3 X PSP

Ky është shteti i vetëm ku deputetët negociojnë për një ligj që do të legalizojë krimin e qeverisë së kaluar

3 X PSP

1Me të vërtetë duhet të jemi të çmendur nëse presim diçka të hajrit nga këto që quhen “negocime për Ligjin e ri të Prokurorisë publike”. Grupe pune në Parlament, konsultime, përputhje me amandamente, pas pushimeve do të ktheheshkan ndryshimet e ligjeve…Pu, pu, pu…Aktrim shumë i fortë i një procesi demokratik. Demek, dialog ndërpartiak.

Negociatat për Ligjin e ri të Prokurorisë publike, me të cilin duhet të zgjidhet edhe e ardhmja e lëndëve të PSP-së janë një rrenë që nga momenti kur në to u përfshinë të dyshuar dhe të gjykuar, mu nga ato lëndë të po asaj Prokurorie speciale. Vallë, nuk e di nëse ka një mënyrë më inventive për të aktruar një proces demokratik se sa kjo, kur kriminelët e dyshuar negociojnë në rast se duhet të ekzistojë prokuroria që përndjek pikërisht ata për krimin e tyre gjatë qeverisjes. Deputeti Antonio Milloshoski negocion për një vendim afatgjatë të drejtësisë, por e dëgjuam se si ndërkohë që ishte ministër i punëve të jashtme porosiste lustrime në gjykatë pasi babait të tij i duhej të blinte pronë të lirë shtetërore. Duhet të jemi të çmendur nëse presim që deputeti Ilija Dimovski të votojë për vazhdimin e lëndëve të PSP-së, kur ai është një nga 21 funksionarët e lartë partiakë të akuzuar pikërisht nga ajo PSP për mashtrim në zgjedhje.

Linja themelore partiake e kësaj VMRO-DPMNE-je të re, nga momenti kur nuk arriti të formojë qeverinë, e pastaj nëpërmjet sulmit të Parlamentit në 27 prill të vitit 2017, e deri më sot është që nuk duhet të shkojnë në burg për krimet që bënë. Për akuzat e PSP për përgjimin jolegal, vjedhje, të zgjedhjeve dhe të milionë eurove, thoshin se po u kryhet një përndjekje politike. E ashtu siç në mënyrë të rrezikshme po afrohet 15 shtatori, kur duhet të merret një vendim për fatin e lëndëve që dolën nga përgjimi jolegal dhe kur shtetit i ndodhi “Reketi” me gjithë prokuroren speciale Kativa Janeva, si një nga të dyshuarat, po ia nisin një kënge të re. Demek, nuk duhet të na përndiqni, se edhe ju vetë vidhni. Le të mos arrestojmë njëri-tjetrin më kot.

2Këto negociata për të ardhmen e PSP-së kanë një qëllim të vetëm – askush nga VMRO-DPMNE-ja të mos e hajë burgun. E meqë partneri i LSDM-së është BDI-ja, për funksionarët e të cilës gjithashtu ka hetim nga koha kur ishin partnerë të Gruevskit, as ata nuk mund të shkojnë në burg. Këto negocime nuk kanë të bëjnë fare me drejtësi dhe ligj. Nuk kanë të bëjnë me ndonjë sistem gjyqësor që duhet të funksionojë, e le më të reformohet. Këto negocime po bëhen një garë zgjuarsie se si t’i shpëtojnë burgut ata që dëgjuam me veshët tanë se e meritojnë burgun më shumë se kushdo. Krimet që bënte VMRO-DPMNE-ja deri para dy vjetësh, duhet të mbeten të pagjykuara.

Ky është shteti i vetëm ku në Parlament diskutohet se si të mos shkojnë në burg politikanët që janë zënë për dhunë dhe vjedhje. Është shteti i vetëm ku deputetët negociojnë për ligjin që do ta legalizojë krimin e qeverisë së kaluar. Gjë me të cilën krijojnë një bazë ligjore për legalizimin e krimit edhe të këtij pushteti. Edhe të pushteteve të ardhshme. Me logjikën: së pari vodhëm ne, tani vidhni dhe ju. E kur të jemi prapë në pushtet, prapë do të vjedhim.

Dhe nuk e di se deri kur do të habitemi se me çfarë fytyre këta deputetë të VMRO-së, me gjithë liderin e tyre Hristijan Mickovski, kërkojnë pastrim të krimeve të kësaj qeverie, e nuk lejojnë të pastrohet krimi që partia e tyre e shkaktoi gjatë kohës kur kishte pushtetin. Hej, VMRO-DPMNE-ja po flet për qeveri mafijoze, për huntë, për regjim që po mbyt lirinë e mediave, për shpenzim joekonimik të parave publike….VMRO-ja, lideri i së cilës është i gjykuar për burgim, dhe i maskuar si një kryetar nderi, u arratis në Budapest.

Me të vërtetë duhet të jemi të çmendur nëse akoma pyesim veten se ku është morali i atyre që do të votojnë kundër ligjit me të cilin do të pastrohet krimi dhe korrupsioni i funksionarëve të lartë. Morali nuk jeton në këtë Parlament. Kurse me ndershmërinë siç duket, i kanë prishur punët edhe para kësaj.

3Siç ka nisur kjo punë, për reformat ë gjyqësisë neve do të na duhet tri Prokurori speciale. Njëra, që t’i çojë rastet e krimeve të VMRO-DPMNE-së që i dëgjuam në regjistrimet e paligjshme të Mijallkovit deri në fund. E dyta, ajo që do t’i hetojë krimet e LSDM-s nga regjistrimet e Orce Kamevsit. Por me BDI-në çfarë do të bëjmë? Eh, ata janë të paprekshëm, pasi ngrenë padi edhe nëse dikush dëshmon kundër tyre në gjykatën e Njujorkut. Prokuroria speciale që do t’i gjuajë krimet e BDI-së do të duhet të jetë ultraspeciale. Nën patronazhin e NATO-s. Pasi, çdo hetim për krimet e BDI-së shndërrohet në problem rajonal sigurie.

4Nuk e di nëse duhet të jemi të kënaqur se Katica Janeva është në paraburgim, pasi ishte ajo që duhej t’i çonte të gjithë të tjerët në burg. Por e di se jemi pak të zhgënjyer.
Por, a nuk është keq që vetëm për shkak se një prokuror është dyshuar se ka kaluar nga ana tjetër  të pushojmë se besuari në vlerat e së drejtës, barazisë dhe lirisë? Dhe nëse ne pushojmë se besuari në këto vlera, çfarë do të thotë kjo për ne si bashkësi?

A duhet të ketë drejtësi në këtë shtet? Dhe a duhet të jetë kjo drejtësi e njëjtë për të gjithë?

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари