Dënime nuk ka.
Faleminderit për mbështetjen.

5Deputeti Antonio Milloshoski kërkon nga Parlamenti që të bëjë komision anketues për punën e PSP-së. Katica Janeva tashmë është në mandatin e saj të dytë në Shutkë, kurse VMRO-DPMNE-ja thërret Antonion. Mirë që negocion për të ardhmen e akuzave kundër tij, mirë që euroambasadori Zhbogar i shkruan letra për vende të kurdisura në akademinë e gjykatësve dhe prokurorëve, ndërkohë që shoqja e sekretarit gjeneral të VMRO-DPMNE-së Igor Angjushev është e dyta në rang sipas rezultateve, por tani hap dhe muhabetin për nepotizëm.

Kush? Antonio. Me kunatën në DAP, me dajën në Kadastër, me kushëririn në Regjistrin qendror, kushërirën drejtoreshë në shkollë, kushërirën tjetër te Ujësjellësi, një dhëndër udhëheqës me MEPSO-n…Kush guxon të fasë për nepotizëm? Antonio. Deputeti i cili ishte pjesë e qeverisë e cila shpenzoi më shumë se gjysmë miliarda euro për gips dhe për përmendore të vetëm një qyteti. Dhe më shumë se gjysmë miliona euro për palmat ë u thanë në të gjitha qytetet. Si guxojnë të flasin për shpenzim të mirëfilltë të gjithë ata që importonin rërë deti për plazhet e Ohrit dhe Vardarit?

Le të mos e bëjnë Antonion si Katica. Nëse veçse kanë vendosur të flasin për gjithçka që nuk duhet bërë, le të gjejnë dikë tjetër që ta thotë, e jo një njeri i cili na kujton për të gjitha gjërat që ka bërë e që nuk duhej të bënte. Nga 30-40 deputetët që kanë, me siguri ka dikush që nuk ka lidhje me budallallëqet e Gruevskit.

Përktheu: Fjolla Zllatku

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари