26 DEKLARATA

Në krizë, t’i sakrifikojmë së pari fëmijët. Ata le të qëndrojnë në shtëpi, e administrata shtetërore le të ngrohet nëpër zyra.

1 Të vazhdohet pushimi dimëror. Fëmijët të punojnë online nga shtëpia. Po atë ditë, kur kryeministri Dimitar Kovaçevski në Nju Jork ka përfaqësuar “qëllimet dhe strategjitë nacionale për transformim të procesit arsimor në Maqedoninë e Veriut” në një sesion për transformim, kryetarët e Rajonit të Pollogut dolën me idenë që pushimi dimëror të zgjatë dy muaj sepse komunat nuk kanë para për rrymë dhe ngrohje, e në rast se mbeten me të vërtetë pa para, fëmijët të mos shkojnë fare në shkollë. Le të ngrohen në shtëpi.

Me siguri që i kanë përpunuar mirë këto ide përpara se kryetari i Gostivarit Arben Taravari t’i deklarojë publikisht. Viti shkollor do të fillojë në 15 gusht dhe do të përfundojë në korrik. Po provimet e maturës? Po regjistrimet në fakultet? Kush do t’i përshtasë të gjitha këto? Cili Kuvend, vallë, do të ndryshojë ligje tani? Ky Kuvend i bllokuar, që nuk mund të shpallë as gjendje krize në mes të krizës? Cila ministri do ta koordinojë gjithë këtë punë? Kjo ministri, vallë, që nuk mund të sigurojë as libra në fillim të vitit, as dëftesa për në fund? E të mos flasim për fëmijët për të cilët shkolla është i vetmi vend ku e kanë ngrohtë.

Sa bukur që e kanë menduar kryetarët. Fillimisht, në krizë, t’i sakrifikojmë. As se si nuk duhet sakrifikuar administrata publike, të cilën e pamë gjatë krizës së kovidit se nëse nuk shkojnë në punë, gjërat mund të kryhen edhe pa gjysmën e tyre. Ç’kanë menduar atëherë kur ziheshin se kush do të jetë kryetar? Se vetëm do të punësojnë kuadro partiake? Ata nga menaxhimi i buxhetit dinë vetëm të bëjnë një tabelë me kujt dhe sa i kanë borxh.

Strategjia për përparim të arsimit për të cilën ka folur kryeministri në Nju Jork nuk është në pëputhje me strategjinë e partive që të marrin më shumë kuadro partiake në punë shteti. Mirë që u japin rrogën, po tani edhe t’i ngrohim.

2 Zgjidhja e vetme është që të gjithë nga administrat publike, nga komunat, ministritë, të përjashtohen dhe nga e para të pranohen vetëm në ato vende pune që janë me të vërtetë të domosdoshme. Në të njëjtën ditë edhe pushim edhe konkurs pune. Si një resetim kompjuteri. Në komisionin e konkursit të qëndrojnë njerëz që nuk i kanë borxh asnjë partie. Jo tanët – le të jenë të jashtëm. Ata le t’i kontrollojnë biografitë, le t’i bëjnë të shkruajnë letra motivimi, le t’i testojnë, le të kontrollojnë nëse kanë gënjyer për njohjen e gjuhëve të huaja, le të përputhen me balancuesin për punësim sipas çelësit etnik…
Ky resetim i shtetit do të ishte veçanërisht i dobishëm te gjykatësit dhe prokurorët. Ai nuk do të pasqyrohet te kohëzgjatja e gjykimeve, ato sido që të jetë zgjasin me vite.

Nuk do ishte në dëm që të vazhdonte po ky proces i resetimit. Në Maqedoni, gjithsesi askush nuk nxiton. As BE-së nuk i nxitohet me ne.

3 Këto ditë mora një ftesë për të qenë pjesëmarrës në një debat me intelektualë bullgarë. Presdienca e Çekisë në kornizat e kryesisë me BE-në ka pasur idenë që nga nëntë shtetet të takohen “njerëz të ditur” dhe të diskutojnë për të ardhmen evropiane të Ballknit Perëndimor.
Vetëm Çekia dhe Sllovakia ishin anëtaret më të zëshme të BE-së që pas vetos bullgare në dhjetor 2020 dolën me dokument, kur deklaruan se nuk do të lejojnë që “Bashkimi Evropian të jetë gjykatës i historisë sonë të përbashkët, i asaj se si identifikohemi apo në ç’gjuhë flasim”. Dhe, për hir të së vërteës, deri në fund, deri te propozimi francez, i qëndronin qëndrimit të tyre se çështjet historike  nuk guxojnë të jenë pjesë e kushteve për negocim me BE-në, përderisa Qeveria jonë nuk e lejon vetë atë gjë. Prandaj nuk dyshoj në qëllimet e sinqerta të kryesisë çeke me këtë ide – që të takohen njerëz të ditur nga Maqedonia dhe Bullgaria.

