1 I gjithë shteti digjet, gjysma e Evropës erdhi që t’i shuajë zjarret, numrat e kovidit rriten shpejt, kurse zv.kryeministri Artan Grubi habitet se pse ka aq shumë histeri rreth festës pompoze te 20 vjetorit të Marrëveshjes kornizë. Këta të BDI-së nuk janë si të ndonjë shteti tjetër, por si të ndonjë planeti tjetër. Shumë më keq se kryeministri dhe ministrat që pas zjarrit në Koçanë ia mbathën në plazhet greke.
Shumë mirë që BDI-ja feston. Ka përvjetor. Numër i rrumbullakësuar. Po dhe ato pesëqind mijë euro nuk ia vlen t’i shndërrojmë në automjetet kundër zjarrit, se na duhen për shumë gjëra të tjera. E ç’janë gjysmë milion? Si me, si pa to.
Mirëpo tragjedia më e madhe, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë në shtet, është se pas njëzet vjetësh të plota nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, BDI nuk ka asgjë tjetër për të ofruar përveçse një festimi pompoz. Ende ndodhen në nivelin e atij numërimi të thjeshtë të shqiptarëve dhe joshqiptarëve në institucione. Ndërkohë që në shtetin e tyre, por 20 vjet me radhë nuk arritën të parandalojnë thyerjen e pllakave përkujtimore të policëve dhe ushtarëve në Vejce dhe Karpallak.
2 Çfarë është ajo gjë kaq e madhe, vallë, që mund të bëjë një punonjës i thjeshtë administratë që të fitojë 30 përqind ngritje të rrogës? Të ishte një çmim për punonjësit e shëndetit, është e kuptueshme, apo edhe për ushtrinë, policinë, zjarrfikësit që shuanin zjarret me ato kushte që kishin, e për zjarret e tjera erdhën të huajt…Por nuk e kuptoj se si e meritoka një çmim të tillë një punonjës administrate i cili rregullisht merr rrogën për të kryer punën e tij, që ka një numër maksimal ditësh të garantuara të pushimit vjetor, që fiton çdo lloj të drejte akoma edhe të shpikur, ndërkohë që rrobaqepëset në firmat private nuk guxojnë as të pyesin se kur do t’u vijë rroga apo se pse të shtunën nuk i lejuan të shkonin në rivaksinim!? Edhe të kishte qenë një situatë normale, të mos ishte kjo e ndenjur në shtëpi për shkak të kovidit, ku kanë pasur mundimin që të ndezin kompjuterin në “mute” ndërkohë që gatuajnë, çfarë është kjo gjë e madhe që kanë arritur në mënyrë që të meritojnë 30 përqind nga rroga? Çfarë do të thotë kjo gjë: “numër i rritur i detyrave të shtëpisë në madhësi dhe cilësi”, siç shprehet Qeveria në komunikatën e saj? A do të thotë se fushata e zgjedhjeve lokale ka filluar para kohe, e tani duhet të punojnë dyfish – pak për shtetin, e më shumë për partinë!?
Rregulloni maqinën partiake. A thua se ne të tjerët nuk shkojmë në zgjedhje, e vota jonë nuk ka rëndësi për ta. Sikur të jenë vetëm ata që votojnë.
Sa bukur e kishin thurur komunikatën. Do t’u jepnin çmim për shkak të “arritjes së rezultateve të larta në shërbimin e interesit publik dhe kryerjen efikase të obligimeve të tyre”. Nëse kjo gjë, që ne si qytetarë po përballemi është “kryerje efikase e obligimeve”, atëherë nuk e di se çfarë mund të jetë “joefikase”. Sidomos që të gjithë kanë një justifikim të preferuar: “nuk jemi kompetentë”. E tani duan t’u japin çmime jokompetentëve më të angazhuar.
Qeveria thotë edhe se, ashtu siç duhet të ketë parim të ndarjes së çmimeve, duhet të jetë edhe parim të ndarjes së dënimeve. Shumë më intereson se kë kanë dënuar për faktin se për dy vjet nuk i kanë servisuar avionët për shuarjen e zjarrit? Dhe për faktin se akoma nuk ka tabela regjistrimi për makinat. E as letra të njoftimit dhe leje shoferi. Dhe se vonoheshin pasaportat. Dhe se fëmijët akoma nuk kanë marrë dëftesa. Apo ta bëjmë kështu: për çdo gjë që nuk funksionon, të japim çmime për ata që kanë pasur vetëm një detyrë – ta bëjnë këtë gjë të funksionojë.
Arsyetimi për angazhimin e jashtëzakonshëm të administratës publike është qesharak ashtu siç janë qesharake edhe statuset e Facebook-ut të Ljupço Nikollovskit për luftën kundër korrupsionit. Le të mos na tregojnë barcaleta. Le të thonë qartë që kjo është blerje para zgjedhjeve që do të na e kthejnë pas zgjedhjeve. Nëse do të tregoheni të urtë. Ashtu siç ka bërë çdo qeveri deri më sot.
3 Me një administratë kaq të angazhuar nëpër institucione, mbase kryeministri Zoran Zaev kishte të drejtë kur thoshte se sistemi funksionon dhe se kryeministri nuk duhet të jetë këtu, por ja që ai ka ndier se qytetarët kanë pasur nevojë ta shohin, andaj e ndërpreu pushimin në Greqi kur zjarrfikësit e shtetit nuk mundën t’i shuajnë zjarret në Maleshevi. Kush i beson sistemit, vallë? Ato përralla fejsbuku nuk hahen më. Madje edhe ata që angazhimi i tyre i vetëm është të vënë likes në rrjetet sociale nuk besojnë se sistemi funksionon, por shpresojnë se pas zgjedhjeve do të shpërblehen me 30 përqind.
Le të mos harrojmë tani sigurinë e komunikimit në majën shtetërore dhe të mos i hapim përrallat dedektive rreth asaj se si ka funksionuar ky sistem në Halkidiki. Mirëpo, askush nuk beson se sistemi funksionon madje edhe kur do ta shohë kryeministrin në televizion këtu, e le më kur do të komunikojë se si e koordinon krizën nga një shtet tjetër me telefon dhe internet. Çfarë ka koordinuar? Drejtorët partiakë që gjithashtu kanë qenë në plazh, apo kryetarët e komunave të bindur që paratë që i fitojnë i shpenzojnë për vetura zyrtare dhe rroga për punësime partiake, në vend që t’i investojnë në infrasturkturën e komunës në mënyrë që të jetë e përgatitur për një gjendje krize.
Në Austri dhe në Slloveni, për shembull, ndoshta nuk kanë një sistem që funksionon aq mirë nga plazhi, si ky i yni, por shtetit i është kujtuar të dërgojë avion që t’i marrë zjarrfikësit e lodhur nga Maleshevia dhe të sjellë të zjarrfikës të tjerë të çlodhur.
E pastaj habitemi se si të huajt na janë përzier në politikë. E si të mos na përzihen kur, ata bëjnë çdo gjë – nga marrëveshjet e paqes deri te dialogjet partiake dhe pastrimi i mbeturinave dhe shuarja e zjarrit. Me plot kuptimin e fjalës. Kemi fat që ekzistimi dhe stabiliteti ynë përputhet me interesat e tyre strategjikë, se përndryshe do të na linin të digjeshim.
Neve na lanë vetëm këto: të sjellim ligje, të printojmë letërnjoftime dhe të vendosim rend. Ligje kemi, për dokumentet do të presim tender të ri, ndërsa rend nuk mund të vendosim dot. Në cilin shtet vendosen karrige që të shpëtohen trotuaret dhe rrugicat e biçikletave nga makinat? Dhe përsëri karriget thyhen. E për këtë nuk dënohet askush. E nuk dënohet askush që nuk dënon për këtë mosdënim.
Dhe çfarë bën qeveria. Këtë papërgjegjshmëri të skajshme, duke nisur nga ndërmarrja më e vogël komunale e deri te funksionarët më të lartë në nivel shtetëror, do ta shpërblejë me 30 përqind për “rezultate të jashtëzakonshme në shërbimin e interesit publik”.
Përktheu: Fjolla Zllatku