Por me njerëz të ditur s’kemi ç’debatojmë. Me ata kuptohemi edhe pa debat, ngaqë kemi vlera të njëjta. Nuk ishin njerëzit e ditur ata që e shkaktuan problemin. Për më tepër, është me pikëpyetje nëse ata njerëz të ditur kanë fuqi për ta ndryshuar politikën oficiale bullgare që neve na bën zullumin. Deri më sot ai zë është kaq i dobët, sa që nuk ka pothuajse asnjë ndikim në politikën oficiale bullgare. Të gjitha partitë i bien të njëjtit tel kur është në pyetje Maqedonia.

Le të themi se unë jam një çek që me qëllimin më të mirë të mundshëm po organizoj një debat. Si vallë, mund të gjej një debat me temë “nuk ekziston gjuha çeke, e populli çek është shpikje komuniste”? Takohuni, debatoni, ndoshta do të bindeni se jeni bullgarë. E ku do të debatojmë? Ajo dihet. Në klubin “Vanço Mihajllov” në Manastir.

Këtë gjë që tani po e shpikë BE-ja a thua si një lehtësim të dialogut, në fakt është një përpjekje për ta civilizuar procesin të pacivilizuar të Bullgarisë që është kundër të gjitha vlerave që ajo BE, dhe Çekia si pjesë e BE-së, i përfaqëson.

Ne duhet ta ndryshojmë Kushtetutën nëse duam të fillojmë me negociatat me BE-në. Që të futen malazezët dhe kroatët në Preambulë nuk do të ketë problem, se ata e respektojnë populin dhe gjuhën maqedonase, dhe në shtetet e tyre nuk janë ndaluar shoqatat e maqedonasve. Qytetarët në Maqedoni duhet të binden se në Kushtetutë duhet të futen bullgarët të cilën nuk ua pranojnë gjuhën maqedonase. Nuk besoj se do të binden me një debat.

4 Nëse mundej Bullgaria të japë deklaratë të njëanshme se nuk ekziston gjuha maqedonase dhe kjo gjë të mbetet e shkruar si një dokument në kornizën negociuese të BE-së, pse 26 shtetet-anëtare të mbetura të BE-së nuk do të jepnin deklarata të njëanshme se nuk e pranojnë gjuhën maqedonase? Por, jo vetëm të thonë – ne ju pranojmë, kjo gjë që po jua bën Bullgaria nuk është fer – por këto deklarata të mbeten si dokument oficial dhe garancë të cilave mund t’u referohet çdo qeveri maqedonase në të ardhmen, sepse nga Maqedonia pritet që ta ndryshojë Kushtetutën.

Absurde? Budallallëk? Naive? Kërkojmë shumë? Epo, nëse për BE-në nuk është absurd dhe budallallëk pohimi i Bullgarisë se nuk ekziston gjuha maqedonase, atëherë pse do të ishte absurde dhe budallallëk që 26 shtetet e tjera të deklarojnë se nuk e pranojnë gjuhën maqedonase? Nuk do ta kenë të vështirë. Do t’i referohen parimit të vetëpërcaktimit si një vlerë themelore e BE-së dhe – punë e kryer pa konsenzus.

Me apo pa Referendum, Kushtetuta do të ndryshohet. Me kërcënime, me të treguarit e fuqisë, me blerje të deputetëve, me anë të rezistencës më të vogël, do të mbërrimë disi deri te shumica e dy të tretave. Por, qytetarët duhet të jenë të bindur se ndryshimi i Kushtetutës është në të mirë të tyre. E për këtë do të binden vetëm nëse janë të sigurt se nuk do ta humbin esencën e ekzistencës së tyre. Nëse BE-ja nuk mund ta pranojë këtë gjë si një tërësi, se e e pamë se nuk i qëndron fjalës kur premton, atëherë le të na e kthejnë të paktën miqtë nga BE-ja, çdo shtet më vete.

Vetëm me shkop, s’mundet. Do të na duhet karrota për ta ndryshuar Kushtetutën.

Përktheu: Fjolla Zllatku 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира